E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodranët tregojnë autoritet në transfertën elbasanase

Nga ELTON KARAJ

Vllaznia ka luajtur me një formacion të alternuar dhe arrin të marrë tripikëshin e parë në grup

Elbasani Vllaznia                        2-4

Vllaznia ka mposhtur Elbasanin në ndeshjen e kupës, e cila është luajtur në stadiumin Ruzhdi Bizhuta. Skuadra shkodrane ka arritur të fitojë me rezultatin 2-4, duke marrë një fitore të merituar dhe duke e dominuar ndeshjen qysh nga fillimi i saj. Ekipi i drejtuar nga trajneri Mirel Josa do ta mbyllte në avantazh pjesën e parë, pasi Vajushi do të shënonte në minutën e 42-të nga pika e bardhë, të cilin e fitoi po vetë. Më pas, në pjesën e dytë, Vllaznia tregohet më agresive, duke shënuar edhe 2 gola të tjerë me anë të Sukajt, para se Halilaj të shkurtonte rezultatin për verdheblutë në 1-3.

Por Vllaznia ka shënuar edhe golin e 4-t më anë të Djepaxhisë, duke vulosur përfundimisht takimin, ndërsa goli i Olatunjit në minutën e 90-të ka vlejtur vetëm për statistikë, duke shënuar rezultatin përfundimtar në 2-4. Ishte një ndeshje mjaft e bukur dhe me mjaft emocione, por që kuqeblutë ditën ta zgjidhnin mjaft mirë falë kualiteteve që ka në skuadër, si Sukaj e Vajushi. Ndeshja filloi e qetë, por me kalimin e minutave skuadra shkodrane filloi të fitonte terren, madje duke goditur edhe shtyllën në minutën e 5-të me anë të Bardullës.

Më pas janë përsëri miqtë që sulmojnë, por pa e gjetur rrugën e rrjetës, kjo edhe për meritë të portierit Toçi, i cili ka qenë i vëmendshëm në disa raste të krijuara nga miqtë, duke u thënë jo sulmuesve shkodranë. Duhej të vinte minuta e 43-të e pjesës së parë që ekipi mik të kalonte në avantazh më anë të Vajushit, i cili shndërron në gol një 11-metërsh të fituar po nga ai vetë. Në pjesën dytë Elbasani kryen dy zëvendësime, ku Gava dhe Hila u kanë lënë vendin respektivisht Dalipit dhe Mustës.

Këto zëvendësime i japin freski Elbasanit. File ka hedhur në fushë edhe të riun Tafani në vend të Krekasit. Kjo lëvizje shton disi forcat sulmuese të vendësve. Kuqeblutë e drejtuar nga Josa hidhen menjëherë në sulm dhe arrijnë të shënojnë me anë të sulmuesit të tyre më të rrezikshëm, Xhevahir Sukaj, i cili ka realizuar një dopietë brenda 10 minutash, duke e mbyllur praktikisht këtë ndeshje.

Më vonë do të vinte edhe goli i Elbasanit, i cili shënohet nga Halilaj, duke i çuar shifrat në 1-3. Por sdo të vononte edhe goli i katërt për Vllazninë dhe këtë radhë është mesfushori i majtë Djepaxhia që e çon rezultatin në 1-4. Në fund vendësit shënojnë edhe një gol tjetër sa për statistikë, pasi tripikëshin e merr Vllaznia.


Ilirjan File, trajner i Elbasanit:
Zhvilluam një ndeshje të mirë, por një mosmarrëveshje midis arbitrit kryesor dhe atij anësor i dhuruan kundërshtarit një 11-metërsh të paqenë, i cili ndikoi direkt në rezultatin e ndeshjes. Jam i pakënaqur nga gjykimi ndeshjes, pasi nëse nuk do të ishte ajo penallti, loja mund të kishte marrë rrjedhë tjetër.


Mirel Josa, trajner i Vllaznisë:
E patëm vlerësuar maksimalisht ndeshjen dhe jo me kot erdhëm me formacionin më të mirë. Kishim 3 mungesa kryesore për shkak të gjendjes gripale. Tani mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës, të cilën e kemi kundër Flamurtarit, një ndeshje mjaft e rëndësishmë për ne.

 

 

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›