E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kastrioti e kalon lehtë ndeshjen e parë me Luftëtarin

Nga FATMIR THAÇI

Krutanët nuk e kanë pasur fare të vështirë ndaj gjirokastritëve, ku Vishaj dhe Tepshi shënojnë dopieta

KASTRIOTI LUFTETARI        4-1

Ramadan Ndreu, trajner i Kastriotit: Një ndeshje që më shumë sesa për rezultatin, na interesoi për ti vënë në provë shumë prej futbollistëve që aktivizohen rrallë në formacionin kryesor. Gjithashtu, patëm rastin të shohim konkretisht edhe disa prej skemave që pretendojmë të aplikojmë në ndeshjen e radhës të superligës me Apoloninë. Në përgjithësi jam i kënaqur nga loja që zhvilluan futbollistët e mi.

 

Mustafa Hysi, trajner i Luftëtarit: Nuk më interesonte aspak rezultati, pasi kishim ardhur në Krujë me një ekip thuajse të ndryshëm nga ai i kampionatit. Këto ndeshje të kupës ne duam ti shfrytëzojmë për të parë konkretisht ata elementë të cilët na interesojnë në ndeshjet e kampionatit, ku edhe ambiciet tona janë më të mëdha. Jo vetëm kaq, por në të tilla ndeshje mbajmë në aktivitet të gjithë grupin e futbollistëve.

Kastrioti nuk e ka pasur aspak të vështirë fitoren ndaj skuadrës gjirokastrite, e cila kishte ardhur në Krujë me një formacion thuajse totalisht të rinovuar. Kjo në fakt ishte deklaruar edhe një ditë para ndeshjes nga stafi teknik i kësaj skuadre, megjithatë trajneri Ndreu është kujdesur të ndërtojë një formacion të kombinuar, midis titullarëve dhe futbollistëve të stolit.

Edhe nga trajneri Ndreu vëmendje i është kushtuar eksperimentimit në kushtet e një ndeshjeje zyrtare, të asaj çfarë ai mendon të realizojë të dielën ndaj fierakëve të Apolonisë, sërish në stadiumin e qytetit të Krujës. Dhe në fakt gjithçka ka kaluar me sukses. Vendësit kanë kaluar në avantazh që në minutën e dytë me anë të Vishajt, i cili pasi ka marrë një pasim të përpiktë nga Turdiu, mes dy mbrojtësve ka goditur fort, duke e dërguar topin në rrjetë.

Vetëm pesë minuta më vonë është Tepshi, që pasi përfiton nga një pasim i gabuar i mbrojtësit Brahimi, futet i vetëm në zonë dhe pasi ka shmangur edhe portierin, e ka dërguar topin në rrjetë, duke dyfishuar rezultatin. Edhe pas këtij goli gjithçka zhvillohet në gjysmëfushën mike, ku portieri Kazma shpëton disa gola të sigurt. Edhe gjirokastritët nuk kanë harruar të kundërsulmojnë, ku Pjetrani, të paktën në dy raste, me pak kujdes, mund të kishte shënuar.

Pjesa dytë ka një tablo krejt tjetër. Të dy trajnerët kanë bërë të tre zëvendësimet e mundshme, duke futur në fushën e lojës pikërisht ata lojtarë që pretendohej se mund të sillnin ndryshimin. Dhe në të vërtetë kështu ndodhi, por gjithçka rrodhi në favor të Kastriotit, ku kualitetet ishin shumë herë më të spikatur. Kjo pasqyrohet edhe në rezultatin e takimit, ku avantazhit të pjesë së parë krutanët do ti shtonin edhe dy gola të tjerë, sërish me Alikajn e Tepshin, respektivisht në minutat e 48-të dhe 79-të.

Ndërkohë, miqtë nga Gjirokastra do të arrinin të shënonin golin e nderit vetëm tetë minuta para përfundimit të takimit. Pavarësisht këtij rezultati, futbollistët e të dyja palëve janë larguar nga fusha e lojës duke i shtrënguar duart njëri-tjetrit. Edhe tifozët e kanë mirëpritur këtë veprim, gjë për të cilën i kanë shoqëruar me duartrokitje derisa ekipet janë futur në dhomat e zhveshjes.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›