E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkoi Kosova B

Kuvendi ka mbështetur përfshirjen e Kosovës B në pakon tenderuese të Termocentralit Kosova e Re. Kjo u kritikua nga opozita.

Me qëndrime të kundërta ndërmjet pozitës dhe opozitës, Kuvendi i Kosovës ka miratuar strategjinë e energjisë për periudhën 2009-2018, me rekomandimet e Komisionit parlamentar për Ekonomi, Energjetikë..... Opozita ka kundërshtuar përfshirjen e Termocentralit Kosova B në pakon tenderuese për termocentralin Kosova e Re, siç kanë kërkuar këshilltarët e transaksionit dhe partnerët ndërkombëtarë.

Kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se kjo strategji paraqet vizionin e Qeverisë së Kosovës për zhvillimin ekonomik, krijimin e tregut dhe konkurrencës së lirë.

Ai ka garantuar ligjvënësit se kjo është zgjidhja më e mirë për daljen nga problemi i energjisë, duke thënë se nëse nuk do të votohet kjo strategji, atëherë institucionet do të mbesin duke u marrë me sanimin e pasojave, sepse pa rregullimin e energjisë nuk ka progres të shtetit.

Rekomandimi i partnerëve ndërkombëtarë është i përbashkët me atë të institucioneve të Kosovës, që të kalojë ky projekt. E di se ka dilema dhe duhet të diskutohen patjetër. Jam i gatshëm të respektoj çdo vendim të Kuvendit, por jam i bindur se është vendimi më i drejtë i mundshëm që ka qeveria, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, zhvillimet e reja në ekonominë botërore kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës të ri-dizajnojë këtë projekt të nisur më herët. Ndërkohë, ministrja e Energjisë dhe Minierave, Justina Shiroka  Pula, ka thënë se strategjia në fjalë është plotësisht e përputhur me politikat e MEM-it dhe të Qeverisë së Kosovës. Deputetët kanë mbajtur qëndrime të kundërta sa i përket përfshirjes së Kosovës B në pakon tenderuese të Termocentralit Kosova e Re.

Ethem Çeku, deputet i AAK-së, ka shprehur kundërshtimin e tij për futjen e Kosovës B në pakon e Kosovës së Re, duke thënë se nuk është i qëndrueshëm fakti se mund të largohen investuesit nëse nuk do të përfshihet Kosova B në kuadër të Kosovës së Re.

Në strategji ka mbetur e hapur çështja e minierës së Sibovcit. Jemi kundër vendosjes në një pakoje tenderuese, ngase nuk shkon në shërbim të konkurrencës, ka thënë ai.

Shefi i Grupit Parlamentar të LDD-së, Lulzim Zeneli, ka thënë se nuk duhet hyrë në aventura të tilla pa nxjerrë Ligjin për privatizimin dhe pa bërë vlerësimin e saktë të kapaciteteve.
Sidoqoftë, ligjvënësit kanë miratuar këtë strategji me 54 për, 6 kundër dhe 2 abstenime.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›