E Diel, 1 Nëntor 2026

Centrali bërthamor, lojë politike e Berluskonit

Politikani puljez

Një politikan i majtë i rajonit të Puljas në Italinë e jugut paralajmëroi dje publikisht shqiptarët të mos humbasin kohë me disa deklarata politike të vendit të tij në lidhje me ndërtimin e një centrali bërthamor në Shqipëri. Duke folur në Durrës, ku gjendej për prezantimin e një fondacioni që ka për qëllim zhvillimin e marrëdhënieve mes vendeve të detit Mesdhe, Natale Parizi tha: “Shqipëria nuk ka nevojë për centrale bërthamore. Berluskoni në Pulja deklaroi se centrali bërthamor nuk do të ndërtohet në Pulja, por në Shqipëri. është spekuluar politikisht për ndërtimin e centraleve”.

Që prej tre vjetësh, herë pas here politikanë të ndryshëm në Itali dhe Shqipëri përsërisin deklarata mbi perspektivën e ndërtimit të një centrali bërthamor në vendin tonë si një investim italian. Centrali u kthye edhe një herë në debat javën e kaluar gjatë zgjedhjeve rajonale të Italisë. Nuk ka asnjë projekt konkret dhe asnjë nismë zyrtare për ndërtimin e një termocentrali bërthamor në Shqipëri, por vetëm deklaratat në të dy brigjet e Adriatikut mjaftojnë për të shkaktuar zhurmë. Kryeministri shqiptar Sali Berisha e ka përsëritur shumë herë se është i hapur për energjinë bërthamore, ndërsa homologu i tij italian, Silvio Berluskoni, e ka përmendur disa herë të tjera mundësinë e “ndërtimit në Shqipëri”.

Gjigandi italian i energjisë ENEL, i pyetur nga agjencia “Reuters”, ka deklaruar se “ndërtimi i një centrali bërthamor në Shqipëri është një perspektivë shumë-shumë afatgjatë”.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›