Shkojnë në dasmë, përfundojnë në spital të helmuar
VLORË- Dasmorët kanë pushtuar Infektivin. Një numër i pazakontë pacientësh janë paraqitur në një interval të shkurtër kohe me të vjella e diarre. Më pas mjekët kanë mësuar se ata ishin të gjithë të afërm dhe miq me njeri-tjetrin, pasi kishin qenë te ftuar në një dasmë. Shefi i Infektivit, Islam Islami shprehet se "dasmorët kanë nisur të vijnë qysh në orët e para të mëngjesit të së hënës, ndërkohë që janë shtuar orë pas ore në ambjentet e këtij reparti. Ata kanë shfaqur shenja të diarresë, temepraturës së lartë dhe etheve".
Me të parë situatën, mjekët kanë vlerësuar rastin, aq më tepër, që të sëmurët e paraqitur urgjent kanë ardhur në rritje. Ata kanë dhënë ndihmën e parë të nevojshme dhe më pas trajtimi ka vijuar në kushte spitalore. Në ambjentet e Infektivit janë shtruar aktualisht shumë familjarë. Kështu në dhoma të tij janë tre apo katër pjestarë të së njëjtës familje. Në kushtet kur kapacitetet e Infektivit janë tejmbushur, shtrimi për fëmijët ka vijuar në repartin e Pediatrisë dhe po kështu mësohet të ketë dasmorë dhe në repartin e Patologjisë.
Po kështu bluzat e bardha të Vlorës bëjnë me dije se dasmorë të tjerë po kurohen në spitalin e Fierit dhe të Tiranës, të cilët kanë qenë të ftuar në darkën festive të lidhjes me kurorë të një çifti. Mjekët dyshojnë për ndonjë mikrob, që u ka kaluar dasmorëve nga ushqimet, duke ju referuar deri më tani të ftuarve të shumtë në dasmë. Në repartin e Infektivit numri i dasmorëve është 20, ndërkohë që mësohet se numri i të prekurve që kurohen në ambjente të tjera spitalore brenda edhe jashtë Vlorës është afro 50 vetë.
Gjithçka po dokumentohet nga struktura të Drejtorisë së Shëndetit Publik në Vlorë, të cilët kanë lajmëruar në instancat e larta dhe janë në fazën e analizimit të gjithë situatës, përfshi këtu edhe analizat në lokalin ku është bërë dasma, për të bërë vlerësimet e duhura dhe marrë më pas masat përkatëse.