E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla 9-vjeçare “Sotir Çapo” në Patos gati për vitin e ri shkollor

TIRANË, 29 korrik/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Sotir Çapo” në Patos është gati të hapë dyert për vitin e ri shkollor, pas përfundimit të punimeve për rikonstruksionin e saj duke  përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën dhe kushtet për zhvillimin e procesit mësimor.

Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale pamje nga ambientet e kësaj shkolle, e cila në shtator do të ofrojë kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit, me klasa të reja, laboratorë modernë, bibliotekë dhe terrene sportive.

“Investimi i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Patos i ka kthyer këto ambiente në një qendër moderne jo vetëm për mësim, por edhe për sport, aktivitete komunitare dhe programin “Pas Shkolle” për nxënësit”, shkruan Rama.

Përveç rikonstruksionit të ambienteve mësimore, shkolla është pajisur edhe me hapësira të dedikuara për aktivitete sportive, kulturore dhe komunitare, duke i dhënë institucionit një rol më të gjerë se ai i zhvillimit të mësimit.

Ambientet do të shërbejnë gjithashtu për zbatimin e programeve “Pas Shkolle”, të cilat synojnë të mbështesin zhvillimin social dhe artistik të nxënësve përmes aktiviteteve të ndryshme.

Në të gjithë vendin janë 42 kantiere ndërtimi të hapura në shkolla, ku po punohet së bashku me bashkitë për rikonstruksionin dhe ndërtimin e objekteve të reja arsimore.

/k.s/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›