E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkolla “Kolë Jakova” në Tiranë, ambiente më të mira për mbi 500 nxënës

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Kolë Jakova” në Tiranë është gati të mirëpresë mbi 500 nxënës në ambiente të rinovuara dhe me kushte më të mira për zhvillimin e procesit mësimor.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, përmes një postimi në rrjetet sociale ndau pamje nga shkolla e rikonstruktuar, duke theksuar se shkolla ka rilindur dhe ofron kushte dinjitoze për zhvillimin e procesit mësimor.

Si shkollë qendër komunitare, “Kolë Jakova” do të ofrojë tashmë ambiente më të mira për nxënësit, por edhe për organizimin e aktiviteteve të ndryshme përtej orarit mësimor.

“Shkolla do të jetë e hapur për gjithë komunitetin e zonës së Bregut të Lumit në Tiranë për të mësuar, për t’u zhvilluar dhe nxitur talentin”, theksoi Kumbaro.

Me nisjen e vitit të ri shkollor, “Kolë Jakova” pritet të jetë më shumë se një institucion arsimor, duke marrë rolin e një hapësire të hapur për nxënësit, familjet dhe komunitetin, ku mësimi ndërthuret me sportin, artin dhe aktivitetet që nxisin zhvillimin e të rinjve.

Investimet në infrastrukturën shkollore synojnë krijimin e mjediseve më funksionale dhe gjithëpërfshirëse, ku nxënësit të kenë mundësi të zhvillojnë jo vetëm njohuritë akademike, por edhe aftësitë, talentet dhe interesat e tyre.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›