Zyra Arsimore Tiranë: I pavërtetë pretendimi për kontribute për kondicionerët në shkollën “Qazim Turdiu”

TIRANË, 4 shtator/ATSH/ Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka reaguar lidhur me një pretendim të publikuar në një portal online, sipas të cilit nxënësve të shkollës “Qazim Turdiu” u është kërkuar kontribut financiar për vendosjen e kondicionerëve, duke e cilësuar këtë informacion si të pavërtetë.
Në një sqarim zyrtar, ZVAP Tiranë thekson se një nismë e tillë nuk është ndërmarrë nga drejtoria e shkollës, mësuesit apo ndonjë autoritet tjetër zyrtar i institucionit arsimor.
Sipas ZVAP Tiranë, shkolla “Qazim Turdiu” është një institucion arsimor i rindërtuar së fundmi, i pajisur me ambiente moderne dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor.
“Godina është e pajisur me infrastrukturën e nevojshme, përfshirë sistemin e ngrohjes, duke garantuar kushte të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor”, thuhet në sqarim.
ZVAP Tiranë thekson se mbetet e angazhuar për garantimin e një mjedisi të sigurt, dinjitoz dhe cilësor në institucionet arsimore.
Në këtë kuadër, institucioni nënvizon rëndësinë e verifikimit të informacionit pranë burimeve zyrtare, veçanërisht për pretendimet që lidhen me funksionimin e shkollave, me qëllim shmangien e keqinformimit të nxënësve, prindërve dhe komunitetit.
/e.i/r.e/