Shkolla e re “Luan Hajdaraga” në Linzë, gati në shtator, Veliaj: Moto e Bashkisë, çdo ditë një punë konkrete

Shkolla e mesme “Luan Hajdaraga” do të jetë gati për nxënësit në shtator. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se shkolla do të ulë numrin e nxënësve në dy gjimnazet “Andon Zako Çajupi” dhe “Eqrem Çabej”.
“Para 8 muajsh ishte një ngrehinë, ish-repart ushtarak, por themelet u hodhën në kohë rekord dhe shkolla do të jetë gati në shtator. Erdha t’i përshëndes kolegët që kanë punuar përgjatë gjithë verës, duke bërë realitet një shkollë e cila u ndërtua në 8 muaj dhe sot është gati për t’u hapur”, tha Veliaj.
Kryebashkiaku tha se duke qenë se moto e bashkisë është ‘çdo ditë një punë konkrete’, përfundimi i kësaj shkolle, një ndër më të mëdhatë dhe më të bukurat që kemi në Tiranë e tregon më së miri. Veliaj kërkoi mirëkuptimin e prindërve për të regjistruar fëmijët në shkollën më të afërt, teksa i siguroi ata për cilësinë në mësimdhënie.
“Kjo është një shkollë ultra moderne, ndaj kërkoj mirëkuptimin e prindërve. Mos i torturoni fëmijët duke i çuar në shkolla të largëta. Moto e bashkisë është ‘çdo ditë një punë konkrete’ dhe për sa kohë tregojmë një projekt konkret që i shërben komunitetit, e kemi kryer misionin tonë. Puna konkrete për sot është kjo shkollë, një ndër më të mëdhatë dhe më të bukurat që kemi në Tiranë.
Nëse ne u japim fëmijëve arsim cilësor, ky vend do të ecë përpara. Nëse merremi me llafe dhe zihemi për çdo shkollë, atëherë do të bëjmë prapa kthehu. Kur shikoj që në vitin e rinisë kemi hapur kaq shumë shkolla në Tiranë, kemi pasur shumë aktivitete kulturore, artistike me fokus te rinia, do të thotë që politika kur do bën. Fakti që dëshirën tonë për të punuar e kthyem në projekte konkrete, do të thotë se politika e mirë ekziston, siç ekziston gazetaria e mirë, apo biznesi i mirë”, tha Veliaj.
Shkolla e mesme “Luan Hajdaraga” ka kapacitet për dhënie mësimi në 21 klasa, 4 laboratore, terrene sportive si dhe mjedise ndihmëse.
/rtsh.al/