Prindërit u humbën jetën në krye të detyrës, 15 fëmijë marrin statusin e ‘Përkujdesjes së Republikës’! Rama: Jemi me ju deri sa të dilni në jetë

15 fëmijë, prindërit e të cilët humbën jetën në krye të detyrës do të marrin mbështetje nga qeveria përmes “Statusit të Përkujdesjes së Republikës”. Këto fëmijë do të marrin 150 % të pagës së prindërit dhe paketën e plotë të mbështetjes nga shteti, derisa të jenë të zotët e vetes.
Kryeministri Edi Rama priti në zyrën e tij fëmijët e major Klodian Tanushit, i cili humbi jetën në Letoni si pjesë e misionit të NATO-s dhe ato të mjekut gjinekolog Leonard Kamberit, i cili humbi jetën nga COVID-19.
Me mirënjohjen për sakrificën sublime të heronjve që dhanë jetën në krye të detyrës, Rama tha se do të vijojë procesi i shqyrtimit të dosjeve nga komisioni i posaçëm për “Fëmijët në Përkujdesje të Republikës” për përfitimin e këtij statusi ehde për fëmijët e tjerë.
“Na vjen mirë që e kemi krijuar mundësinë që të japim mbështetje të plotë fëmijëve që faktikisht do të kenë 150 % të pagës së prindit deri kur të dalin në jetë. Asnjë nuk e kthen prindin, por në të gjitha rastet këto janë fëmijë të Republikës sepse baballarët janë heronj të Republikës. Ju uroj fëmijëve që të jeni të denjë për prindërit dhe ne do të jemi gjatë gjithë kohës me ju. Deri kur të dilni nga Universiteti ju do të jeni nën kujdesin edhe të Republikës përmes qeverisë me fondin që ju ka akorduar”, tha Rama.
Major Klodian Tanushi humbi jetën në Letoni në maj të vitit 2019 në një mision për asgjësimin e municioneve eksplozive , si pjesë e NATO-s. Ndërsa gjinekologu Leonard Kamberi humbi jetën në dhjetor të 2020 për shkak të COVID-19.
/rtsh.al/