Holokausti, Bashkia e Tiranës organizon aktivitete
Kreu i Bashkisë, Rama tha se ky është një akt që i bën një nder të jashtëzakonshëm historisë së vendit tonë
"Ditës Botërore të Holokaustit" është përkujtuar nga Bashkia e Tiranës, e cila organizoi një pritje për familjet që kanë strehuar qytetarët hebrenj gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe me pjesëmarrjen e qytetarëve hebrenj që jetojnë në Tiranë, ku ishte e pranishme gjithashtu edhe Ambasadorja e Izraelit në vendin tonë, znj.Amira Arnon. Duke përkujtuar këtë ditë historike, Kryetari i Bashkisë, Edi Rama u shpreh në takim se, ky është një akt që i bën një nder të jashtëzakonshëm historisë së vendit tonë dhe historisë së qytetit tonë. "Për hir të disa parimeve dhe vlerave universale, pa pasur nevojë të jenë heronj, kanë bërë dhe mund të bëjnë heroizma të kësaj natyre, pasi ka qenë vërtetë heroike që të fshihje hebrenjtë në kohën kur nazistët i kërkonin në çdo shtëpi; ka qenë vërtetë heroike, që të sakrifikoje deri edhe jetën tënde dhe të familjes tënde, duke marrë përsipër këtë akt, sepse dihej që pasojat për ata që nuk i dorëzonin hebrenjtë, ishin pasoja që merrnin jetë njerëzish",- u shpreh Rama. Duke falënderuar të pranishmit, Rama pohoi se ky është një nga ato momente që i bën Shqipërisë një nder dhe i jep kombit tonë një lavdi të pashembullt. Në vendin tonë, gjatë Luftës së Dytë Botërore janë strehuar rreth 3000 hebrenj, ndaj edhe Tirana, ashtu si edhe shumë vende të tjera në të gjithë botën është sensibilizuar tashmë për organizmin e veprimtarive të tilla përkujtimore, me rastin e kësaj dite. Qytetarët e Tiranës kanë farkëtuar një miqësi me një nga popujt më të vjetër të botës pasi shumë familje morën nën mbrojtje gjatë viteve të luftës mjaft qytetarë hebrenj dhe vazhdojnë të mbajnë akoma, të ripërtërijnë dhe forcojnë lidhjet e vjetra. Bashkia e Tiranës duke vlerësuar këtë lidhje miqësore, ka organizuar një sërë aktivitetesh, ka zhvilluar veprimtari me shoqatat miqësore shqiptaro- izraelite. Gjithashtu ka vlerësuar personalitete me origjinë hebraike me titullin "Qytetar Nderi". Disa nga familjet që kanë strehuar qytetarë hebrenj :
1.Margarita KRISTIDHI
2.Edi PILKU
3.Llambi KASAPI
4.Erika TOPTANI
5.Haki BULKU
6.Petrit VESELI
7.Petrit KIKA
8.Myzafer KAZAZI
9.Asim RULI
10.Agron MARIKA
11.Lulzim Beqir GOGJA
12.Sadik KALAJA
13.Osman ALLA
14.Skënder KOSTURI