Shkollat dhe aftësitë
Në mes të viteve 1870 dhe 1950, niveli i edukimit i një amerikani të zakonshëm u rrit për 0.8 vjet për dekadë. Në vitin 1890, një i rritur i zakonshëm do të kishte përfunduar rreth tetë vjet të shkollimit. Gjer në vitin 1900, amerikani i zakonshëm kishte 8.8 vite shkollim. Në vitin 1910, ishte 9.6 vjet dhe në vitin 1969, ishte afro 14 vjet.
Ashtu si Claudia Goldin dhe Lawrence Katz përshkruajnë në librin e tyre “Gara në mes edukimit dhe teknologjisë”, përparimi i edukimit në Amerikë ishte jashtëzakonisht i njëtrajtshëm gjatë atyre dekadave dhe SHBA nisi udhëheqjen gjigante globale. Nivelet e edukimit po rriteshin përgjatë botës së industrializuar, por SHBA kishte një përparësi së paku 35-vjeçare krahasuar me shumicën e Evropës. Në vitin 1950, asnjë shtet evropian nuk regjistroi 30 për qind të adoleshentëve të tyre në shkolla të mesme me orar të plotë. Në SHBA, 70 për qind e adoleshentëve shkonin në shkollë.
Amerika lulëzoi me prodhimtari dhe rritje. Por epoka e lumtur mori fund kah viti 1970, kur progresi edukativ i Amerikës u ngadalësua gjer në zvarritje. Në mes të viteve 1975 dhe 1990, arritjet edukative ngecën tërësisht. Që nga kjo kohë, progresi ka qenë modest. Udhëheqja e Amerikës mbi rivalët e saj ekonomikë ka humbur tërësisht dhe shumë shtete janë shumë më përpara në arritjet e shkollimit.
Kjo i kërcënon perspektivat afatgjata të Amerikës. Kjo gjë gjithashtu e zgjeron çarjen në mes të të varfërve dhe të të pasurve.
Goldin dhe Katz e përshkruajnë garën në mes teknologjisë dhe edukimit. Ritmi i ndryshimeve teknologjike ka qenë i njëtrajtshëm, për befasi. Në kohën kur përparimi në edukim ia kalon këtij ndryshimi, pabarazia ngushtohet. Tregu është i përmbytur me punonjës të shkathët, andaj pagat e tyre rriten me modesti. Në periudha si kjo e tashmja, kur përparimi i edukimit mbetet pas ndryshimit teknologjik, pabarazia zgjerohet. Vetëm ca punonjës të shkathët komandojnë çmimet e larta, gjersa shumë nga ata që nuk janë të aftë, kanë pak fuqi që të bëjnë pazarllëk.
Hulumtimi i përpiktë i Goldin-it dhe Katzit plotësohet prej një raporti tjetër nga James Heckman i Universitetit të Chicagos. Duke përdorur hulumtimin e vet, Heckman konkludoi që shkallët e diplomimit në shkollat e mesme arritën kulmin në fund të viteve ’60 në SHBA, në rreth 80 për qind. Që nga ajo kohë, ka pasur vetëm rënie.
Në “Shkollat, aftësitë dhe sinapsat” Heckman shqyrton burimet e kësaj rënieje. Nuk ka të bëjë me rënien e kualitetit të shkollave, thotë ai. E as nuk ka të bëjë me shkurtimet e financimeve ose me rritjen e çmimeve të shkollave. Në vend të kësaj, Heckman e drejton vëmendjen te mjedisi familjar, i cili është degjeneruar gjatë 40 viteve të fundit.
Heckman cek se zbrazëtirat e mëdha në arritjet e edukimit janë prezente që në moshën pesëvjeçare. Disa fëmijë rriten në një atmosferë që promovon zhvillimin e rëndësishëm njerëzor dhe shumë më shumë fëmijë nuk po rriten në këtë atmosfere. Deri në moshën pesëvjeçare, është e mundur të parashikohet, me saktësi depresive, kush do të përfundojë shkollën e mesme dhe kolegjin e kush jo.
Koeficienti i inteligjencës është i rëndësishëm, por Heckman cek disa tipare, të cilat janë njëlloj të rëndësishme dhe të cilat fillojnë e pastaj zhvillohen që nga ato vite të hershme: nivelet e motivimit, stabiliteti emocional, vetëkontrolli dhe të qenit të shoqërueshëm. Ai përdor logjikën e përgjithshme për të kuptuar se çka janë këto tipare, por ekonomistët mund të mësojnë shumë për këtë çështje nga psikologët e zhvillimit.
Unë i ceka këto dy projekte hulumtimi, sepse ngadalësimi i aftësimit është çështja më e madhe, me të cilën përballet shteti. Çmimet e rritura të naftës me siguri do të dominojnë zgjedhjen presidenciale, sepse votuesve iu bie kresë, sa herë që e vizitojnë pompën, por ky problem që lëviz ngadalë, më shumë se cilido tjetër, do t’i japë formë fatit të Amerikës.
E dyta, po ndodh një debat i madh rreth burimit të shqetësimit ekonomik të klasës së mesme. Disa populistë cekin forcat shkatërruese të globalizimit dhe kapitalizmit grabitqar. Këta njerëz thonë se Amerikës i duhen reforma të tregut radikal të punës, që t’i jepet një mundësi klasës punëtore. Por populistët duhen të kapin hulumtimin e Goldin-it, Katzit dhe Heckman-it, i cili mbështet fuqishëm argumentet e atyre që iu japin rëndësi politikave të zhvillimit njerëzor. Nuk është globalizimi, apo imigrimi, apo kompjuterët prej vetiu që e zgjerojnë pabarazinë. Është zbrazëtia e aftësive. Rritja e zhvillimit të edukimit është më premtuese sesa përpjekja që të riorganizohet ekonomia globale.
E treta, ia vlen të ceket se të dy anët e këtij debati ekzistojnë përbrenda Partisë Demokratike. Partia Republikane kryesisht është jorelevante. Nëse i shikoni propozimet e Barack Obamës për edukimin, posaçërisht theksimi i tij për zhvillim në fëmijërinë e hershme, do të shihni që këta lëvizin natyrshëm dhe bindshëm nga ky hulumtim. (Me siguri, ndihmon fakti që Obama dhe Heckman janë pothuajse fqinjë në Chicago.) Politikat e McCain-it duken kryesisht të pavëmendshme ndaj këtyre gjetjeve. Ka pak diskutim të mjegullt rreth çmimeve të shkollimit, por republikanët janë të paaftë, kur flasin për politikat e zhvillimit njerëzor. Amerika u ngrit, ngaqë nxori shumë më shumë prej njerëzve të vet sesa shtetet e tjera. Kjo u ndal në vitin 1970. Tani, çështjet e tjera marrin kryetitujt dhe vëmendjen e fushatave. Por kjo pllakë tektonike ende po lëviz pamëshirshëm dhe rrezikshëm nën këmbët e amerikanëve.