E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndërtimi i Korridorit 8, sipërmarrje e kompromentuar!

Flet ish- zv/ministri i Transporteve, Sadedin Çeliku

Z. Çeliku, si ish zv/ministër i Transportit, ju lutem na sqaroni çfarë përfaqëson Korridori 8, pasi ka vite që përflitet?

Korridori 8 fillimisht është iniciuar në vitin 1996 nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, z. Bill Klinton. Ky korridor, sipas asaj ideje, prek Shqipërinë, Maqedoninë dhe Bullgarinë. Për të menaxhuar me efektivitet bisedimet trepalëshe, SHBA kishte ngarkuar TDA, pra Agjencinë Amerikane për Tregti dhe Zhvillim.

Si rregull, kjo agjenci, nën kujdesin e SHBA, rast pas rasti financonte me grante rreth 30 milionë dollarë për ndërtimin e Korridorit, por financuesi kryesor ishte Bashkimi Evropian. Granti amerikan ishte kryesisht për studime fizibiliteti, pajisje, makineri, logjistikë, gjithmonë në funksion të infrastrukturës rrugore. Për kryerjen e këtyre që thamë më lart, është firmosur një kontratë me firmën “Bechtel”, më 30 dhjetor 1996 dhe e konfirmuar nga TDA, më 27 shkurt 1997. Ai studim përfundoi në mars të vitit 1998. Pikërisht kjo firmë është ajo që po merret me rrugën Durrës- Kukës- Morinë.

Pra, ndërtimi i këtij Korridori daton që në qeverinë e zotit Meksi, e përfaqësuar nga Partia Demokratike?

Drejtuesit e atëhershëm të ekzekutivit çështjen e Korridorit 8 e kishin konceptuar gabim dhe me mangësi të mëdha. Kështu, p.sh., Korridori konceptohej thjesht si problem rrugësh, madje në marrëveshjet e firmosura në atë kohë Korridori ishte fiksuar Durrës– Rrogozhinë– Elbasan– Qafëthanë për pjesën shqiptare.

Atëherë, meqenëse ishte konceptuar gabim, si u menaxhua më vonë, pra pas vitit 1997 dhe çfarë projektesh të tjera u bënë?

Fatkeqësisht, është menduar se Korridori 8 është vetëm çështje rrugësh. Kjo nuk është e vërtetë, sepse korridor do të thotë rrugë, transport ajror, detar, hekurudhor, naftësjellës, gazsjellës etj. Ky korridor ka qenë prioritet kryesor i qeverisë shqiptare dhe i është kushtuar shumë vëmendje. Nëse kjo çështje ka dhe interes publik, atëherë më lejoni të shtoj se ky është një material prej 500 faqesh në anglisht dhe përveç sa folëm parashikonte dhe rehabilitimin e porteve detare, si dhe elemente të tjera që kompletojnë Korridorin. Ky projekt parashikonte dhe ndërtimin e naftësjellësit Burgas (Bullgari) – Shkup – Patos – Vlorë me vlerë rreth një miliard dollarë, ndërtimin e pontileve të naftës në portin e Vlorës etj.

Sipas atij projekti, parashikohet që 10% të fitimit ta marrë Bullgaria dhe nga 5% respektivisht Maqedonia dhe Shqipëria, kjo e ndarë proporcionalisht sipas gjatësisë ku kalojnë tubacionet.

Ndërkaq, secili nga ato vende ka të drejtë të përdorë 15% të sasisë së naftës për nevojat e veta. Për ndjekjen e këtij projekti, SHBA krijoi një kompani, përfaqësuesit e së cilës unë i kam takuar në Uashington, kompania quhej AMBO (Albania, Macedonia, Bulgaria Organization), pra shikoni, kompania mban inicialet e shteteve tona, ku kalon Korridori 8.

Më pas çfarë u vendos për Korridorin?

Vitet 1997 e më pas ka patur kontakte intensive në Tiranë, Shkup, Sofje, Uashington, Vjenë për çështjen e këtij Korridori. Këto samite kryesoheshin nga zv/ministrat respektivë. Nga kontaktet që kemi patur, ne arritëm ta rikonceptojmë si duhet Korridorin dhe konkretisht kështu: Durrës - Tiranë- Elbasan - Qafë-Thanë - Durrës - Rrogozhinë - Elbasan - Qafë-Thanë

Rrogozhinë – Fier – Vlorë- Tiranë - Peshkopi (rruga e Arbrit)– Kicevo (Maqedoni) Pra, siç e shikoni, janë përfshirë të dy portet kryesore, si dhe është rikonceptuar një unazë që të çon në një drejtim, pra lehtëson ndjeshëm qarkullimin e mallrave. Por nuk ishte vetëm kaq në marrëveshje.

Thuhet se porti i Durrësit dhe ai i Vlorës do të jenë portat dhe arteriet kryesore të këtij Korridori. Është e vërtetë një gjë e tillë?

Më vjen keq të them se ashtu duhet të ishte, por rehabilitimi dhe zgjerimi i kapaciteteve përpunuese të portit të Durrësit, fillimi me mjaft vonesë i terminalit të trageteve dhe zgjerimi i portit të Vlorës bëjnë që ky proces të pengohet.

Shikoj që investimet në portin e Durrësit janë bërë të përsëritura dhe nuk e kuptoj çfarë përfaqësojnë dhe në interes të kujt bëhen. Kryeministri i Maqedonisë, z. Gruevski, deklaroi më datë 27 korrik 2008 në parlamentin maqedonas gjatë prezantimit të kabinetit të ri qeverisës, se lidhja antike me Shqipërinë dhe Bullgarinë do të kompletohet me të gjithë komponentët e infrastrukturës moderne dhe aksesorët që pasojnë atë me përfundimin e Korridorit 8. Ai tregoi interes të veçantë për përdorimin e portit të Durrësit, pra për tranzitimin e mallrave përmes atij porti.

A mund të na thoni pse nuk është përdorur deri tani porti i Durrësit?

Në vitet 1994 e më pas pati një dyndje të tranzitimit të mallrave përmes portit të Durrësit. Problemi është se në raport me vitin 1990 kapacitetet përpunuese të portit ranë ndjeshëm, dhe për rrjedhojë ai port nuk përballon. Problemi tjetër ishte se politikat fiskale që pasuan nuk krijonin hapësira për transportuesit maqedonas. Pra, barra fiskale ishte e rëndë. Ndërkaq, mjeteve të tyre iu kërkonin shumë ryshfete për të kaluar dhe kështu ato për gati 13 vjet kanë shfrytëzuar rrugë të tjera dhe në këtë mënyrë Shqipëria ka humbur miliona dollarë në vit, të ardhura nga përpunimi i mallrave të tyre.

Theksoj se kjo çështje duhet të jetë prioritet dhe nuk duhet ta kenë në dorë megalomanet dhe të paaftët. Kërkesa e kryeministrit maqedonas duhet vlerësuar seriozisht.

A mund të na thoni si kanë qenë fazat e ndërtimit të atij Korridori, sipas asaj marrëveshjeje?

Korridori duhej të ndërtohej me tri faza.

Faza e parë: 1998- 2003

Parashikonte rehabilitimin e rrugëve në gjurmët ekzistuese, devijime të vogla dhe ndërtimin e disa veprave të artit për të evituar pikat e zeza (kthesat e rrezikshme), si dhe rehabilitimin e aksit kryesor të hekurudhës. Sipas meje, kjo fazë u realizua plotësisht. Kështu përfundoi rruga Vorë– Durrës, mbikalimi i urës së Dajlanit, rehabilitimi i plotë me fondet e kooperacionit italian të hekurudhës Tiranë– Durrës me garanci shpejtësie 80 km/orë etj.

Faza e dytë: 2003-2010

Parashikon zhvillimin e rrugëve parësore sipas standardeve ndërkombëtare (2 + 2), pra ndërtimi i superstradave.

Faza e tretë: 2010-2020

Parashikon rrugë dytësore, kompletimin me logjistikë jo vetëm të rrugëve, por dhe të gjithë sistemit hekurudhor dhe ajror. Dua të theksoj se pothuajse të gjitha projektet, përfshirë zbatimin dhe realizimin, kanë përfunduar para përfundimit të mandatit qeverisës në vitin 2005 ose kanë qenë në procesin e përfundimit.

Ka vite të tëra që bëhet një debat, madje zhurmë e madhe për Korridorin 8, çfarë interesash ekzistojnë?

Intervista ime ka karakter problemor dhe jo politik. Lufta e Ftohtë tashmë ka përfunduar dhe shërbimet sekrete të vendeve tashmë janë fokusuar në teknologji apo ekonomi.

Në Evropë ka 24 korridore, por çdo shtet i jep përparësi korridorit që përfaqëson interesat e veta dhe transporti është shndërruar në industri shumë fitimprurëse, për shkak se ky sektor investimet i shlyen në kohë rekord.

Korridori i 8 ishte me mjaft interes për ne, pasi investimet do të kryheshin nga Bashkimi Evropian me fonde grante për Shqipërinë, po kështu dhe nga SHBA. Në këtë aspekt dua të them se shërbimet sekrete dhe qarqet diplomatike të vendeve të caktuara e kanë sabotuar këtë projekt, për shkak të humbjeve që do të pësonin.

Ndërkaq, lidhur me politikën e jashtme, ne kemi investuar më shumë për anëtarësimin në NATO sesa për ekonominë. Dëgjoni ministrin tonë të Jashtëm që nuk i përmend investitorët brenda dhe jashtë vendit, ekonominë dhe problemet e tjera. Po kështu, dhe ministrat e tjerë janë në të njëjtën linjë.

Për mua kjo sipërmarrje është e kompromentuar për shkak të paaftësisë së pushtetarëve.

Çfarë duhet bërë sipas jush?

Për të qenë konkurrues dhe partnerë të suksesshëm në një treg gjithnjë e më global del si nevojë e kohës që po jetojmë, hartimi dhe miratimi i strategjisë kombëtare të zhvillimit dhe integrimit, të zbërthyer në programe rajonale e lokale adekuate.

Si mund të zhvillohet Korridori 8 apo Shqipëria, kur ka mendësi si “Shqipëria, një euro”, “hekurudha nuk ka ç’i duhet Shqipërisë”, “vendi ynë është atraktiv për investitorët e huaj”, nuk ka strategji për turizmin etj.

Vendin e njerëzve të kualifikuar e me eksperiencë e kanë zënë militantët, të paaftë dhe shpesh të pashkolluar.

Për mua treguesit marrin vlera, kur përmirësojnë kushtet ekonomike dhe sociale, jo vetëm të zgjedhësve, por të të gjithë qytetarëve, pavarësisht bindjeve politike.

Kryesisht, në punët publike po bëhen shumë investime, madje tani sapo u miratua buxheti suplementar, çfarë mendimi keni ju?

Në gazetën “Republika” të datës 29 korrik 2008 lexova deklaratën e z. Olldashi për 45 rrugët që do të ndërtoheshin këtë vit. Është për të qeshur, sepse investimet u realizuan në masën 40%, kurse ato me financim të huaj 50%. Investimet e parealizuara i paraqesin më pas si buxhet suplementar. Barra fiskale e qytetarëve shqiptarë është bërë e papërballueshme dhe produktet e shumë mallrave të shportës nuk njohin limit.

Por ky nuk është i gjithë problemi. Çështja është se investimet publike kanë karakter të theksuar elektoral. Ato nuk kryhen sipas interesave publike, por në funksion të zgjedhjeve. Atëherë çfarë presim ne?

Më lejoni të sjell ndërmend se këta qeveritarë të paaftë, këdo që takojnë, i thonë të investojë në Shqipëri. Ata mendojnë njëlloj si Enveri që thoshte: “Metalurgjia– çlirimi i dytë i Shqipërisë”, kurse kryeministri thotë për rrugën Durrës– Kukës– Morinë, a thua se vetëm atëherë ky popull do të shpëtojë.

Cili ka qenë roli i diplomacisë shqiptare për këtë çështje?

E thashë dhe më lart që nuk ka patur asnjë rol, madje ata që janë sot në diplomaci, as që e kanë idenë e këtij problemi, duke filluar nga ministri i Jashtëm, të cilit vetëm bukuria i ka mbetur.

Përfundimisht, çfarë mendoni se duhet bërë?

Unë mendoj se asnjëherë nuk është vonë dhe se çdo gjë mund të rikuperohet. Personalisht, nuk besoj se mund të ecim me këta njerëz që qeverisin me paaftësi.

Nga ana tjetër është edhe viti i fundit i mandatit qeverisës dhe mendojnë më shumë për zgjedhjet sesa për çështjet vërtet të rëndësishme dhe që shqetësojnë popullin shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›