Shkon mbi 3.400 numri i viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Më shumë se 3.400 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.
Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet. Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.
Dhjetëra mijëra njerëz që mbetën të pastrehë në Turqi dhe Siri po përballën me një natë në të ftohtë. Në Gaziantep të Turqisë, një kryeqytet provincial rreth 33 kilometra nga epiqendra e tërmetit, njerëzit u strehuan në qendrat tregtare dhe stadiume. Gjithashtu xhamitë përreth zonës u hapën për të siguruar strehim për të prekurit nga tërmeti. Numri i të vdekurve në jug të Turqisë u rrit në 2.316, ndërsa i të lënduarve në më shumë se 13.000, tha një zyrtar nga Agjencia e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD). Gjithashtu, më shumë se 5.600 ndërtesa u shkatërruan, thanë autoritetet turke. Turqia shpalli shtatë ditë zie për të vdekurit.
Ndërkaq, Siria raportoi mbi 1.000 të vdekur dhe mbi 3.400 të lënduar. Agjencia për menaxhimin e emergjencave raportoi se të hënën u regjistrua edhe një tërmet i ri prej 7.6 ballësh, afër epiqendrës së tërmetit paraprak vdekjeprurës, duke shkaktuar dridhje të tjera të tokës.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, tha se ka pranuar ndihmë nga rreth 45 shtete të botës. Afër 9.000 persona po marrin pjesë në operacionet e shpëtimit. Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.
Dhjetëra mijëra njerëz që mbetën të pastrehë në Turqi dhe Siri po përballën me një natë në të ftohtë. Në Gaziantep të Turqisë, një kryeqytet provincial rreth 33 kilometra (20 milje) nga epiqendra, njerëzit u strehuan në qendrat tregtare, stadiumet dhe qendrat e komunitetit. Xhamitë përreth rajonit u hapën për të siguruar strehim.
Në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus. Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet. Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan. Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në të dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti dhe ata dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë dhe shi, teksa ndërtesat u rrëzuan.
Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij u shembën. “Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus. Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, ku jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane./rel/
/rtsh.al/