Shkrim i Kryeministrit te Shqiperise z. Fatos Nano botuar ne gazeten amerikane "The Boston Globe" me dt. 09 shkurt 2003 Sot ndoshta është koha që udhëheqësit europianë të vizitojnë P
Shkrim i Kryeministrit te Shqiperise z. Fatos Nano botuar ne gazeten amerikane "The Boston Globe" me dt. 09 shkurt 2003
Sot ndoshta është koha që udhëheqësit europianë të vizitojnë Plazhin e Normandisë për të parë me sytë e tyre atë çfarë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kane bërë në emër të lirisë.
Atje, lart mbi det, në Plazhin Omaha, ndodhet një varrezë, në të cilën prehen eshtrat e afro 10,000 ushtarëve amerikanë. Atje ata prehen, djem të rinj, të cilët dhanë jetën e tyre për të shpëtuar Europën nga shtypja naziste dhe për të çliruar kontinentit tonë.
Është në saje të kurajës dhe bujarisë amerikane që sot vende si Franca dhe Gjermania, ashtu si edhe shtete të tjerë europianë, janë vende të lira dhe demokraci vibrante. Sepse po të mos kishin qenë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe aleatët e tyre në Luftën e Dytë Botërore, Europa do të kish mbetur nën çizmen diktatoriale të Hitlerit dhe të nazistëve për breza të tërë.
Dhe Lufta e Dytë Botërore nuk ishte e para herë që Shtetet e Bashkuara treguan vullnetin e tyre për të derdhur gjak në Europë për lirinë e të tjerëve. Përpara saj ishte Lufta e Parë Botërore. Dhe për pesëdhjetë vjet pas Luftës së Dytë Botërore Europa ishte në gjendje të rimëkëmbej dhe begatohej nën mbrojtjen e Shteteve të Bashkuara kur u konfrontua me kërcënimin e komunizmit dhe doli fitimtar mbi të.
Njerëzit mund të harrojnë. Disa vende në Europë gjithashtu mund të harrojnë. Por ka vende të tjerë në Europë, të cilët janë vende më të vjetër, kanë kujtesë historike më të gjatë dhe tek të cilët kujtesa e tyre më e afërt është ajo e koalicionit të udhëhequr nga SHBA, i cili i dha fund tiranisë së Sllobodan Millosheviçit. Ne, shqiptarët, nuk harrojmë.
Kjo është arsyeja pse ne i mbështesim Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përpjekjet e tyre për të çliruar Irakun nga Sadam Huseini dhe armët e tij të shkatërrimit në masë. Ashtu sikurse amerikanët kontribuan në çlirimin e Francës, Gjermanisë dhe vendeve të tjerë të Europës gjatë Luftës së Dytë Botërore, po kështu Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni i vullnetit që I mbështet ato duhet të çlirojnë sot popullin irakian.
Ne të gjithë duhet të vizitojmë Normandinë. Ne duhet t'u bëjmë homazh atyre amerikanëve të guximshëm që stuhishëm zbarkuan në Plazhin Omaha dhe dhanë jetën e tyre për lirinë e të tjerëve. Gjëja më e admirueshme është se amerikanët janë gati përsëri të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe këtë herë, përsëri, ata nuk janë vetëm.
Fatos Nano
Prime Minister of Albania