Shkrimtarët dhe kufiri

Prej datës 11 deri më 13 maj, Prishtina do të jetë vendtakim i mbi tridhjetë shkrimtarëve nga Kosova, rajoni si dhe nga Gjermania. Këta shkrimtarë do të mblidhen në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë Polip, i cili sivjet mbahet për të dytën herë.
Ky festival, i themeluar në vitin 2010, vitin e kaluar nuk u mbajt për shkak të tensioneve politike që mbizotëruan gjatë verës së kaluar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Pikërisht nga ky vend fqinj do të jenë tetë shkrimtarë që do të marrin pjesë në Polip. Shkrimtarët nga Serbia dhe Kroacia do të jenë në qendër të festivalit të vetëm ndërkombëtar të letërsisë që mbahet në Kosovë.
“Në qendër të kësaj ngjarje sivjet janë autorët nga Serbia dhe Kroacia. Nga Serbia do të kemi 8 autor, kurse nga Kroacia 5. Natyrisht, janë të ftuar edhe 10 autor nga Kosova dhe të tjerë nga Maqedonia, Mali i Zi, Shqipëria, Bosnja e Gjermania. Në tërësi, janë mbi 30 autor që do të marrin pjesë në polip-in e sivjetshëm”, tha drejtori dhe themeluesi i këtij festivali, Jeton Neziraj.
Ai tregoi se fokusi tematik i këtij edicioni të Polip-it është 'koncepti i kufirit' në kontekstin aktual politik e social. Pra, si e perceptojnë dhe si e trajtojnë ‘kufirin’ në krijimtarinë e tyre autorët bashkëkohorë nga regjioni.
Ky edicion i Polip-it do të jetë më i pasur me aktivitete të ndryshme. Përpos leximeve, do të ketë edhe disa panele, lexime dramash dhe punëtori kreative.
“Pra, polip sivjet është rritur dhe natyrisht i janë shtuar edhe komponenta të rëndësishme përcjellëse. Ndër risitë kryesore të këtij edicioni janë punëtoritë ‘Graphic novel’ dhe ‘Parnassus project’. Madje, ‘Parnassus...’ është aktivitet ekskluziv, sepse krijimet poetike që rezultojnë nga ky workshop do të paraqiten në një ekspozitë të rëndësishme që organizohet në kuadër të Lojërave Olimpike në Angli sivjet”, shtoi Neziraj.
Sivjet, po ashtu do të ketë edhe disa panele atraktive, ndër të cilat: ‘Statuti i intelektualëve të pavarur në shoqëritë kosovare dhe serbe’, ‘Praktikat subversive letrare, në kontekstin e politikave rigjide’, ‘Trauma, e kaluara dhe melankolia në letërsinë aktuale të regjionit’ etj. Gjithashtu, do të organizohet edhe leximi skenik i dy dramave të Doruntina Bashës dhe Maria Karaklaic.
Me gjithë problemet dhe arrestimet që ndodhën kohëve të fundit, kryesisht në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë, ardhja e shkrimtarëve nga Serbia është konfirmuar. Neziraj tregoi se ata janë shkrimtarë të zëshëm kundër politikave nacionaliste të Serbisë.
“Në këtë kohë 'sabotazhesh' e ndërskamcash politike që vijnë nga Serbia, besoj që guximi i këtyre shkrimtarëve për të ardhë në Prishtinë duhet të mirëpritet. Këta natyrisht janë shkrimtarë të zëshëm kritik ndaj politikave nacionaliste serbe. Shumica prej tyre i takojnë grupës ‘BETON’, suplimentit të famshëm kulturor të së përditshmes ‘Danas’”, tha Neziraj. "BETON" në fakt sivjet është partneri zyrtar i festivalit, i cili financohet nga Swiss Cooperation Office-Kosovo, Goethe Institute dhe KFOS-i (Prishtinë). Po ashtu në mesin e financuesve është rrjeti letrar Traduki. Në mesin e financuesve nuk figuron asnjë institucion nga Kosova, edhe pse festivali mbahet në Kosovë dhe është i vetmi festival ndërkombëtar që i kushtohet letërsisë.
“Nuk kemi kërkuar mjete as nga MKRS dhe as nga Komuna e Prishtinës sepse kemi konstatuar që këto dy institucione nuk janë adresa për të kërkuar mbështetje financiare për këtë projekt. Ky konstatim ka ardhur nga përvoja e Polip-it të parë në 2010”, tha Neziraj. Në këtë mënyrë, Polip nuk është thjeshtë festival i letërsisë por një lidhje ndërmjet shkrimtarëve.