E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtarët kundër Turqisë

Tre shkrimtarë nga Kosova, të cilët po marrin pjesë në Kongresin Ndërkombëtar të Kritikës Letrare në Ishullin Lesbos të Greqisë, kanë nënshkruar një peticion kundër intervenimit të shtetit turk për ndryshimin dhe korrigjimin e teksteve të historisë. Peticionin e kanë nënshkruar edhe shkrimtarë të shteteve të tjera.

Shkrimtarët e Kosovës po u dalin në ndihmë historianëve. Ata kanë shprehur shqetësim lidhur me kërkesat e ministrave turq, kohë më parë, për korrigjimin apo rishikimin e teksteve të historisë të vendit tonë.

Tre shkrimtarë, në mesin e të cilëve edhe poeti i njohur Ali Podrimja, kanë nënshkruar një peticion kundër intervenimit të shtetit turk për, siç thuhet në një komunikatë për media, ndryshimin dhe korrigjimin e historisë shqiptare dhe fyerjen ndaj figurave historike shqiptare që kanë kontribuar për çlirimin e trojeve shqiptare nga perandoria pushtuese otomane.

Anëtarët e Unionit të Kritikëve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë Behare Rexhepi dhe Ali Podrimja, bashkë me kryetarin e këtij unioni Reshat Sahitaj, morën pjesë, ditë më parë, në Kongresin Ndërkombëtar të Kritikes Letrare në ishullin Lesbos të Greqisë.

Në këtë kongres u lexuan kumtesat mbi temën ‘Heroi në literaturë’.

“Gjatë punimeve të kongresit, kryetari i Unionit të Shkrimtarëve dhe Kritikëve Shqiptarë, Reshat Sahitaj, kërkoi nga shkrimtarët, studiuesit dhe kritikët e shteteve pjesëmarrëse që të nënshkruhet një peticion kundër intervenimit të shtetit turk për ndryshimin dhe korrigjimin e historisë shqiptare dhe fyerjen ndaj figurave historike shqiptarë që kanë kontribuar për çlirimin e trojeve shqiptare nga perandoria pushtuese otomane siç ishte Skënderbeu, mbrojtës i qytetërimit evropian etj.”, thuhet në një komunikate për media, të lëshuar nga kryetari i këtij unioni, Reshat Sahitaj.

Në peticion thuhet se qeveria e Turqisë po tenton ta influencoje qeverinë e Kosovës për rishikimin dhe ndërrimin e historisë sonë të lavdishme kombëtare dhe që për konsekuencë do të ketë që në shkollat tona do të mësohet në të ardhmen se perandoria otomane nuk ishte pushtuese por çliruese.

“Tani e tutje, të gjitha romanet, poezitë dhe këngët për luftëtarët kundër ushtrisë otomane do të ndalohen. Tani e tutje, fëmijët tanë në shkolla do të mësojnë që ushtarët turq nuk i dhunuan vashat më të bukura shqiptare. Tani e tutje fëmijët tanë do të mësojnë që heroi ynë kombëtar Skënderbeu ishte tradhtar. Unioni i Kritikëve dhe Shkrimtarëve Shqiptarë dhe Unioni Internacional i Kritikëve Letrarë ftojnë të gjithë intelektualët shqiptarë dhe botëror të mbrojnë kulturën dhe historinë e popullit shqiptar dhe të dënojnë politikën ekspansioniste dhe të bëjnë presion në qeverinë e Turqisë që të ndalojë të gjitha represionet direkte dhe indirekte ndaj qeverisë së Kosovës dhe të Shqipërisë për ndryshimin e historisë sonë, sepse të thuhet dhe shkruhet se Perandoria Otomane nuk ishte pushtuese por çliruese është krim kundër njerëzimit”, thuhet në peticionin e nënshkruar nga shkrimtarët.

Ky peticion u nënshkrua dhe u aprovua nga përfaqësuesit e shteteve të ndryshme si: Polonia, Franca, Ukraina, Greqia, Zvicra, Unioni i shteteve afrikane, Argjentina si dhe nga shteti i Izraelit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›