E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkrimtari Simon Sebag Montefiore merr titullin “Doctor Honoris Causa” i Universitetit të Tiranës

29-03-2011 / Gazeta 55

Historiani dhe shkrimtari britanik Simon Sebag Montefiore u nderua paraditen e djeshme nga Senati i Universitetit të Tiranës me titullin "Doctor Honoris Causa", që iu dorëzua nga rektori i UT-së, Dhori Kule. Në fjalën e tij, rektori i Universitetit të Tiranës shprehu nderimin e tij dhe vlerësimin e lartë që Senati i Universitetit të Tiranës kishte për përkushtimin dhe punën e njërit prej historianëve më në zë të shekullit XXI. Rektori Kule shprehu besimin se së shpejti, Montefiore, tashmë si pjesëtar i jashtëm i trupës akademike të Universitetit të Tiranës, do të gjente mundësinë që të jepte një cikël leksionesh për studentët e këtij universiteti, për të cilët, tashmë ishte edhe mundësia e leximit të një sërë veprave të tij në shqip, në sajë të përkthimit dhe botimit nga Shtëpia Botuese “55”. Historianit të njohur për lexuesit shqiptar me përkthimet në shqip të "Stalini", "Stalini i ri", "Në oborrin e Carit të kuq", "Jeruzalemi", etj iu dha ky titull me motivacionin e një historiani ambicioz, mahnitës që ka mundur të realizojë glorifikimin letrar dhe artistik të së shkuarës epike në trajtën e së gjallës. Në ceremoninë e zhvilluar në Rektoratin e UT-së, Montefiore u shpreh se tërheqja e këtij titulli dhe botimi i librave të tij në shqip është një nder për të. "Për dikë që e dashuron historinë e Evropës dhe që e ka studiuar atë, të vlerësohet nga Shqipëria, që për mua  ka qënë pjesë e historisë së Evropës, është një nder i madh", tha Montefiore. Autori bestseller, gjatë fjalës së tij, tha gjithashtu se ka lexuar për historinë e Shqipërise dhe se do të donte të njihte më shumë shkrimtarë shqiptarë, pas Kadaresë që, siç tha ai, është shumë i njohur në Angli. Në këtë ceremoni shkrimtari Simon Montefiore nënshkroi edhe pesë librat e promovua në Tiranë prej tij  "Stalini", "Në oborrin e Carit të kuq", "Jeruzalemi", "Stalini i ri", "Sashenka, Katerina e madhe dhe Potemkini", që do të shtohen në bibliotekën e UT-së. Shkrimtari britanik Simon Sebag Montefiore konsiderohet si ati i historisë moderne, ndërsa libri i tij “Jeruzalemi” kryeson listën e librave më të shitur. Historiani, novelisti dhe njëkohësisht drejtues televiziv, Montefiore ka lindur në vitin 1965 në Londër. Ai është nderuar me shumë çmime për romanet e librat e tij historikë, disa prej të cilëve janë realizuar edhe në kinematografi. Librat e Montefiores janë botuar në rreth 33 gjuhë.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›