E Diel, 1 Nëntor 2026

Montefiore, historiani që po trondit lexuesit me studimet për stalinizmin dhe Jeruzalemin

29-03-2011 / Flori Slatina

Shtëpia Botuese “55” promovon 5 veprat e para të historianit që ia ka kushtuar dhjetë vjet të punës studimore origjinës së stalinizmit, diktaturës që tronditi shekullin XX


Në mjediset e Hotel “Sheraton”, dje pasdite, me praninë e personaliteteve të shumta të politikës, botës akademike, diplomacisë dhe kulturës, u mbajt promovimi i 5 librave të parë të korpusit të veprave të historianit Simon Sebag Montefiore, botime të Shtëpisë Botuese “55”. Në ceremoni ishte i pranishëm edhe kryeministri Sali Berisha si dhe ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona Mcllëham. Botuesi Fahri Balliu, në fjalën e tij rrëfeu historinë personale të njohjes me veprën e Montefiores si dhe të marrjes së vendimit për të botuar të gjithë kontributin intelektual që ky historian po jepte për zbardhjen e historisë së shekullit XX, veçanërisht stalinizmit dhe pasojave që po trashëgoheshin prej kësaj historie edhe në shekullin XXI. Publicisti Balliu e ka cilësuar veprën si frymëzuese edhe për aktivitetin e intelektualëve të angazhuar në Tiranë, të cilët duhet të mësojnë që angazhimin e tyre të mos ia nënshtrojnë modës apo konspiracioneve, por të punojnë që sa më shpejt shoqëria shqiptare të arrijë standardet për riintegrimin në Bashkimin Evropian, shoqërinë perëndimore së cilës ajo i përkiste që në zanafillë të moteve. Edhe kryeministri Sali Berisha, në fjalën e tij, duke u shfaqur si një lexues i vjetër i kontributit intelektual të historianit Montefiore, theksoi rëndësinë që paraqiste për lexuesin shqiptar sjellja me cilësi të lartë dhe me shpejtësi e librave më të fundit të historianit. “Një prej penave më të shquara të kësaj kohe që ka shkruar për historinë, theksoi kryeministri Berisha, Montefiore qëndron sot në krye të botimeve për historinë, por dhe letrave. Në një hark kohor të shkurtër, librat e tij, botimet e tij janë shpallur botimet e shekullit. Vepra e Montefiore ndriçon me vërtetësi të madhe të gjitha aspektet e njeriut, që ndërtoi sistemin që u provua si eksperimenti më tragjik në historinë e njerëzimit. Një eksperiment që i kushtoi, ndoshta qindra milionë jetë”, tha kryeministri Berisha. Duke iu drejtuar shkrimtarit anglez, Berisha theksoi se, “Shqipëria është një vend i vogël, shqiptarët janë një vend i vogël, por ju garantoj se veprat tuaja nuk vlerësohen më shumë sesa tek shqiptarët, të cilët kishin për 45 vjet Stalinin e klonuar tek Enver Hoxha. Ai ishte diktatori që imitoi në mënyrën më autentike, egërsinë dhe barbarinë e Stalinit ndaj popullit të tij, madje e tejkaloi atë në ndonjë qëndrim të tij. Të dy këta ishin ateistë, por ateizmi total shtetëror u vendos vetëm në Shqipëri. Dhunimi që i bëri ndjenjës fetare, ishte dhunimi me ekstrem i Staklinit shqiptar, ndaj shqiptarëve". I emocionuar, historiani anglez, duke shprehur mirënjohjen, theksoi se ndihet i lumtur që ka mbërritur në Tiranë dhe vlerësoi vitalitetin e shqiptarëve, si një shoqëri që kishte frymëzuar botën në vitin 1990 me lëvizjen paqësore për çlirimin nga diktatura enveriste. Ai shprehu kënaqësinë që kishte rastin të takonte liderin e kësaj lëvizjeje, i cili po jep kontribut për një shoqëri që është bashkëthemeluese dhe në djepin e qytetërimit perëndimor. Montefiore vlerësoi edhe punën e botuesit Balliu, të cilën e vlerësoi si heroike, për shkak të cilësisë së lartë të botimeve, megjithë kohën shumë të shkurtër në të cilën ato ishin përgatitur dhe sjellë për lexuesin. Në ceremoninë me pjesëmarrje mbresëlënëse, shkrimtari Montefiore firmosi qindra autografe, ndërkohë që edhe u fotografua me lexuesit e tij, duke premtuar se vizita e tij e parë në Tiranë nuk do të ishte e fundit.


Berisha: Askund më shumë se në Shqipëri s’vlerësohen librat e Montefiores


Është një privilegj, një nder dhe kënaqësi të përshëndes këtu njërin prej penave të historisë më të shquara të kësaj kohe. Z. Simon Sebag Montefiore qëndron sot në krye të botimeve për historinë por edhe të letrave. Në një hark kohor të shkurtër, librat e tij, botimet e tij janë shpallur botime të shekullit. I një rëndësie të jashtëzakonshme është inkursioni që autori bën në librin “Stalini, në oborrin e carit të kuq”, në sistemin e Carit të kuq, analizën e gjithanshme që i bën njërës prej figurave më gjakësore të të gjitha kohërave, kriminelit më të madh të shekullit që shkoi, njeriut që ndërtoi një sistem të vërtetë skllavërie, sistem në të cilin u shtetëzua çdo gjë, por mbi të gjitha qenia njerëzore. Për fatin e keq, për rrethanat historike, por jo pak kohë, ky xhelat që mori jetë dy herë më shumë të popullit të tij sesa Hitleri, do të mbahej si idhull, do të hyjnizohej nga qindra e qindra milionë njerëz të mashtruar. Fatkeqësisht jo vetëm në anën e errët të perdes së hekurt, por edhe në anën e lirë të saj. Vepra e z. Montefiore ndriçon me vërtetësi të madhe të gjitha asketet e njeriut që ndërtoi sistemin që u provua si eksperimenti më tragjik në historinë e njerëzimit. Një eksperiment që kushtoi ndofta qindra milionë jetë. Një eksperiment ashtu siç thotë Bernard Harry Levis, u servir si një barbari me fytyrë njerëzore. E vërteta është se ky sistem është hedhur poshtë sot me vendosmëri nga kombet në Evropë. 20 vjet më parë regjimet e këtij sistemi ranë njëra pas tjetrës. U shembën nga një seri faktorësh, por përmasat e barbarisë së këtij sistemi janë qartësisht të pavlerësuara sa duhet. Një përpjekje të madhe po bëjnë SHBA me muzeun e viktimave të komunizmit, kurse në Evropë është vendosur pothuajse jo censura, por një lloj harrese e kërkuar dhe kjo është për të ardhur keq. Madje shpesh të krijohet përshtypja se ai pluhur toksik i ideologjisë dhe propagandës është shpërndarë më i holluar por qarkon në kontinentin tonë. Z. Montefiore, Shqipëria është një vend i vogël, shqiptarët janë një komb i vogël, por u garantoj ju se në ndjen e në thellësi askurrkund veprat tuaja nuk vlerësohen më shumë sesa tek shqiptarët, të cilët kishin për 45 vjet Stalinin e klonuar. Tek Enver Hoxha, diktator që imitoi në mënyrën më autentike egërsinë dhe barbarinë e Stalinit ndaj popullit të tij, Hoxha ka një specifikë tjetër. Pasi historianët, shkrimtarët, publicistët dhe partitë e majta evropiane  filluan ta denoncojnë atë, Hoxha botoi një libër “Miku im i mirë Stalin” (Me Stalinin), të cilin nuk dinte se e kishte takuar ndonjëherë, përveçse në tribunat e Sheshit të kuq gjatë parakalimeve, Hoxha e dinte se ky libër e ky titull do të përçmohej kudo në botë, por ai nuk e kishte për Botën, por e kishte për ne këtë poshtërim. Hoxha tejkaloi Stalinin në ndonjë aspekt, të qëndrimeve të tij. Të dy këta ishin ateistë, por ateizmi total, shtetëror u vendos vetëm në Shqipëri. Dhunimi që i bëri lirive fetare ishte dhunimi më ekstrem i Stalinit shqiptar, ndaj qytetarëve të këtij vendi. Këtu sot paraqitet një seri kryeveprash të tjera, njëra prej të cilave”Jeruzalemi”, themelues i të cilit është familja e autorit të librit. Në udhëtime vizitori shijon e viziton shumë gjëra në botë, të njohura e të panjohura, por nuk mund të vizitojë asgjë më mbresëlënëse se Jeruzalemi me trashëgiminë e tij, me historinë e tij, me ndarjet e tij në tërësi. Jam i bindur se sa më shumë të shkruhet e të kuptohet ky qytet, aq më shumë do mund të zgjerohet mirëkuptimi, dhe përpjekja për të dalë mbi ndarjet dhe ndasitë e shumta të kohëve të sotme. Edhe një herë Ju falenderoj shumë për praninë tuaj sot këtu. Dua të falënderoj z. Balliu për pasionin e madh që ka dëshmuar për të botuar sa më shpjet e mirë veprat tuaja, për të pasuruar në këtë mënyrë realisht cilësore, bibliotekat e lexuesve të panumërt shqiptarë. Përshëndetja e kryeministrit, në promovimin e 5 librave të historianit Simon Sebag Montefiore


Montefiore: I nderuar që takohem me Berishën, një personalitet që e adhurojmë për betejat që ai udhëheq nga 1989-a


I nderuar z. Kryeministër, të nderuar shkëlqesi ambasadorë, e nderuar zonja ambasadore, i nderuar publicisti dhe miku im z. Balliu, të nderuar të pranishëm, ju falënderoj shumë ngrohtësisht për pritjen  këtu dhe në mënyrë të veçantë zotin kryeministër për fjalët aq të ngrohta që thatë këtu. I nderuar z. Kryeministër, ju folët me shumë elokuencë këtu, për liritë sot në botë, por unë do të dëshiroja t’i kthehesha periudhës 20 vjet më parë, në 89-n, në 90-n, në 91, 92-shin, kur ju ishit në krye të gjithë lëvizjeve demokratike. Ne në atë kohë ju ndiqnim ju, ju simpatizonim ju, ju përkrahnim ju, prandaj edhe sot, 20 vjet më vonë, unë jam vërtet shumë i lumtur, dhe krenar që ndodhem këtu krahas jush. I nderuar z. Balliu - besoj se të gjithë janë dakord - që ju jeni një nga perlat e botimeve të historisë shqiptare. Unë e di që ju jeni një kampion, një mbrojtës i së vërtetës, por do të thoja këtu që botimi nga ana juaj i pesë librave të mi është vërtet një punë heroike. Nuk dëshiroj të ndalem më shumë në anën e veprave të mia, pasi më mirë sesa do ta shprehja unë, për të u shprehën kryeministri Berisha dhe z. Balliu, por do të dëshiroja të theksoja këtu se ne, në Perëndim, jemi të ndërgjegjshëm dhe e vlerësojmë Shqipërinë si një vend që është pjesë e Evropës, e Perëndimit, që është djepi i kulturës. Unë shpresoj dhe besoj se librat e mi - që janë të përshtatshëm edhe për shkollarët - të jenë sa më të lexueshëm e më të përshtatshëm për ta. Unë kam synuar që prej tyre të nxjerrin sa më shumë mësime dhe duke shkruar e nxjerrë krimet e së kaluarës, besoj se do të rritet më shumë vigjilenca, syçeltësia që gjëra të tilla të mos ndodhin më, siç ndodhën në të kaluarën. Dhe sidomos, e kam për ju shqiptarët, sepse juve u është dashur të ndesheni e të përballeni me diktaturën më të egër të hoxhizmit për mëse një gjysmë shekulli. Më lejoni që ta përfundoj duke shprehur kënaqësinë time të madhe që jam këtu sepse ka qenë një nder i madh, një dëshirë e madhe të isha këtu. Ka qenë një dëshirë e madhe e imja që të jem pranë z. Berisha dhe ja ku jam këtu, ka qenë një dëshirë e madhe të isha në Tiranë dhe ja ku jam këtu mes jush. Jam shumë i lumtur që jam këtu!

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›