E Diel, 1 Nëntor 2026

Intervista/Rathfelder: Kosova kanoset nga krijimi i një republike serbe në veri

10-05-2013 / Gazeta 55

“Serbia do të provojë të bëjë shumë manovra për të penguar zbatimin e marrëveshjes së arritur në Bruksel - do të ketë hezitime, përpjekje për bllokimin e planit për zbatim, do kërkohen bisedime të reja, ku gjithashtu do të shtrohen kërkesa të reja dhe kërkesa të tjera për koncesione të reja”. Kështu tha në një intervistë për Radio Kosovën publicisti, gazetari dhe eksperti më i njohur gjerman për çështjen e Ballkanit, Erich Rathfelder

Radio Kosova: Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje që shpie në drejtim të përmirësimit të marrëdhënieve mes tyre dhe zgjidhjes së problemit të veriut. Disa tashmë kanë shkuar deri atje sa ta cilësojnë marrëveshjen edhe si nj hap epokal. Ju si e vlerësoni?
Erich Rathfelder: Për Serbinë, kjo marrëveshje, do të thotë megjithatë, një hap i madh, i cili thënë të drejtën do të çojë në ashpërsimin e kundërshtive të brendshme. Vetë procesi nuk është përmbyllur në asnjë mënyrë dhe nuk besoj se do të ndodhë kaq shpejt, sepse për Serbinë çështja e Kosovës është një çështje identiteti dhe siç e dimë nga përvoja, kjo i ka kushtuar shumë këtij vendi. Personalisht, mendoj se ky hap i bërë tani, nuk do të çojë në rezultate konkrete dhe shumë të shpejta. Sidoqoftë, i tërë ky proces duhet parë në dritën e procesit të tërësishëm të integrimeve evropiane, gjë që synohet nga Qeveria e Serbisë. Tani kur dëgjojmë se zoti Nikoliq, një nacionalist i ashpër që ka nxitur luftën në fund të viteve 80-ta dhe gjatë viteve të 90-ta , më vonë edhe luftën e Kosovës, tek flet për arritjen e paqes me Kosovën, atëherë, mund të thuhet se nënshkrimi i marrëveshjes është një hap përpara, sepse kjo nuk është pritur prej tyre.

Kush ka përfituar më shumë nga kjo marrëveshje?
Së pari të gjithë kanë përfituar, sepse ka një proces që ka filluar dhe që do të vazhdojë. Ka fituar gjithashtu Bashkimi Evropian, posaçërisht zonjë Ashton, e cila dëshironte me çdo kusht disa rezultate konkrete si një lloj kompensimi në planin personal, pasi rezultatet në punën e saj nuk janë aq grandioze. Sa i përket Kosovës, ende nuk është përjashtuar rrezikun që kanoset nga krijimi i një “Republike serbe” në Veri të Kosovës, sipas modeli të Bosnjës. Nëse dikush mund të më sigurojë mua se nuk do të krijohet një republikë e tillë në veri, vërtet do të isha shumë i lumtur dhe i gëzuar. Personalisht nuk shoh te jetë tejkaluar ky rrezik duke u nisur nga konstolacioni ekzistues, pasi në këto raporte ekzistuese, është shumë vështirë të ketë zbatim të suksesshëm të marrëveshjes në formën ashtu siç është arritur ajo. Pala serbe edhe më tej po refuzon të njoh sovranitetin e shteti të Kosovës, veçanërisht kjo bëhet nga serbët e veriut, të cilët siç e dini, po flasin për një referendum. Dhe këto janë ato arsyet pse unë thash se ky është një proces i gjatë që do të marrë kohë. Në anën tjetër, Kosova ka fituar në planin e të drejtës ndërkombëtare pasi Beogradi me marrëveshje ka njohur kufirin verior të Kosovës edhe pse serbet vetë nuk po e njohin. Kjo prandaj është një hap përpara në procesin e njohjes së Kosovës nga Serbia.

Apo bën lojëra politike Serbia me këtë proces?
E thashë më parë, pra serbët e veriut, apo kushdo qoftë, që qëndron prapa tyre dhe që ka pushtetin mbi ta, nuk do të dorëzohen aq lehtë dhe kjo do të thotë se zbatimi në tërësi i këtij planti do të zgjasë shumë, do të marrë shumë kohë. Ndërkohë, do të ketë shumë manovra për të penguar zbatimin e këtij plani - do të ketë hezitime, përpjekje për bllokime, do kërkohen bisedime të reja, ku gjithashtu do të shtrohen kërkesa të reja dhe kërkesa të tjera për koncesione të reja. Por, tani në të vërtetë nuk dimë plotësisht si do të rrjedhin zhvillimet, pasi shumë gjëra varen nga Beogradi.

Zoti Rathfelder, kryeministri Daqiç thuajse në çdo intervistë për mediat e huaja, si zgjidhje të suksesshme dhe të përhershme të problemit, po përmend këmbimin e territoreve. A është kjo zgjidhja?
Jo, kjo nuk është zgjidhje. Ndryshimi i kufijve në Evropë më nuk është i mundur sepse kjo është histori e mbyllur, në të kundërtën kjo do të ishte hapje e kutisë së Pandorës sepse kërkesa të tilla do të bëheshin pastaj edhe në shume vende tjera. Ajo qa unë do të kisha këshilluar Qeverinë e Kosovës por edhe shqiptarët e Kosovës, është që të insistojnë gjithsesi në parimin e reciprocitetit, që të drejtat që tani gëzon minoriteti serb në Kosovë, të njëjtat të vlejnë edhe për shqiptarët në jug të Serbisë në Luginën e Preshevës. Kjo çështje, do të thotë, se duhet të bisedohen edhe me Brukselin. Nuk mund të vlejë kjo vetëm si rrugë njëdrejtimëshe. Shqiptarët në Preshevë kanë të drejtë të kenë statusin e njëjtë të minoritet, ashtu siç e kanë serbët në Kosovë.

Dy fjalë për qëndrimin e Gjermanisë: ka pasur një trysni të fortë nga na e Berlinit dhe personalisht nga kancelaria gjermane Merkel? Ku e vendosni rolin e Berlinit zyrtar në këto zhvillime?
Siç e dimë ka pasur nj trysni të madhe nga Qeveria e kancelares Merkel ndaj Beogradit. Sa i përket Kosovës, kancelaria federale, qysh në vitin 2012, gjatë vizitës në Beograd, e ka bërë të qartë qëndrimin e fuqishëm gjerman, duke i bërë të qartë qeverisë serbe se Kosova është kusht për integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian. Këto kushte përfshijnë edhe rregullimin e çështjes së veriut. Ajo që unë tani do te ju them është se kompromisi i arritur së fundi në Bruksel, përmes marrëveshjes, ka disa pika të futura aty që nuk i përgjigjen dhe nuk janë plotësisht në harmoni me dëshirat dhe kërkesave e Gjermanisë. Brukseli më duhet të them se ka zbutur në vazhdimësi qëndrimin e vet duke lëshuar pe para kërkesave serbe që bie ndesh me qëndrimin e Gjermanisë. Siç e dimë kancelaria gjermane Merkel e ka thënë qartë se nuk guxon të ketë struktura paralele në veri. Vetëm nëse këto struktura paralele tani do të shpërbëhen përmes kësaj marrëveshje, atëherë kjo do të quhej sukses, mirëpo siç po shohim, marrëveshja lë shumë rrugë për interpretime të ndryshme dhe që në start janë shfaqur problem sa i përket zbatimit të saj. Nga ajo sa shihet Brukseli po kërkon kompromise të reja. Siç e dimë Plani i Ahtisarit ka qenë një kompromis. Serbët kanë mundur ta pranojnë, nuk e bënë këtë. Tani kjo marrëveshje prej 15 pikash në fakt është kompromis i kompromisit, apo thënë ndryshe kompromis mbi(në) kompromis dhe kështu do të vazhdojë kompromis pas kompromisi. Sa i përket kompromisit nga ana e Serbisë, kjo është rezultat pikërisht i qëndrimit të prerë të kancelares Merkel për Kosovën. Mua më vjen keq vetëm që kancelaria gjermane nuk po merr një qëndrim të prerë edhe për Bosnjën, ashtu siç ka vepruar në rastin e Kosovës.

Tani kemi një marrëveshje – pese vende të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën. A ndihmon kjo për ndryshimin e qëndrimit të tyre?
Në politikë gjithmonë luan rol ruajtja dhe shpëtimi i fytyrës, prandaj kaq shpejt këto vende nuk do të ndryshojnë qëndrimin, që të mos mendoj dikush se ky qëndrim paska qenë sot për nesër, por sigurisht se ato do të marrin qëndrime pragmatike, që do të thotë se këto vende, ose së paku disa prej tyre, do të heqin dorë nga qëndrimi i deritashëm, nga ky pozicion, aq më tepër tani kur vetë Beogradi ka shënuar disa rezultate përpara në marrëdhëniet me Kosovën. Mirëpo, nuk mund të barazohet pozicioni i të gjitha këtyre pesë vendeve të BE-së, pasi brenda tyre ka arsye të ndryshme, si në rastin e Spanjës, që ka probleme me Baskinë dhe Kataloninë, po ashtu Galinë, e më herë probleme të njëjta ka pasur edhe ma Andaluzinë. Kjo më mirë mund të shihet nëse njeriu kthehet në historinë e viteve tridhjetë të Spanjës, pra Spanja lufton kundër tendencave secesioniste. Kuptimin e kësaj fjale ju e dini më mirë, sepse në kohën e Millosheviqit ju shqiptarëve ju quajtën po me këtë emër. Në Sllovaki kanë frikë po ashtu nga minoriteti hungarez. Atë që nuk e kuptoj është Greqia, në fakt unë e kuptoj arsyen: kjo është një arsye e pastër politike, pra një pozicion i pastër politik pro Serbisë, sepse Greqia nuk ka interesa tjerash përveç atyre ideologjike me Serbinë. Tani, Greqia nuk është mirë ekonomikisht, është e varur nga BE dhe këto janë hapësirat manovruese për Brukselin, që t’i bëjë të qartë Greqisë, të ndryshojë qëndrimin e saj ndaj Kosovës. Se a do të ndodh kjo nuk e di, por e di që prapa perdeve diplomacia është duke vepruar dhe mbete të shpresojmë. E njëjta vlen edhe për Qipron.

Si duket perspektiva e nënshkrimit të MSA me Kosovën?
Mendoj se hapi parë është marrja e MSA-së, nënshkrimi i saj. Kjo është një hap përpara edhe drejt integrimeve në NATO dhe për NATO-n. Shpresoj se është në interesin e të dyja palëve që të përshpejtojnë këtë proces për të vendosur integrimin në binarë te duhur. Ajo çka unë do të shtroja si çështje është ajo e liberalizimit të vizave dhe do kisha pyetur ministrat e brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, pse kjo punë është kështu si është? Pa lëvizje të lirë të njerëzve, pa heqjen e vizave, Kosova nuk mund të dalë nga izolimi ku e ka futur BE-ja. Kjo është një trysni shumë e madhe për popullatën e Kosovës dhe për këtë çështje edhe vetë kam shkruar dhe tematizuar disa herë. Është plotësisht e pakuptueshme të ketë viza për banorët e një vendi ku ndodhet e stacionuar prania ma e madhe ushtarake e NATO-s?!! Po ashtu ku ka një prani të më shumë se 2000 pjesëtarëve të Euleksit dhe përfaqësues të institucioneve tjera evropiane ndërkombëtare. Pra, kjo është plotësisht e pakuptueshme që ky vend të jetë i vetmi vend në Evropë i izoluar dhe pa liberalizim vizash!!!! Këtu duhet të ndërmerren hapa nga BE-ja, por edhe nga vetë pala kosovare, të punohet më shumë që të plotësohen ato pika që kërkohen për heqjen e vizave. Në këtë pikë faji bie edhe mbi zyrtarët e Kosovës që duhet të ndërmarrin sa më shpejt dhe në mënyrë konsekuente masat që kërkon Bashkimi Evropian si kusht për heqjen e vizave.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›