E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shuplaka e munguar mbi fytyren e kukuveshit

10-05-2013 / Nga Adrian Roshniku

Gjatë emisionit Opinion në Tv Klan, u pa një kryetar me emrin Edvin Rama me pretendime të larta, veçse shumë larg mundësive të tij, teksa pas çdo pyetjeje të gazetarit Fevziu kthente i hutuar gotën me ujë. Fytyra e tij herë pas here merrte pamje të dhimbshme, ashtu siç ndodh me një boksier të mundur pa shpresë shpëtimi brenda litarëve të ringut. Në atë përballje me publikun e gjerë e me gazetarin e aftë, kapadaiu i vartësve kokëulur, nga një anë merrte pamjen e Tajsonit në gjendje nokdauni nga grushtet e fuqishme të Holifildit, i skualifikuar për gjestin e ulët, kafshimin e veshit të kundërshtarit, nga ana tjetër dukej sikur ndiente përplasjen e shuplakës së munguar në Vienë, prej një djaloshi fisnik, me nivel më të lartë kulturor, nga derë e njohur patriotësh. Nëse goditja me shuplakë do të ndodhte vërtetë, ndryshe nga grushti, do të kujtohej nga dëshmitarët si rrahja e një burracaku. Nuk do të mjaftohej me sjelljen e turpshme në sy të botës, por me t’u kthyer në Tiranë Edvin Rama do të endej rrugëve me bufonata, duke ftuar gratë e plakura t’i shkulnin veshin e tij të palarë. Pastaj me ndihmën e laborantëve të tipit Tahiri do të merrej me filma vizatimorë, ku personazhi kryesor ishte vet ai, me emrin Kukuvesh. Veçse ndaj pyetjeve e përballë publikut kishte humbur burrërinë e kryetarit e ndihej ngushtë me heshtjet e përgjigjet dredharake, aq sa thirrmën përbuzëse ”provokator”, të mësuar prej daj Kolekës, nuk guxoi ta përdorte. Me shakatë pa kripë, buzëqeshjen e hidhur e përpjekjen e dështuar për t’u miqësuar me gazetarin dukej sikur lutej: mëshirë!
Nga dokumentarët e shfaqur gjatë emisionit Opinion, ku Edvin Rama bërtiste me sharje të rënda rrugësh, shumëkujt iu kujtuan djemtë e bllokut me maniera snobësh kritizerë me kafe, skoç, batuta e barcaleta të marra nga romanet mediokre gjasme moderniste. Ata djem të velur nga mirëqenia në vilat verore apo dimërore në Valarekë, Dajt, Durrës e Vlorë, na kujtojnë orgjitë me dreka nën tendat e gjata pas bredhjeve në pyllin e Llogarasë, argëtimet në dasmat e pasura e festat e Viti të Ri, me veshje e muzike moderne, me qenë e mace me ngjyra të larmishme, brenda bunkerëve e postoblloqeve. Qysh në vitet e para pas mbarimit të luftës këtyre djemve për pak kohe u qëlloi të shkonin në shkollë me bijtë e atyre, të cilët ishin shënuar në lista për t’u dëbuar nga Tirana, luanin në oborr e uleshin me ta në një bankë. Një jave me vonë me porosi të përgjegjësit të rinisë rrinin përballë njeri-tjetrit si armiq. Pas një muaji disa prej nxënësve mungonin sepse ishin dëbuar tok me familjet nga Tirana. Në vilat e tyre u dukën shokët e bankës, sepse pronarët ishin pushkatuar, ose vuanin burgjeve dhe në kampe pune. Kur u rritën  hynin si në shtëpinë e tyre në Hotel Dajti e Tirana, në kafenetë e vogla e të ngrohta, apo me gota birre në Pallatit të Kulturës. Atje, si burra shteti flisnin kokë më kokë, për politikë të madhe e zënka sekrete klanore plenumesh, të dëgjuara nga prindët në shtëpi. Hera herë shkëmbenin mendime për tituj librash nga autorë të huaj, shumica të palexuar. Këtyre tipave ishte e pamundur t’u afroheshe, pa le të miqësoheshe me ta, apo të shprehje mendime për çështje arti e të kulturës, sepse në çast ta prisnin fjalën me fyerje e ngërdheshje. Këta tipa ishin një brez i veçantë me prindër në rangje të larta partiake e qeveritare, apo bijë ushtarakësh të politizuar, me kërkesa e teke nga më të ndryshmet. Ishte një brez i ri i cili vështronte drejt perëndimit, por regjimin e ëndërronin po me atë parti. Ishin ata që fati i tyre vendosej në darka shefash apo me telefonata. Ata që pa pasur asnjë dhunti regjistroheshin, pa hasur asnjë vështirësi në shkolla arti, në shkollën e gjuhëve të huaja ose për diplomaci e së fundi në punë pëllumbash në kryeqytet e ambasada. Ata të cilët caktoheshin pa pengesa në delegacione të shoqëruar nga roja besnike dhe sa herë u tekej merrnin avionin për të vizituar qytete, si Moska, Leningradi, më vonë Parisin, Vjenën e Londrën.. 
Kështu ndodhte edhe me jetën e tipave si Edvin Rama me shokë, e cila është paraqitur në publik e zbukuruar me lajle e lule, me penën e kuqe të historianëve si Xh. Gjeçovi, i cili shkruan si ne vitin 1980, histori të pavërteta komunistësh. Sipas historisë së mirëfilltë, gjatë kohës, kur daj Koleka ishte anëtar i Byrosë Politike dhe i ati Kristaq Rama anëtar i KQ të PPSH, deputet e anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, me nënshkrime dënimesh me vdekje, Edvini, sado pa talent regjistrohet në Liceun Artistik, më pas në Institutin e Lartë të Arteve dhe mbahet aty menjëherë si pedagog. Megjithëse i paaftë si basketbollist, pranohej pa kundërshtim nga çdo klub, i vlefshëm vetëm për në stol. Pas shembjes së diktaturës komuniste e sistemit socialist, ngatërrohet nëpër këmbët e demokratëve të dhjetorit, me ulërima të çartura, për të parën e të fundit herë në një tribunë,  para stadiumit “Qemal Stafa”. Aty nga viti 1995, pas zënkash e fyerjesh në shtyp, merr vrapin drejt Parisit me ndihmën e një shoqate të dyshimtë. Më 1998 kthehet  në Tiranë, i mirëpritur nga themeluesi i PS Fatos Nano, i cili i dha miqësisht postin e ministrit të kulturës, këtij njeriu të antikulturës dhe e përkrahu fuqishëm të zgjidhej kryetari i Bashkisë së Tiranës, i njohur tashmë si prishës kioskash e shtëpish klasike, për betonizimin e shfarosjen e gjelbërimit të saj, me perfitime të majme. Me sjelljen prej bukëshkali me anë manovrash dinake e me mbështetjen e disa syleshëve, duke shkelur mbi miqësinë, uzurpoi vendin e kryetarit të PS, mandej tërhoqi socialistët jashtë Kuvendit, nëpër rrugë e bulevarde drejt greminës, nga një humbje në tjetrën. Më 2007 bashkëpunon me Ilir Metën e LSI për pushtetin vendor dhe humbet shumicën në gjithë territorin e vendit. Në vitin 2009 në krye të PS, humbet përsëri përballë PD në votimet për pushtetin qendror. Pas largimit të Ilir Metës me LSI e bashkimin me PD, Edvin Rama zbrazi kundër tij fjalorin e tij të shthurur, me një gjuhë mejhanesh në protesta rrugësh e greva urie mashtruese deri sa më 21 janar 2011, me anën e kurtheve e rebelimeve u orvat të rrëzonte Qeverinë e ligjshme Demokratike me grushtin e dështuar të shtetit. Pas tërë këtyre prapësive në maj të vitit 2011, u përpoq deri në orën e fundit me një krah të tij të armatosur të merrte mandatin e katërt të kryetarit të Bashkisë së Tiranës, por u ndëshkua nga vota e lirë e qytetarëve tiranas e humbi përballë Lulzim Bashës. Pas ribashkimit me Ilir Metën e LSI, ligjëratat e zhurmshme të Ramës janë mekur, kurse me katër partitë komuniste dhe me ndihmën e enveristit të tërbuar, me emrin Rexhep Qose, ka dalë hapur në shesh të burrave për rilindjen e komunizmit në Shqipëri. Ndaj librat mishmash e mashtrues “Refleksione” e“Kurban” t’i flakë në koshin e plehrave. Maskat u hoqën. Programet e 40 partive të majta janë bërë lesh e li. Në atë aleancë tullumbace s’e merr vesh i pari të dytin, siç thotë një fjalë e urtë, qeni po ha të zonë. Ndaj Edvin Rama ashtu si përherë duke mos pasur asnjë program, flet në tym me fjalë të përgjthëshme, zihet e grihet e fyen ata që pyesin, bëjnë vërejtje e largohen prej tij, pastaj ngre zërin në kupë të qiellit, se “fajin e ka Saliu!” Veçse para fakteve dridhej e përdridhej si ngjala, qeshte e zemërohej, heshte e pinte ujë, duke u përpjekur të shpëtonte nga laku i gazetarit, me shprehjen e njohur tashmë të konsumuar të kuadrove të vjetra,“të harrojmë të kaluarën.”
Të gjithë, nga Kukësi në Dibër, nga Shkodra në Lezhë e Krujë, nga Tirana në Durrës, nga Fieri në Vlorë, nga Lushnja në Berat, nga Elbasani në Pogradec,, nga Korça në Gjirokastër etj. në këto ditë maji, e kanë të qartë se me cilin kanë të bëjnë. Ku kërkon të dalë Edvin Rama me “Rilindjen” e tij të kuqe e Partinë e rikthyer praktikisht në identitet? Të harrosh të kaluarën do të thotë të vrasësh përsëri të rënët për liri e demokraci. Shumica e qytetarëve tanë në qytet e fshat duke kujtuar vitet e vështira nën diktaturën komuniste dhe arritjet e viteve të fundit në demokraci, më 23 Qershor me votën e tyre për Aleancën e Djathtë, do të vendosin për të ardhmen e Shqipërisë, integrimin e saj në Europë.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›