E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrirja e gurëve në veshka, fluks kërkesash për trajtimin në publik

26/04/2011   Pacientët në pritje të radhës për marrjen e shërbimit

Aparatura e thërrmimit të gurëve largon pacientët nga ndërhyrjet kirurgjikale dhe çmimet e kripura të privatit

Shërbimi i urologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” gjatë javëve të fundit është përballur me një fluks të lartë kërkesash për shkrirjen e gurëve në veshka. Me vendosjen e aparaturës, pas një mungese pothuajse 7-vjeçare, pacientët tashmë janë dyndur drejt publikut për thërrmimin e gurëve, duke shmangur kështu trajtimin e komplikacioneve nëpërmjet realizimit të ndërhyrjeve kirurgjikale, sikundër ka ndodhur për vite të tëra me radhë. Ofrimi i këtij shërbimi tani edhe në spitalin publik ka bërë që lista e pritjes për kryerjen e seancave për shkrirjen e gurëve në veshka të zgjerohet nga dita në ditë. Mjekët e shërbimit pohojnë se gjatë javëve të fundit fluksi i kërkesave ka qenë shumë i lart, kjo për shkak se të gjithë janë dyndur drejt spitalit publik, pasi kostoja e këtij shërbimi krahasuar me atë në privat është katër apo pesëfish më e ulët. Për vite të tëra pacientët janë detyruar që për shkrirjen e gurëve në veshka t’u drejtohen klinikave private, ku shërbimi ofrohet kundrejt një pagese shumë të lartë, mbi 70 mijë lekë. Ndërsa kategoritë që nuk kanë mundur të përballojnë këtë kosto të lartë janë detyruar që për të shpëtuar nga komplikacionet të futen në sallat e operacioneve pranë shërbimit të urologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. Por në pjesën dërrmuese të rasteve ndërhyrjet janë shoqëruar edhe me shtim të komplikacioneve për shkak të marrjes së infeksioneve të ndryshme, situatë e cila jo vetëm ka shtuar kohën e qëndrimit në spital, por ka mbarur edhe një kosto më të lartë trajtimit. Megjithatë, kjo ishte e vetmja mundësi që mund të ofronte shërbimi publik në këtë qendër spitalore. Që nga muaji mars, kohë në të cilën është vënë në punë edhe aparatura, dhjetëra pacientë kanë marrë shërbimin, ndërkohë që lista pritjes zgjerohet nga dita në ditë, kjo edhe si shkak i rasteve të urgjencës, të cilat kalojnë menjëherë, pasi shëndeti i pacientit është rënduar së tepërmi. Kostoja e këtij shërbimi në publik llogaritet të jetë 1800 lekë të vjetra për pacientët që janë pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore dhe 18 mijë lekë të reja për ata që nuk derdhin sigurime shëndetësore. Megjithatë, bëhet me dije se edhe për këta persona ka një rrugëzgjidhje për të shpëtuar nga ky detyrim. Kështu, regjistrimi pranë zyrave të punës, si punëkërkues dhe pajisja me kuponi përkatës që lëshojnë këto zyra (mbi pamundësinë e gjetjes së vendit të punës), ka bërë që shumë prej pacientëve të paguajnë vetëm 10 për qind të vlerës reale të çmimit për këtë shërbim, mjafton që ata të jenë të pajisur me kuponin përkatës të marrë nga këto zyra. “Kërkesat për shkrirjen e gurëve nëpërmjet aparaturës së litrotipisë janë të shumta. Tashmë pacientët janë dyndur drejt dyerve të shtetit, pasi kostot e privatit janë të papërballueshme. Sipas përcaktimeve të bëra, ky shërbim duhet të ofrohet për katër pacientë në ditë, por në shumë raste ne e kemi tejkaluar si pasojë e fluksit të kërkesave duke e çuar edhe në shtatë raste në ditë, çka ka bërë që edhe lista e pritjes të zgjerohet edhe më shumë. Po ashtu zgjerimi i kësaj liste pritjeje ka ardhur edhe si rezultat i urgjencave. Për rastet urgjente ne veprojmë menjëherë me futjen e tyre në trajtim pasi gjendja shëndetësore e pacientit mund të jetë përkeqësuar. Po ashtu këtë procedurë e ndjekim dhe për të shtruarit në këtë pavijon. Kjo ka bërë që radhët të shtohen, por ajo që është më e rëndësishmja është cilësia e dhënies së shërbimit, e cila është disa herë më e lartë sesa aparaturat që ka privati.

Rrezikshmëria nga ndërhyrjet kirurgjikale

Në vëzhgimet e kryera prej ekspertëve të shërbimit urologjik është theksuar se si rrjedhojë e mungesës së kësaj aparature për vite të tëra rreth 70-80 për qind e pacientëve futeshin në sallat e operacioneve, në të cilat shoqëroheshin edhe me marrjen e infeksioneve të shumta. Shifër kjo që në vendet e tjera të botës është tepër e ulët, duke mos i kaluar 1,9 për qind. Sipas mjekëve, krijimi i gurëve në veshka mbetet një ndër komplikacionet më të shpeshta që po shfaqen në popullatë, ku përhapja po vihet re dhe në mosha të reja. Të dhënat tregojnë se brenda një viti evidentohen rreth 700 pacientë të rinj që manifestojnë shqetësime të rënduara të gurëve në veshka. Shkaqet kryesore të përhapjes janë faktorë të shumtë si dhe predispozicioni gjenetik, por edhe mbajtja e një diete të çrregullt ushqimore, e cila duhet të jetë e pasur me lëngje të shumta.

Këshilli studentor i Fakultetit të Mjekësisë

Hyrja në provime me kartën e studentit

Pas diskutimeve të zhvilluara ndërmjet stafit akademik dhe këshillit studentor të Fakultetit të Mjekësisë është rënë dakord që brenda një kohe të shkurtër të nisë dhe lëshimi i kartës së studentit. Për këtë dekanati i këtij fakulteti pritet që në ditët në vijim të nxjerrë një urdhër zbatimi, nëpërmjet të cilit do të zyrtarizohet që të gjithë studentët e fakultetit do të pajisen me kartën e studentit, pasi në të kundërt nuk do të mund të përfshihen fare në provime. Sipas përcaktimeve të bëra deri tani, pohohet se përfitimet që do t’u vijnë studentëve nga përdorimi i kësaj karte do të jenë të shumta, ku përfshihen lehtësirat në hyrjet e ambienteve spitalore, në bibliotekë, në sallën e internetit që ndodhet në ambientet e këtij fakulteti, si dhe do të shërbejë edhe për identifikimin sikundër ndodh edhe në shumë vende të tjera të botës. Pasi të kalojë në këshillin e Fakultetit kjo kartë do të përdoret më vonë edhe si mjet për t’u futur në provime, çka do të sjellë dhe zhvlerësimin e librezave aktuale. Këto të fundit për vite me radhë janë parë si problematike, pasi në shumë raste është vepruar edhe me falsifikimin e tyre. Në ditët e ardhshme pritet të bëhet publike procedura që do të ndiqet për pajisjen e studentëve me këto karta kundrejt një pagese të caktuar. Ndërkohë që nga dita e nesërme pritet të çelen dhe procedurat e regjistrimit.

Drafti parashikon krijimin e një tregu të posaçëm

Ligji i ri për peshkimin, masat për

ndaljen e gjuetisë së paligjshme

Ekspertët e mjedisit kanë hartuar tashmë ndryshimet që do të përmbajë drafti i ri ligjor për peshkimin, nëpërmjet të cilit do të synohet kontrolli dhe ndalimi i gjuetisë së paligjshme të peshkut. Ku si pasojë e këtyre aktiviteteve është konfirmuar zhdukja e shumë specieve të rralla. Gjatë prezantimit të risive që përmban ky draft, drejtuesit e dikasterit të mjedisit kanë bërë me dije se nëpërmjet zbatimit të draftit të kornizës së re ligjore do të procedohet me ndalimin e peshkimit me rrjeta fundore për një periudhë të caktuar duke filluar nga muaji qershor deri në shtator, kjo pasi gjuetia e paligjshme ka bërë që shumë lloje peshqish të shkojnë drejt zhdukjes. Po ashtu drafti parashikon krijimin e porteve dhe flotave bashkëkohore sipas standardeve evropiane, ngritjen e kapaciteteve të veçanta për tregtimin e peshkut si dhe forcimin e kritereve për kontrollimin e këtij aktivitet. Sipas kreut të Ministrisë së Mjedisit Fatmir Mediu, zbatimi i këtij ligji do të shmangë abuzimet që janë bërë me gjuetinë e paligjshme të peshkut. Përkundrejt masave të parashikuara për kontrollimin dhe ulje e informalitetit, ky dikaster po kërkon të fuqizojë marketet e peshkut që mendohen të ndërtohen pranë porteve kryesore të vendit . “Ngritja e kapaciteteve peshkuese me një flotë që duhet të karakterizohet nga kapacitete, mundësi dhe teknikë bashkëkohore. Përjashtimi i atyre elementeve dhe kapaciteteve, të cilat janë tërësisht jashtë standardeve, jo vetëm nuk kryejnë peshkim, por krijojnë probleme mjaft të mëdha për të vazhduar më tej me porte mjaft bashkëkohore të peshkimit të shoqëruara me merkato peshkimi. Më tej me tregun e peshkimit dhe ata që merren me përpunimin e peshkimit”, - ka deklaruar Mediu gjatë ditës së djeshme. Ndërkohë ka kërkuar që të shtohet bashkëpunimi ndërmjet sektorit privat dhe atij publik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›