E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: Rama, agresiv me universitetet dhe arsimin në përgjithësi

26/04/2011  Rektori i Universitetit të Tiranës intervistë për televizionin Ora News

-Z. Kule pse ka pasur bllokime të Këshillit Bashkiak të Tiranës?

Pas zgjedhjeve të vitit 2009 në Këshillin Bashkiak u krijua një mazhoranë e re. Nuk mund të miratonim ne si mazhorancë programin e minorancës. Ishte normale që në Këshillin Bashkiak të miratohej programi i Partisë Demokratike dhe jo Socialiste, e cila tashmë kishte dalë në minorancë. Këtë u munduam t’ia bëjmë me dije Partisë Socialiste, e cila drejtonte Këshillin Bashkiak. Çfarë ndodhi? Ekzekutivi i Bashkisë së Tiranës solli një buxhet, i cili binte ndesh me mazhorancën dhe interesat e saj në këshill. Këshilli Bashkiak po e them dhe një herë, ka luajtur një rol konstruktiv, sepse ne mund të merrnim të gjithë programet e njësive bashkiake që drejtohen nga demokratët dhe detyronim Bashkinë të realizonte këto investime. Këtë ne nuk e bëmë, na u duk e padrejtë që të zgjidhnim të bënim politika destruktive. Tirana nuk ka pasur Bashki që të ketë bërë investime reale. Dua të them dhe një herë që investimet i ka bllokuar Bashkia, e cila nuk ka pranuar të diskutojë buxhetin me mazhorancën në Këshillin Bashkiak.

-Akuza më e madhe që bën zoti Rama dhe stafi i tij është bllokimi i buxhetit në Këshillin Bashkiak?

Nuk mund të sillesh ndaj mazhorancës kështu, ta trajtosh si minorancë. Nuk qëndron fakti, që është penguar buxheti nga Këshilli Bashkiak. Është një autopengim. Për shembull, të marrim Unazën e Madhe, ka qenë një projekt që para 2 vitesh e ka bërë pushteti lokal. Para 2 vitesh ka pasur një lloj shqetësimi për Kopshtin Botanik që është pronë e jona. Për të njëjtin projekt, shikohej sjellje e ndryshme nga pushtetarët e PS. Ne u mirëkuptuam, do të bëhej prishja në atë zonë që prekte ky projekt dhe toka që do merrej do të zëvendësohej. Unë e kam sqaruar këtë çështje edhe në statusin tjetër, atë të rektorit, dhe në interes të studentëve. Ju e dini si është situata e gjendjes universitare në Tiranë. Shkoni në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, nuk do ta dallosh dot se ku është fakulteti, nga pallatet. Shko tek Juridiku, sorollatesh një gjysmë ore për të gjetur fakultetin nga pallatet. Shko tek Fakulteti Ekonomik, që nga viti 2000 na është dashur një energji e jashtëzakonshme për të penguar ndërtimet. Gjithë kjo sjellje kaq agresive për universitetin është tashmë e shpjegueshme, dhe unë e gjeta shpjegimin, se e tha Rama para disa ditëve, që do t’i çoj studentët në Tufinë.

-Si është ky projekt zoti Rektor, se studentët duan ta kenë dhomën dhe fakultetin sa më afër qendrës. Se në Tufinë studentët nuk shkojnë të themi të drejtën?

Se kush shkon në Tufinë shqiptarët dhe tiranasit e dinë. Bashkia ka dëshirën ta çojë këtë universitet atje, sepse kjo është një psikozë. Nuk është se nuk ka kampuse në periferi, por ne e kemi të gatshëm, kemi edhe tokën për të ndërtuar një në Qytetin Studenti. Në vend që të mbështetet investimi për kampusin, atje ku është qyteti student, na thuhet që të shkohet në Tufinë. Kam 3 mandate që jam anëtarë i Këshillit Bashkiak, kam parë një agresivitet nga ana e Bashkisë ndaj Arsimit. Një pamje totalisht ndryshe shoh në dy rrethe të tjera ku ne kemi filialet tona. Në Kukës dhe Sarandë, ku Këshilli Bashkiak i këtyre qyteteve ka vënë një fond të veçantë për universitetet. A mund të gjesh industri tjetër me kaq të punësuar dhe të aktivizuar, me 80 mijë studentë dhe pedagogë. Këto i ka arsimi, Universiteti. Dhe kjo duhej të kishte prioritet për qeverisjet lokale. Bashkëpunim pikërisht me këtë industri, gjë që nuk e kemi ndjerë, kemi ndjerë vetëm armiqësinë. Shpresoj, dhe fatmirësisht, tashmë, kandidati Basha në programin e tij e ka prioritet bashkëpunimin në të gjitha formatet me botën universitare. Unë jam absolutisht në mbështetje të politikave që lejojnë mendimin e bashkëpunimit dhe të mbështetjes së institucioneve tona. Kemi një shpresë të jashtëzakonshme për universitetet, me marrjen e pushtetit lokal nga zoti Basha. Ka siguri se premtimet e tij do të bëhen realitet.

-Nga e keni sigurinë që do të bëhen realitet?

Çfarë ka thënë Basha për infrastrukturën? Ne kemi nevojë që të instalojmë një infrastrukturë moderne siç e ka gjithë bota për sa i përket funksionimit të Universitetit të Tiranës, por edhe të universiteteve të tjera. Na duhet vetëm dhënia e lejes nga KRT, gjë që nuk kërkon ndonjë lloj angazhimi të madh. Financimin do ta ketë pushteti qendror dhe një pjesë me të ardhurat tona. Pra, pushteti lokal është komod në këtë situatë. Mjafton të shprehë dashurinë ndaj arsimit dhe dëshirën për të na lehtësuar, dhe për të na dhënë lejen e ndërtimit. Ju e keni parë. E kemi ruajtur vetë atë pjesë toke ku do të ndërtohet Kampusi. Sepse e keni parë gjithë Qyteti Studenti që është i palejueshëm të preket, ndërsa kanë lulëzuar ndërtimet private. Me sa duket, interesat kanë qenë të tilla që është më me leverdi t’u jepen investime privative që të ndërtojnë aty që është pronë e studentëve, dhe ne të na çojnë ne në Tufinë. Kjo është politika ndryshe që ofron z. Rama? Në raport me këtë, ne e mirëpresim fitoren e zotit Basha. Dhe jam i sigurt që kjo do të bëhet realitet për studentët pas 8 majit.

Bisedoi: Roland Qafoku

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›