E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrirja rrezikon shtete e ishuj

Derisa delegatët e samitit për ndryshime klimatike vazhdojnë grindjen e tyre rreth aftave dhe financimit, disa prej shteteve më të varfra në botë paralajmërojnë se rritja e nivelit të deteve dhe oqeaneve, bashkë me uraganet e fuqishme, po kërcënojnë që t’i zhdukin plotësisht ‘nga faqja e dheut’.

Përderisa delegatët enë samitin kushtuar ndryshimeve klimatike vazhdojnë të mos pajtohen me afatet, synimet obliguese dhe financimet, disa nga shtetet më të varfra të planetit po tërheqin vërejtjen se, po qe se bota nuk arrin të merret vesh për mënyrën e luftimit kundër ngrohjes globale, rritja e nivelit të deteve e oqeaneve, bashkë me uraganet e fuqishme po kërcënojnë seriozisht zhdukjen e tyre të plotë, njofton Reuters.

“Ne do të jemi një ndër shtete e para që do të zhdukemi nën sipërfaqen e ujit”, deklaroi Foua Toloa, politikanë i lartë nga Tokelaua, një ishull ky ndërmjet Hawait dhe Zelandës së Re, i cili ndodhet vetëm pesë metra mbi nivelin e detit.

“Ne jemi një komb i vogël dhe i brishtë, që varemi shumë nga ndryshimet klimatike dhe ato të ambientit”, sqaroi ai.

Ministri i Jashtëm i Grenadës, Karl Hood, i cili është edhe kryetar i Aleancës së Shteteve në Ishuj të Vegjël (AOSIS), e cila numëron 43 vende anëtare, dhe të cilat njëkohësisht janë shtetet më të rrezikuara nga ndryshimet klimatike, ishte edhe më i drejtpërdrejtë se Toloa.

“Nëse tani nuk bëjmë asgjë, disa prej nesh sigurisht që do të vdesim”.

Shumë shtete që shtrihen në një lartësi të ulët mbidetare qysh tani po llogarisin numrin e vdekjeve eventuale si pasojë e rritjes së emisionit të dëmshëm të gazrave, ekonomive të paqëndrueshme dhe ndryshimit të relievit.

“Deri në vitin 2025 niveli i deteve dhe oqeaneve mund të ndikojë në shpërnguljen e, të paktën, 10 përqind të popullatës”, tha para delegatëve kryetari i Ishujve Komore, Fouad Mohadji, derisa po fliste për ndryshimet klimatike në qytetin port të Afrikës Jugore, Durban.

Ujërat detare mund të shkatërrojnë 29 përqind të rrugëve, 30 përqind të infrastrukturës hoteliere - mbi të cilën mbështetet ekonomia turistike e këtij shteti të vogël ishull, dhe 70 përqind e porteve dhe aeroporteve – gjë që, në fund, do të kushtonte disa miliarda dollarë amerikanë.

Bashkimi Evropian apelon për aprovimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore globale deri në vitin 2015, dhe për implementimin e plotë të saj deri në vitin 2020. Mirëpo, ministri i Ambientit i Fixhit, Samu Saumutua, nënvizon se atëherë do të mund të jetë tepër vonë për uljen e nivelit të detit, i cili qysh tani po kërcënon me fundosjen e disa ishujve të këtij shteti.

“Ciklonet tani po ndodhin gjatë tërë vitit, kështu që ne vazhdimisht kemi vërshime, ndërkohë që në zonat afër brigjeve të detit rezervat e ujit të pijshëm qysh tani janë përzier me ujë të njelmët”, theksoi ai.

“Ne jemi të dëshpëruar me situatën që po ndodhë te ne”.

Çështja e financimit

Por, nuk janë vetëm ishujt ata që po kërcënohen.

Herman Rosa Chavez, ministër i Ambientit në Salvador, pohoi se depresioni tropikal, i cili para dy muajve shkretproi Amerikën Qendrore, përmbyti gati 10 përqind të shtetit të tij, dhe shkaktoi humbje që shkojnë në 840 milionë dollarë.

“Gjatë çdo dekade përjetuam një rritje të numrit të ngjarjeve ekstreme klimatike. Gjatë viteve të 60’a dhe të 70’a ndodhte vetëm nga një ngjarje e tillë, përderisa gjatë dekadës së kaluar ishin 10”, tha ai derisa po ilustronte rritjen progresive të ndryshimeve klimatike.

Disa nga delegatët akuzuan fuqitë globale ekonomike se po e injorojnë shkencën, dhe se po e rrezikojnë vetë ekzistencën e shteteve që kontribuojnë shumë pak në emetimin e miliona tonelatave të dyoksid-karbonit që lëshohen për çdo vit në atmosferë, por të cilat rrezikohen drejtpërsëdrejti nga ndryshimet klimatike.

“Disa njerëz kanë interesa të mëdha që ne të mos vijmë deri te përparimi gjatë këtyre bisedimeve”, tha Tosi Mpanu-Mpanu, lider i Grupit Afrikan.

Ai madje nënvizoi se shtetet duhet të fillojnë me realizimin e pjesës së dytë të Protokollit të Kyoto’s, klauzola e të cilit parasheh përmbushjen e qëllimeve që synim kanë uljen e emisioneve të karbonit deri në fund të vitit të ardhshëm. Megjithëkëtë, përfaqësuesi i Grenadës, Hood, konsideron se një marrëveshje obliguese për të gjithë duhet të miratohet që tani.

“I kemi të gjithë përbërësit e nevojshëm për të nisur menjëherë punën, ashtu që deri vitin e ardhshëm do të kemi edhe një fuqi ligjore”, u shpreh ai.

Nga ana tjetër, Shtetet e Bashkuara të Amerikës mohojnë pretendimet se ato po mundohen ta zgjasin këtë proces deri në vitin 2020. Por, Hood nuk duket shumë i bindur.

“Ju falënderoj shumë, por më lejoni që këtë pohim tuajin ta shoh edhe në dhomën e negociatave, pra, që këtë ta shoh edhe në tekst”, iu përgjigj ai përfaqësuesve të SHBA’ve.

Shtetet e vogla e të ndjeshme nëpër ishuj, që janë pjesë e Afrikës, Azisë, Amerikës Qendrore dhe Jugore, nuk posedojnë fuqi të mjaftueshme financiare për të luftuar vetë me këtë krizë.

“Viteve të kaluara kemi shpenzuar shumë miliona në ndërtimin e mureve mbrojtëse, për shkak të rrëshqitjes së bregut dhe rritjes së nivelit të oqeanit, si dhe shumë miliona të tjerë për pastrimin e ambientit”, tha ministri i Ambientit në Republikës Dominikane, Kenneth Darroux.

Të gjithë shpresojnë se në Durban do të themelohet Fondi in Klimës së Gjelbër, i cili do të kanalizonte afro 1000 miliardë dollarë në vit drejt shteteve të prekura, në mënyrë që ato të jenë në gjendje që të luftojnë më seriozisht me efektet e ngrohjes globale.

“Ne nuk po ju lusim, por kemi nevojë për aletë”, u shpreh lideri i delegacionit nga Guatemala, Luis Ferrate.

Nga agjencitë

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›