Shkrirje taktike

Hapi që po përgatitet të ndërmarrin reformatorët për t’u shkrirë me PD-në, nxiti dje reagime nga dy fraksione demokristiane në vend. Partia Demokrate Reformatore ka deklaruar synimin e saj për t’u shkrirë me Partinë Demokratike, por aleatë qeveritarë e shohin këtë si orientim të nxitur nga ndryshimi i sistemit zgjedhor. I pyetur nga “Korrieri”, se si e sheh bashkimin e PDR-së me PD-në, kreu i Lidhjes Demokristiane, Nikollë Lesi, thotë se kjo lëvizje është e ndikuar nga ndryshimi i sistemit zgjedhor nga mazhoritar miks në proporcional rajonal. “Është një lëvizje apo shkrirje për interesa personale, për t’u futur në listën e ardhshme të Partisë Demokratike. Natyrisht, kjo është ndikuar nga sistemi zgjedhor”, komenton shkurt Lesi, i cili është një nga deputetët e vjetër të Parlamentit. Ndërkohë, demokristianët e Nard Ndokës thonë se kjo është një çështje e dy partive dhe si e tillë nuk mund të paragjykohet si lëvizje. “Kjo është një çështje e dy partive, është zgjedhje e tyre dhe ne nuk e paragjykojmë. Nëse një parti e quan të mbaruar misionin, nuk ka rrugë tjetër veç shkrirjes. Mesa duket, PDR-ja si forcë politike e quan ciklin e saj të mbyllur ose të dështuar, ta gjykojnë si të duan”, thotë në emër të PDK-së Sekretari Politik, Lazër Stani. Megjithatë, sipas PDK-së kjo lëvizje nuk mund të cilësohet si një bashkim i së djathtës, pasi Partia Demokratike gjatë këtyre viteve e ka përçarë të djathtën.”PD-ja ka përçarë Ballin Kombëtar, Legalitetin, ish-të dënuarit politikë dhe investoi jo pak energji për të përçarë PDK-në, por pa sukses. Kështu që deklaratat e PD-së për bashkim apo shkrirje të faktorit të djathtë brenda PD-së apo në një organizim tjetër politik, si federatë për shembull, më duken një tymnajë propagandistike në prag të fushatës, ose në rastin më të mirë, një taktikë për të krijuar epërsi në garën e ardhshme elektorale, çka është e natyrshme”, thotë Stani. Në këtë mënyrë, ai hedh poshtë një mundësi shkrirjeje apo bashkimi në federatë me Partinë Demokratike, pasi sipas tij “PDK-ja si një parti me identitet dhe mision të qartë politik, është jashtë proceseve të tilla”. Ndërkohë, dy ditë më parë edhe presidenti i Nderit i Asamblesë se republikanëve, Sabri Godo, tha se nëse shkrirja është e detyrueshme për shkak të ndryshimit të sistemit zgjedhor, atëherë kemi të bëjmë me një fenomen negativ. Madje, Godo tha se edhe vetë ndryshimi i ligjit zgjedhor, është në vetvete një shtrëngim për partitë e vogla në kërkim të mbijetesës, prandaj përsëriti se nuk pajtohet me atë (ndryshim). Republikanët i qëndrojnë më shumë idesë së krijimit të një federate të djathtë, ku të gjitha forcat e djathta të bashkohen me një program elektoral të përbashkët. Deklaratat e PDR-së për një bashkëpunim të ngushtë nisën të bëhen publike që pas miratimit në Parlament të amendamenteve kushtetuese që ndryshuan sistemin zgjedhor. Vetë kjo forcë politike tha se bashkëpunimi i ardhshëm zgjedhor duhej të ishte më i afërt, duke bërë kështu një ftesë për shkrirje me PD-në. Në deklaratat e tyre, reformatorët deklaruan se tashmë mes PDR-së dhe PD-së nuk kishte më dallime idesh apo programesh. Këto deklarata të reformatorëve u shoqëruan me dhënien e postit të zëvendëskryeministrit për Genc Pollon, kryetarin e PDR-së. Kjo është një shenjë tjetër e mundësisë së shkrirjes mes këtyre dy forcave, pasi posti i zëvendëskryeministrit, para ardhjes së Pollos, ishte një post që mbahej zakonisht nga vetë demokratët. Pas kësaj, edhe vetë Partia Demokratike deklaroi se është e hapur për të nisur negociatat, duke u hapur derën ikësve të hershëm të PD-së, Genc Pollos dhe Tritan Shehut. Disa nga aleatët, të cilët nuk dëshirojnë të shprehen publikisht, duket se e shohin këtë si një dukuri të sistemit zgjedhor, i cili eliminon disa nga partitë e vogla nga Parlamenti dhe këto të fundit janë të detyruara që të gjejnë strategji mbijetese, siç është edhe shkrirja.
Rikthimi i figurave të hershme
Në PD, pro dhe kundër
Lajmi për rikthimin e figurave të hershme në Partinë Demokratike, duket se nuk është mirëpritur nga të gjithë demokratët. Deri tani, vetëm një deputet demokrat ka deklaruar publikisht qëndrimin e tij kritik ndaj rikthimeve të figurave të hershme të Partisë Demokratike. Megjithatë, shumë deputetë të tjerë të PD-së nuk dëshirojnë ta komentojnë këtë fenomen, duke lënë kështu të kuptohet edhe kundërshtia e tyre. Pavarësisht kundërshtimeve, në Partinë Demokratike duket se ka edhe nga ata që mirëpresin krahëhapur rikthimin e figurave të hershme të PD-së. Deri tani, qëndrimin e tyre pro rikthimit të figurave të hershme të PD-së e kanë shprehur deputetët demokratë si Jemin Gjana, Majlinda Bregu dhe Ferdinant Xhaferri. Pritet që në shtator të nisin negociatat mes PDR-së dhe PD-së, por edhe me parti të tjera të dala nga të larguarit e PD-së, ku pritet që të shtohen edhe zërat kundërshtues brenda mazhorancës.