E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet kontrata, Meico i shiti granata një firme amerikane

Prokurorët e dosjes Gërdeci gjejnë një tjetër kontratë të Pinarit me një firmë me seli në SHBA. Dyshimet për destinacionin dhe verifikimet e organit të akuzës

TIRANË - Armët dhe municionet shqiptare duket se janë një “mall” i preferuar nga amerikanët, ndoshta edhe për shkak të çmimit të tyre të lirë. Nuk bëhet fjalë për Efraim Diverolin, i cili tashmë ndodhet nën hetim për mashtrim, por për një tjetër firmë amerikane që ka blerë granata nga ndërmarrja shtetërore ushtarake shqiptare“Meico”. Grupi hetimor i dosjes “Gërdeci” ka arritur të sigurojë të dhëna që tregojnë se një firmë me emrin “Elmo”, me seli në SHBA, ka shfaqur interes për armët shqiptare. Në kuadër të hetimit për trafik të mundshëm të armëve dhe municioneve nëpërmjet ndërmarrjes “Meico”, grupi hetimor ka arritur të gjejë një kontratë, që ka si objekt tregtinë e armëve mes Shqipërisë dhe firmës amerikane “Elmo”, e cila dyshohet se është pjesë përbërëse e firmës izraelite “Elmo Tech LTD”, për të cilën dyshohet se ka qenë firma që pati blerë po nga “Meico” një sasi të konsiderueshme katjushkash. Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se nga pikpamja juridike kjo kontratë rezulton e ligjshme, por gjithçka do të verifikohet me imtësi. Sipas hetuesve, ky është rasti i dytë që “Meico” i shet armë firmës “Elom Tech”, e cila në muajin shkurt të këtij viti ka blerë në Shqipëri sasinë prej 3200 katjushka të kalibrit 107 mm, të cilat sipas specialistëve, janë mes të tjerash shumë efektive në luftën guerile.  

Kontrata e dytë

Sipas hetuesve bëhet me dije se në vazhdën e kërkimeve në arkivën e “Meicos”, rezultoi që një ngarkesë me granata dhe armatime të tjera i është shitur një firme me qendër në Amerikë. Në kontratën e lidhur muajt e parë të këtij viti, palët kishin rënë dakort që ndërmarrja “Meico” t’i shiste firmës amerikane “Elmo” granata luftarake, si dhe municione të kalibrave të ndryshëm. Nga krahasimi i të dhënave të kontratës së dytë dhe shitjes që “Meico” kishte realizuar në muajin shkurt me firmën izraelite “Elmo Tech LTD”, hetuesit ngritën dyshimin se bëhet fjalë për të njëjtën firmë, pasi firma izraelite ka një degë të saj edhe në Amerikë. Burime pranë grupit hetimor bënë me dije se kontrata për shitjen e granatave është juridikisht korrekte, pasi ndërmarrja “Meico” është e vetmja shoqëri e licencuar për tregtinë e armëve dhe municioneve. Nga ana tjetër, hetuesit e çështjes konfirmojnë faktin se të dyja shitjet e realizuara nga ndërmarrja “Meico” do t’i nënshtrohen një hetimi të mëtejshëm, për të parë destinacionin e vërtetë të armëve dhe municioneve shqiptare.  

Hetimi pezull

Sipas Prokurorisë, dokumentacioni i sekuestruar në arkivat e ndërmarrjes shtetërore “Meico”, për dy shitjet e realizuara prej saj me firmat izraelite dhe amerikane “Elmo Tech”, ndodhet i administruar në cilësinë e provës materiale në organin e akuzës. Por duket se ky është veprimi i vetëm që Prokuroria ka bërë për këtë çështje, pasi nga fillimi i muajit gusht gjithçka thuajse ka mbetur pezull. Burime pranë akuzës konfirmojnë faktin se kësaj çështje do t’i shkohet deri në fund, për të parë destinacionin e vërtetë që kanë pasur katjushkat dhe granatata shqiptare. Në vijimësi të hetimeve pritet që grupi hetimor, pasi të përfundojë procedurat e verifikimit të dokumeneteve të sekuestruara, të kërkojë informacion rreth firmës blerëse të armëve, ndoshta për të vërtetuar edhe dyshimin se emri i firmës “Elmo Tech” mund të jetë përdorur nga persona që nuk kanë lidhje me të. 

Izraelitët blenë

3200 katjushka

Një faturë shitjeje e sekuestruar nga Prokuroria në zyrat e Meico-s, tregonte se kjo ndërmarrje në shkurt të këtij viti i ka shitur firmës izraelite 3200 katjushka të kalibrit 107 mm. Shitja sipas Prokurorisë ishte realizuar me urdhër të ish-Ministrit të Mbrojtes, i cili urdhëronte Komandën Mbështetëse të kalonte municionet për llogari të Meico-s, ndërsa kjo e fundit nëpërmjet bazës ushtarake të Rinasit realizoi shitjen me firmën “Elmo Tech LTD”, e cila është e specializuar në sistemet e sigurisë, ku operon me një teknologji shumë të përparuar.

Krateri i Gërdecit

Oketa: Akoma ka

rrezik për shpërthime

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, pohoi se zona e rrethuar nga ushtria është ende e rrezikshme

Ministri i Mbrojtjes ,Gazmend Oketa, pranoi dje se zona e kraterit të shpërthimit në Gërdec mbetet akoma një zonë e rrezikshme, madje rreziku shkon deri aty sa nuk përjashtohen edhe shpërthime të tjera. Kjo deklaratë e Ministrit të Mbrojtjes, u bë gjatë vizitës së tij të djeshme në fshatin Marqinet, pranë Gërdecit, ku ai ndodhej për një vizitë. Megjithatë, Oketa ka theksuar se në zonën larg kraterit, tashmë nuk ka asnjë rrezik. “Do të doja të theksoja edhe një herë se zona e rrethuar është deklaruar që ditën e parë që është një zonë me rrezikshmëri të lartë, pikërisht për këtë arsye, sepse ekziston probabiliteti që mund të ketë ende predha të pashpërthyera. Por, aty punojnë specialistë të cilët përballen çdo ditë me një rrezik të tillë, jo vetëm në atë zonë, ashtu si kudo në të gjitha depot ku ka armatime dhe ku punojnë vetëm ekspertë çarmatimi. Pjesa tjetër jashtë rrethimit nuk përbën asnjë shqetësim”, tha dje Ministri i Mbrojtjes.

Për këtë arsye,

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›