E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkronjat preken pas 100 vjetësh

Kërshëria për të vëzhguar nga afër dorëshkrimet e para të gjuhës shqipe, por jo vetëm, është shuar me rastin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. “Udha” e shkronjave të gjuhës sonë tanimë është “e prekshme” nga i gjithë publiku dhe për ta shijuar një pamje të tillë është përzgjedhur pikërisht shtëpia e librit: Biblioteka Kombëtare. Ajo ka hapur dyert e ftohta për të ekspozuar materiale të vyera që paraprinë historinë e shkruar shqipe në ekspozitën e rrallë, “Alfabete në bibliotekë”. Aty gjen historinë e alfabetit të gjuhës shqipe që prej “Formulës së pagëzimit” nga Laurenziana dhe “Perikopesë ungjillore” nga Ambrosiana deri në Kongresin e Manastirit të 1908-ës. “Alfabete në bibliotekë” çeli në Bibliotekën Kombëtare veprimtaritë e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit. Me këtë rast botohet albumi me imazhe nga veprat e çmuara që ruhen në arkivin e Bibliotekës Kombëtare. Të gjitha këto thesare vijnë falë punës së drejtorit të bibliotekës, Aurel Plasari, i cili nxori nga kati i nëndheshëm i arkivit të BK-së dorëshkrime të zverdhura arabo-persiane, që datonin që nga shekulli XV dhe inkunabula e romane të po atij shekulli, “Buzuku”, i riprodhuar në dy kopje të lidhura në lëkurë, për të vijuar me të gjithë autorët e vjetër të shkrimit të shqipes: Matrënga, Budi, Bardhi, Bogdani, Kazazi etj., me alfabetin e tyre, por që në ditët e sotme ka një tjetër kuptim, pasi pa to nuk mund t’i shkruanim këto rreshta si mirënjohje. Aty, së bashku me ta, qëndrojnë edhe botimet e rralla të Rilindjes Kombëtare Shqiptare, të arbëreshëve të Italisë dhe të arvanitëve të Greqisë, me botimet e Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip (të Stambollit) dhe sidomos ato të Bukureshtit dhe të Sofjes, në të cilat sundojnë abetaret si sprova që ngjallin kureshtjen e të gjithëve. Tek secila nga këto që përmendëm pak më parë dhe shumë syresh merr jetë mbarë historia e alfabetit, ose më saktë e varanteve të alfabeteve në gjuhën shqipe. Kështu që prej “Formulës së pagëzimit” nga Laurenziana dhe “Perikopesë ungjillore” nga Ambrosiana deri në Kongresin e Manastirit të 1908-ës, duke kaluar në kongrese si në Shqipërinë turke, ashtu edhe në Evropë. Mes tyre gjen alfabetin e Theodor Haxhifilipit, apo eksperimentin e anonimit nga Elbasani, që asokohe hapi debatin e madh nëse e kishte shkruar Grigor Voskopojari apo dikush tjetër, çka mbetet enigmë edhe sot e kësaj dite, për të vijuar me atë të që dr. Hahni e pandehte për alfabetin e lashtë pellazgjik. Nuk mungojnë edhe alfabetet e mistershme që rrëfejnë për një alfabet shqiptar (albanais) kishtar prej tridhjetë shkronjash, të ngjashme me shkronjat fenikase, hebreje, armene, palmyrase, disa syresh me të shkruarit hieroglifik hieratik, disa të tjera me shkronja bullgare dhe mesogotike. Por këto alfabete përmbajnë në vetvete elemente të alfabeteve jashtëzakonisht më të vjetër, të përdorur në Iliri, në Maqedoni dhe në Epir. Por në dëshmitë e asaj kohe ka vështirësi, pasi nuk mund të ndanin kollaj faktin historik nga fantazia. Albumi i alfabeteve në bibliotekë nuk është futur më shumë se kaq, duke ia lënë fjalën e fundit historianëve, të cilët sot e kësaj dite vijojnë të merren me to, ndërsa albumi  është mjaftuar vetëm me ekspozimin e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›