E Shtunë, 31 Tetor 2026

Erdhi vetë

Policët e komisariatit tregojnë sesi u vetëdorëzua bashkëpronari i firmës Arti sh.p.k

GJIROKASTËR - “Ishte ora rreth 24:00, kur një person, pasi u afrua tek dera kryesore e ndërtesës së komisariatit, më tha se donte të vetëdorëzohej, pasi kërkohej nga policia”. Njëri prej uniformave blu të policisë së Gjirokastrës, i cili ka pasur kontaktin e parë me Aristotel Haxhinë, tregon sesi u vetëdorëzua bashkëpronari i firmës ndërtuese “Arti sh.p.k”. 40-vjeçari Haxhia, lindur dhe banues në qytetin e Gjirokastrës, prej datës 12 nëntor 2008 ishte shpallur person në kërkim si pjesë e grupit të personave të dyshuar për ngjarjen e rëndë të së dielës në qytetin e Gjirokastrës, ku pas shembjes së një pallati gjetën vdekjen tre persona e mbetën të pastrehë dhjetëra të tjerë. Pas mesnatës së të mërkurës ai është paraqitur në mjediset e Komisariatit të Policisë në Gjirokastër për t’u vetëdorëzuar. “Fillimisht, - tregon polici, - m’u duk diçka e veçantë, kështu që menjëherë vendosa në dijeni eprorët e mi”. Pas disa minutash, gjatë të cilave u bë verifikimi i identitetit të tij, policia lokale ka konstatuar se personi që u vetëdorëzua ishte bashkëpronari i firmës “Arti sh.p.k”. “Prej shpalljes së tij si person në kërkim, ne kemi realizuar një sërë kontrollesh në zona të ndryshme të qarkut, ku dyshonim se ai mund të fshihej”, pohojnë drejtuesit e policisë së Gjirokastrës. Ndërkohë, një kujdes të veçantë për ndalimin e tij policia lokale i ka kushtuar edhe kontrollit të rreptë të kufirit me shtetin fqinj dhe veçanërisht vijës së gjelbër të kufirit. “Sipas informacioneve që kishim, ekzistonte mundësia që ai të tentonte të strehohej në shtetin fqinj, Greqi”, thonë drejtuesit e policisë së Gjirokastrës. Për të treguar kujdes të veçantë për ndalimin e tij ishin vendosur në dijeni edhe pikat e kalimit kufitar mes qarkut të Gjirokastrës dhe Greqisë. Specialistët e Sektorit të Luftës Kundër Krimit Ekonomiko-Financiar në bazë të urdhrit të ndalimit të lëshuar nga Prokuroria e Rrethit kanë bërë ndalimin e Haxhisë, për veprën penale të “shkeljes së rregullave në punë”. Ndërkohë, në datën 10 nëntor 2008, organet e hetimit në Gjirokastër kanë sekuestruar pasuritë e firmës “Arti sh.p.k”. Gjithashtu është bërë ngrirja e të gjitha llogarive bankare në të gjitha bankat e nivelit të parë dhe të dytë të këtyre personave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›