E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eshelman, i pandehur

Fshehja e abuzimeve seksuale që kishte vërejtur gjatë ekzaminimeve mjekësore të të miturve të qendrës “Fëmijët e tij” mund t’i kushtojnë shtrenjtë mjekut britanik Guy Eshelman. Ai është paraqitur dje rreth mesditës në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, ku sipas burimeve konfidenciale, mësohet se i është komunikuar akuza për kryerjen e veprës penale të “moskallëzimit të krimit”. I veshur me një palë pantallona ngjyrë bezhë, me xhaketë të zezë dhe në shpinë mbante një çantë po në ngjyrë të errët, drejtuesi i klinikës “ABC” është shfaqur i qetë teksa kapërcente pragun e portës së prokurorisë, rreth orës 11:00 të paradites së djeshme. Ai shoqërohej nga avokati i tij dhe qëndroi në zyrat e organit të akuzës për afro 50 minuta. Por kur ka dalë, qetësia e anglezit ishte zhdukur. Ai nuk ka pranuar t’u përgjigjet pyetjeve të gazetarëve të pranishëm në katin e dytë të ambienteve të prokurorisë dhe madje është shfaqur disi nervoz ndaj pranisë së tyre.

Eshelman ishte mjeku që dy vjet më parë kishte lëshuar një raport mjekësor, ku e konsideronte të paaftë seksualisht bashkëkombësin e tij David Brown, i akuzuar për veprën penale të “marrëdhënieve seksuale e homoseksuale me të mitur”. Këtë raport prokuroria shqiptare e kundërshtoi gjatë gjithë procesit. Por problemet e mjekut britanik me ligjin nisën pikërisht pas dëshmisë që ai dha në procesin ndaj Brown. Eshelman pranoi në sallën e gjyqit se, përveç problemeve shëndetësore, në klinikën “ABC” ishin dërguar edhe fëmijë të qendrës “Fëmijët e tij” që shfaqnin probleme me sjelljen dhe probleme fizike të shkaktuara nga abuzimi seksual. Ai deklaroi në atë seancë, se kishin qenë gjithsej 12 fëmijë, tek të cilët ishin konstatuar shenja të abuzimit seksual. Gjithsesi, Eshelman tha se për këtë problem i ishte drejtuar një oficeri të policisë angleze, i cili punonte pranë misionit të asistencës evropiane në Shqipëri, “PAMECA”, dhe prandaj nuk kishte bërë denoncim në organet kompetente. Deklarimet e tij tërhoqën vëmendjen e prokurorisë, por edhe të trupit gjykues të çështjes ndaj Brown. Që në atë seancë, Eshelman u paralajmërua se ndaj tij mund të hapej një çështje penale. Pasi ka kryer hetimet e nevojshme, prokuroria ka ngritur akuzën për mjekun britanik, për veprën penale të “moskallëzimit të krimit”. Akuza i është komunikuar atij dje, dhe tashmë drejtuesi i klinikës mjekësore “ABC” do të shkojë në një proces gjyqësor, ku nëse gjendet fajtor, rrezikon një dënim që varion nga gjoba deri në tre vjet heqje lirie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›