Miratohet kodi i ri
Komisioni i posaçëm për Hartimin e Kodit Zgjedhor miratoi dje variantin integral të draftit të kodit, pa marrë parasysh kërkesat e 10 deputetëve grevistë. Drafti u miratua me konsensusin e të gjitha partive politike që ishin të pranishme në mbledhje. Qëndrimi në fjalë tregon mostërheqjen e partive të mëdha për të plotësuar kërkesat e LSI-së, madje as përfaqësimin e të gjitha partive në komisionet e votimit. Sipas procedurës, kodi i ri do t’i paraqitet për votim Kuvendit. Ndërkaq, seanca e djeshme plenare vijoi normalisht, përveçse tek tryeza ku qëndrojnë anëtarët e kabinetit qëndronte një parullë: “Vota është e shenjtë” e po aty ishin vendosur edhe 10-të deputetët grevistë të ulur në karrige. Një tjetër dallim ishte edhe marrja e pjesës më të madhe të kohës së lirë për të folur deputetët, asaj që quhet 60-minutëshi, me çështjen e grevës së urisë, për të cilën folën si grevistët, ashtu edhe disa deputetë të tjerë. Pas diskutimeve që lidheshin me grevën e urisë, kryetarja e Kuvendit ka vijuar me rendin e ditës. Me shumicë votash u miratuan projektligjet e parashikuara në seancën e djeshme, si projektligji “Për përcaktimin e poligoneve për asgjësimin e municioneve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë” dhe ai “Për avokaturën e shtetit”. Seanca nisi rreth orës 12:00 të paradites e mbaroi në orën 13:10.
Greva
Pjesa më e madhe e debatit të lirë në Kuvend u përqendrua tek greva e urisë dhe mundësia e gjetjes së gjuhës së përbashkët, për të plotësuar kërkesat e 10 deputetëve që kanë hyrë në grevë urie që ditën e hënë. Frrok Gjini, një nga grevistët, i cili përpara fillimit të seancës pati edhe probleme shëndetësore, iu kërkoi partive të mëdha të reflektojnë, përndryshe grevistët nuk do të dalin të gjallë nga salla e parlamentit. “Ne dalim vetëm të vdekur nga kjo sallë. Do të mbrojmë votën e lirë. Nuk do të na shkelni të drejtën”, - u shpreh Gjini. Në mbrojtje të deputetëve grevistë doli edhe ish-deputeti i PD-së, Spartak Ngjela. Ky i fundit u bëri thirrje partive të mëdha që të plotësojnë kërkesat e grevistëve, duke e cilësuar numërimin e votave nga PS-ja dhe PD-ja si të papranueshëm. Në foltore u ngjit edhe Jak Ndokaj, Luan Memushi, Durim Lamaj etj., që kërkuan ndërprerjen e seancës, e mosvijimin me rendin e ditës. Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, rivijoi akuzat për bashkëpunim mes dy partive të mëdha, PS e PD, për të dëmtuar partitë e vogla. “PD-ja dhe PS-ja ka sjellë në komision një kod zgjedhor, i cili parashikon që në të gjithë nivelet, komisionet zgjedhorë të kenë shtatë anëtarë, pesë prej tyre nga PD-ja e PS-ja, ndërsa dy të tjerët i zgjedh Kuvendi, përsëri nga votat e këtyre dy partive”, - u shpreh ai. Pas qëndrimeve të mësipërme, Erion Braçe sqaroi pozicionin e PS-së. “I refuzoj aludimet që u bënë këtu. PS-ja ka hyrë në procesin e hartimit të kodit, me synimet e saj brenda gjithë kritereve demokratike, të të gjithë institucioneve që monitorojnë zgjedhjet në Shqipëri dhe që natyrisht mbikëqyrin dhe certifikojnë zgjedhjet në Shqipëri. Mbi interesat e PS-së nuk do të vëmë interesat e askujt tjetër”, - tha Braçe. Ai shtoi se socialistët ishin në sallën e Kuvendit për të përmbushur detyrimin kushtetues në raport me qeverinë dhe me abuzimin ndaj pushtetit. Ndërsa seanca vijonte gjatë gjithë kohës, jashtë ambienteve të parlamentit kanë qenë simpatizantët e LSI-së e të PDK-së. Këta të fundit vazhduan thirrjet në mbështetje të grevistëve.