E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbini fiton derbin me Elbasanin

Shkumbini ka arritur të marrë një fitore të vështirë dhe të merituar në takimin çelës të javës së 20-të të Kategorisë Superiore, duke mposhtur me rezultatin 3-2 Elbasanin. Pesë gola, 1 karton i kuq, 3 pikë për peqinaset dhe 0 tifozë. Është ky bilanci i takimit të luajtur mesditën e së premtes në stadiumin e Peqinit. Takimi u luajt pa tifozë, pas vendimit të Komisionit të Disiplinës për ndeshjen me Teutën. Elbasani e nisi mjaft mirë takimin, duke kaluar në avantazh në minutën e 8-të me anë të Merxhës. Sulmuesi veteran shfrytëzon një asist të Bylykbashit dhe shënon me kokë golin e parë. Mirëpo peqinasit nuk demoralizohen dhe reagojnë mjaft mirë, duke gjetur shumë shpejt golin e barazimit me anë të Gërboviçit në minutën e 17-të, që shënon falë një pasimi të Dervishit. Goli i jep zemër Shkumbinit, që arri të përmbysë shifrat dhe të gjejë golin e avantazhit brenda pjesës së parë. Gjithsesi, gëzimi nuk vazhdon gjatë për peqinasit, që mbeten me 10 lojtarë pas daljes me karton të kuq të mesfushorit Belçev. Ky i fundit arrin të koleksionojë dy kartonë të verdhë brenda pjesës së parë (i dyti për protestë ndaj gjyqtarit), duke vënë ekipin në vështirësi. Gjithsesi, kur u duk se Elbasani do ta kishte më të lehtë të merrte maksimumin në derbi, Shkumbini arrin të gjejë edhe golin e tretë, sërish me anë të Gërboviçit, që depërton në zonë dhe tund rrjetën në minutën e 57-të. Me kalimin e minutave vendasit fillojnë të ndiejnë lodhjen dhe inferioritetin numerik. Si rrjedhojë, në minutën e 87-të Elbasani shkurton diferencat në 3-2 me një gol të Bakiut. Në minutat e mbetura nuk ndodh asgjë. Shkumbini merr tri pikë të rëndësishme dhe ngjitet në kuotën e 25 pikëve, ndërsa Elbasani është gjithnjë më shumë pranë rikthimit në Kategorinë e Parë. Të shtunën dhe të dielën do të luhen ndeshjet e mbetura të javës së 20-të të Kategorisë Superiore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›