Deputetët e PS-së në Prokurori, Doshi dorëzon pamje filmike
Tiranë- Tre deputetë të Partisë Socialiste dhe kreu i kësaj partie për rrethin Tiranë janë thirrur dje në Prokurorinë e Tiranës për të dhënë shpjegime mbi demonstratën e 21 Janarit, ku mbetën të vrarë 4 persona dhe u plagosën 7 të tjerë. Të parët që kanë ngjitur shkallët e akuzës ishin deputetët Tom Doshi dhe Paulin Sterkaj, të cilët u paraqitën për herë të dytë në Prokurori edhe pse më parë kishin anuluar dy ftesa për të dëshmuar. Doshi e Sterkaj, sipas Prokurorisë, janë filmuar nga kamerat në mesin e turmës, madje deputeti i Shkodrës është parë duke biseduar me Gjin Ndreun, personin e filmuar me një armë në brez. Dy deputetët kanë qëndruar për rreth katër orë në ambientet e Prokurorisë së Tiranës, ku kanë shpjeguar pozicionin e tyre në lidhje me demonstratën e 21 Janarit. Burime të rezervuara pohuan se dy deputetët socialistë kanë pranuar faktin se kanë qenë pjesë e strukturave organizuese të demonstratës, duke qenë prezent edhe vetë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ata kanë mohuar në mënyrë kategorike se kanë urdhëruar demonstruesit të ushtrojnë dhunë mbi Kryeministrinë apo punonjësit e policisë që ndodheshin përpara këtij institucioni. Madje, deputeti Doshi ka paraqitur edhe pamje filmike, të cilat tregojnë se ai jo vetëm që nuk ka nxitur dhunën në radhët e demonstruesve, por për disa minuta është përpjekur t’i qetësojë ata për të mos sulmuar uniformat blu apo godinën e Kryeministrisë. Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kolegu i tij Sterkaj, i cili në dalje të akuzës tha se është i hapur të bashkëpunojë me Prokurorinë që të mos pengohet hetimi i ngjarjeve të 21 Janarit. Sterkaj tha se këto ngjarje ishin të turpshme, por edhe të dhimbshme për gjithë shqiptarët. Gjatë kohës që dy deputetët socialistë ndodheshin në zyrat e akuzës, një tjetër deputet i kësaj force politike, me cilësinë e kreut të PS-së së Tiranës, është thirrur për të dhënë shpjegime. Besnik Baraj i shoqëruar nga kolegu i tij Pjerin Ndreu janë paraqitur në Prokurori rreth mesditës së djeshme, ku kanë dhënë shpjegime për mënyrën e organizimit të protestës. Baraj, sipas Prokurorisë, është personi që ka kërkuar lejen në autoritetet e policisë për organizimin e demonstratës më 21 Janar. Me këtë cilësi është pyetur edhe Pjerin Ndreu, ish-drejtuesi i policisë, i cili aktualisht mban detyrën e kreut të PS-së për rrethin Tiranë. Baraj dhe Ndreu kanë sqaruar para prokurorëve se gjithë procesi parapërgatitor, organizimi i demonstratës dhe kërkesa për leje që iu drejtua autoriteteve të policisë kanë qenë të ligjshme. Sipas tyre, ky ka qenë roli që kanë pasur në këtë çështje dy krerët e PS-së së rrethit dhe qytetit të Tiranës, të cilët njësoj si kolegët e tyre kanë mohuar në mënyrë kategorike se protestuesit janë urdhëruar të qëllojnë ndaj punonjësve të policisë, apo godinës së Kryeministrisë. Pas përfundimit të seancës së pyetjeve në Prokurori, deputeti Baraj tha se ka sqaruar në Prokurori gjithë anën organizative të demonstratës së 21 Janarit.