E Shtunë, 31 Tetor 2026

Derbi i Mançesterit, ose sfida më e pasur e planetit me 850 mln dollarë në fushë

SHKRUAN: Jeton Selimi 12-02-2011 10:37

Ndeshja e sotme mes Mançester Junajtid dhe Mançester Sitit nuk është vetëm një përballje në fushën e blertë, e vlefshme për Premier Ligën angleze, por edhe ndeshja më e pasur e luajtur ndonjëherë në planetin Tokë. Duke iu referuar vlerësimeve të specialistëve, lojtarët në fushën e lojës dhe dy stolat në derbin e Mançesterit, vlejnë thuajse 850 milionë dollarë, ose përafërsisht aq sa shpenzon NASA për të ribërë teleskopin Habëll. Sa për të bërë një krahasim, në ndeshjen mes Nju Jork Jenkis dhe Boston Red Soks, në total lojtarët vlejnë 380 milionë dollarë. Në NFL, pagesat e Dallas Kaubojs dhe Uashington Redskinsave shkojnë deri 350 milionë dollarë.

Edhe në Spanjë madje, ku luajnë dy skuadrat më ekstravagante në botë, Reali i Madridit dhe Barcelona, shifra është më e ulët, pasi Barça një pjesë të madhe të lojtarëve i prodhon vetë.

Derbi do të mbretërojë në majë të shpenzimeve, por jo përjetësisht. Muajin e ardhshëm ndeshja mes Mançester Sitit dhe Çelsit do të thyejë çdo rekord me 900 milionë dollarë. Madje, edhe ndeshja mes Mançesterit dhe Çelsit nuk ka shkuar më tepër sesa 800 milionë dollarë. Këto shifra shërbejnë për të bërë një pasqyrë të shpenzimeve të klubeve angleze, të cilat janë rritur shumë edhe nga merkatoja dimërore. Madje, edhe klubet e mëdha të Amerikës Veriore jo gjithnjë blejnë lojtarë nga klubet e tjera, duke preferuar të gjejnë elementë pa kontratë, sidomos në merkaton e dimrit. Sa për ilustrim: Çelsi pagoi 80 milionë dollarë për sulmuesin spanjoll Fernando Torres, ndërsa Mançester Siti pagoi 44 milionë dollarë për sulmuesin boshnjak Edin Xeko. Këto rekorde të klubeve angleze mund të mos thyhen për një kohë të gjatë, sepse, duke nisur nga sezoni i ardhshëm, rregullat e reja të futbollit europian, të njohura si Fair-Play Financiar, do t’i ndalojnë klubet e mëdha të shpenzojnë më shumë sesa fitimet. Lajm i keq ky për Mançester Junajtid, Mançester Sitin dhe Çelsin.

Ferguson: Derbi mund të vendosë kahen e titullit

Menaxheri i Mançester Junajtid, Sër Aleks Ferguson, thotë se humbja në derbin e sotëm ndaj Mançester Sitit mund të shkatërrojë ëndrrën e tyre për titull. Siti udhëton në ‘Old Trafford’ me hendekun e pesë pikëve prapa Junajtid dhe Fergie ka paralajmëruar lojtarët e tij se takimi do të ketë një rol të rëndësishëm në ecurinë e mëtejshme të kampionatit. “Është një derbi dhe mund të jetë vendimtar në aspekt të përcaktimit të kampionatit. Për të dy ekipet mund të jetë vendimtar, dhe kjo është ajo që e bën këtë ndeshje aq interesante. Ne shpresojmë se forma jonë në shtëpi do të vazhdojë të jetë e lartë, pasi kam qenë shumë i kënaqur me formën tonë në shtëpi këtë sezon”, ka thënë Ferguson.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›