Shkumbini godet: Mancaku, Vrapi dhe Fagu

www.albania-sport.com - Presidenti i ri i Shkumbinit, Ylli Ndroqi vazhdon serialin e goditjeve të mëdha në merkaton shqiptare: Bledar Mancaku, Endri Vrapi dhe Erbim Fagu, tre ish-lojtarë të Besës, do të luajnë sezonin e ardhshëm me klubin peqinas.
Pak ditë më parë me blubin bardhekaltër firmosi edhe golashënuesi më i mirë i sezonit të kaluar, sulmuesi vlonjat Daniel Xhafaj, edhe ky një ish-lojtar i Besës, fituese e Kupës së Shqipëisë dhe nënkampione e vendit.
Mesfushori sulmues Bledar Mancaku (28 vjeç, 5 gola sezonin e kaluar) ka veshur në Shqipëri fanellat e Teutës, Vllaznisë, Partizanit dhe Besës, si dhe është aktivizuar në kampionatin turk me Gençlerbirixhi (2000-2001). Shkumbini është skuadra e pestë në karrierën e durrsakut.
Mbrojtësi Endri Vrapi (28 vjeç) ka luajtur me Partizanin, Lushnjën, Elbasanin (kampion), Teutën, Tiranën dhe Besën. Shkumbini do të jetë skuadra e shtatë në karrierën e mbrojtësit të Kombëtares.
Mbrojtësi Erbim Fagu (23 vjeç) ka luajtur me Tiranën, Teutën, Elbasanin dhe Besën. Shkumbini është skuadra e pestë në karrierën e tiranasit.
Presidenti i ri i Shkumbinit, Ylli Ndroqi, deri tani ka firmosur me pesë lojtarë, përfshirë dhe Daniel Xhafajn dhe kosovarin Driton Krasniqi.
Një emër tjetër që përflitet për të veshur fanellën e Shkumbinit është edhe ai i qendërmbrojtësit kroat, Toni Pezo, i cili para dy sezonesh luajti si huazuar te Tirana nga Hajduku i Splitit.
Shkumbini, një klub i themeluar në vitin 1924, militon në Kategorinë Superiore pa ndërprerje qysh nga sezoni 1994-1995, në të cilin është renditur në vendin e shtatë në një kampionat me 16 skuadra.
Renditjen më të mirë në 16 kampionatet në të cilat ka marrë pjesë, është vendi i pestë në sezonin 2008-2009, në kohën kur president ishte Xhavit Ismaili, ky i fundit mund të afrohet si donator te Elbasani për sezonin e ardhshëm.
SHKUMBINI NË MERKATO
Të ardhur:Daniel Xhafaj (perfundim kontrate me Besen), Bledar Mancaku (perfundim kontrate me Besen), Endri Vrapi (perfundim kontrate me Besen), Erbim Fagu (perfundim kontrate me Besen)
Konfirmime: Driton Krasniqi (rinovim kontrate)
Të larguar:
Trajner: .......
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Marte, 08 Qershor 2010
Shto dhe ti komentin tend
Emri dhe e-maili