E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkumbini, prova e nxehtë e Partizanit



Fitorja e fundit e Shkumbinit me Partizanin në Tiranë, ishte ajo e fazës së parë së këtij sezoni (2-0, 01.11.2008), pikërisht në premierën e Shpëtim Duros (java e 9-të), ndërkohë që fitorja e fundit e Partizanit ndaj peqinasve në fushën e këtyre të fundit i përket sezonit 2006-2007, por me rezultatin 2-0 (14.10.2006, dy gola të brazilianit Leandro) kur në stol ishte Neptun Bajko, i zëvendësuar më pas gjatë atij sezoni nga Hasan Lika, pikërisht trajnerit të cilit i mori detyrën Shpëtim Duro në sezonin 2008-2009. Pas tri fitoreve rresht dhe për më tepër pa pësuar asnjë gol (2-0 me Flamurtarin në kryeqytet; 0-1 në Ballsh me Bylisin e 1-0 me Dinamon më “Qemal Stafa”, Partizani ndodhet në vendin e tretë nga fundi, në zonën e play-out. Me këtë “background” pozitiv Partizani mbërrin të dielën në Peqin në kërkim të shmangies së humbjes së dytë sezonale me Shkumbinin, çka do të përkeqësonte sërish situatën për 15-herë kampionët.
Dy klubet gjatë 15 viteve të Shkumbinit në Kategorinë Superiore (nga sezoni 1994-1995) nuk kanë pasur kurrë “miqësi” me njëri-tjetrin, edhe pse trajneri aktual i Shkumbinit, Gugash Magani, ka luajtur gjatë karrierës së tij të gjatë si lojtar edhe me Partizanin. Gjithsesi, tashmë kur në media është folur se presidenti i Shkumbinit, Xhavit Ismaili, u ka ofruar hyrje falas për tifozët e kuq, madje së fundi ekziston një grupim i vogël nën emrin “I love Partizani” (rreth 100 veta), duket se klima e dikurshme shumë e ashpër ndaj tifozerisë së kuqe nga ana e “ultrasve peqinas” nuk do të jetë e pranishme.
“Mendoj së të dielën gjithçka do të jetë gati”, - u shpreh Duro, duke theksuar se ndeshja e humbur në Tiranë me Shkumbinin erdhi edhe nga fakti se zëvendësuesi i Likës kishte vetëm tri ditë në stolin e kuq. “Skuadra e di mentalitetin tim dhe idetë e mia (taktike)”, - shtoi ish-ndihmësi i trajnerit Oto Bariç.
Trajneri Gugash Magani, nga ana e tij, porositi lojtarët të kenë kujdes. “Mos e nënvlerësoni Partizanin. Duhet luftuar për çdo top. Në ndeshjen me Dinamon, Parizani fitoi me meritë”, - paralajmëroi Magani, i cili ndodhet në sezonin e tij të dytë si trajner te Shkumbini i vendit të pestë me me 27 pikë, 8 më shumë se Partizani i vendit të dhjetë. Shkumbini ka humbur vetëm 1-herë në shtëpi me Lushnjën (1-2), ndërkohë që Partizani ka fituar 2-herë në transfertë: Lushnja-Partizani (0-1) dhe Bylis-Partizani (0-1). Përballja e parë e tyre historike ka qenë një barazim 0-0 (24.09.1994), e luajtur në Tiranë, ndërsa ajo e kthimit në Peqin është fituar thellësisht nga Shkumbini 3-0 (25.02.1995).
Nga ajo kohë dy skuadrat janë ndeshur midis tyre 35 herë, ku 13 ndeshje janë fituar nga Shkumbini, 16 nga Partizani, ndërsa 6 takime janë mbyllur në barazim (golat 46-43 për Partizanin).
Tanush Latifi është “prokurori” i ndeshjes, ndoshta më “problematike” të kësaj jave, parë dhe ecurinë pozitive te Partizanit në ndeshjet e fundit, por dhe klimës jo shumë miqësore që ekziston në Peqin ndaj të kuqve. Shtatë ndeshje ka gjykuar këtë sezon Latifi. Çuditërisht edhe në fazën e parë ka drejtuar ndeshjen Partizani-Shkumbini (0-2), në të vetmin rast kur ka drejtuar njërin apo tjetrin ekip. Katër kartonë të verdhë dha Latifi në atë takim të vendosur nga golat e Rizvanollit (16’) e Norës (63’).

Sejdini, “xhaxhi” plan sekret kundër Vllaznisë

Rikthehet kampionatit i Superligës, java e 20-të. Spikasin dy ndeshjet kryesore Elbasani-Vllaznia, si dhe Besa-Tirana, ku luajnë kryesuesja dhe ndjekësja e saj me një pikë më pak. Dinamo e vendit të tretë do ta ketë më të lehtë me Apolloninë, e për më tepër që luan në kryeqytet. Partizani e Lushnja që ndajnë vendet 10-të dhe 11-të në klasifikim do të përballen në transferta shumë të vështira, përkatësisht ndaj Shkumbinit e Teutës, ndërsa Bylisi i vendit të fundit, do të presë në shtëpi Flamurtarin. Në këtë javë spikat edhe debutimi i dy trajnerëve Shkëlqim Muça në krye të stolit dinamovit dhe Faruk Sejdini në krye të stolit elbasanas.
Duelet e kreut
Vllaznia kryesuese do të luajë një ndeshje shumë të vështirë sot në “Ruzhdi Bizhuta” me Elbasanin vendas. Tashmë diferenca e saj me Tiranën e vendit të dytë është vetëm një pikë dhe vetëm fitorja do ta mbante atë në krye.
Hera e fundit që skuadra e trajnerit Agim Canaj ka luajtur në Elbasan i përket 7 majit të vitit 2008 në finalen e Kupës së Shqipërisë. Kuqeblutë fituan 2-0 ndaj Tiranës dhe fituan trofeun e dytë më të rëndësishëm sezonal. Këtë herë është ndryshe pasi atyre do t’i duhet të përballen me skuadrën vendase që ka nevojë urgjente për fitore, për vetë pozicionin aspak komod në klasifikim. Një tjetër arsye për këtë është dhe debutimi i trajnerit Faruk Sejdini, i cili kërkon ta nisë me këmbën e mbarë. Ndeshja e parë në Loro Boriçi” mes dy skuadrave ka përfunduar me fitoren e shkodranëve me rezultatin 2-0. Pra vendasit sot kanë disa arsye për të qenë të suksesshëm. Një sfidë shumë të vështirë ka dhe Tirana në transfertë ndaj Besës. Bardheblutë do të kërkojnë fitoren e katërt radhazi për të ruajtur diferencën prej një pike me Vllazninë, por nëse Vllaznia nuk fiton, atëherë ata rikthehen në krye të klasifikimit. Nga ana tjetër Besa ka dy ndeshje pa fituar dhe një tjetër dështim do ta largonte skuadrën e trajnerit Ilir Daja nga objektivi për titull.
Dinamo, fitore për Muçën
Dinamo do të ketë një sfidë të lehtë, të paktën në letër me Apolloninë. Në drejtimin e skuadrës blu prej një jave është Shkëlqim Muça, i cili kërkon të debutojë me sukses dhe t’i rikthejë blutë te fitorja pas dy humbjeve rradhazi që sollën dhe largimin e kroatit Zlatko Daliç. Tashmë kryeqytetasit ndodhen në vendin e tretë në klasifikim, 8-pikë larg kreut dhe vetëm fitorja mund t’i rikthente si pretendentë për titull, në të kundërtën gjithçka për ta do të jetë shumë e vështirë. Nga ana tjetër skuadra fierake e drejtuar nga serbi Esad Karishik vjen pas katër fitoreve radhazi duke e bërë edhe më të vështirë suksesin për skuadrën kryeqytetase.
Lufta për mbijetesë
Lushnja, Partizani dhe Bylis do të kenë sot përballje sa të vështira aq dhe të rëndësishme për fatet e tyre. Të tria këto skuadra kërkojnë me çdo kusht mbijetesën në Superligë dhe dy prej tyre do të luajnë në transfertë. Lushnjarët e Ilir Gjylës do të jenë mysafir në fushën e Teutës që ka shumë nevojë për pikë,
pas 5 javësh pa fitore. Të kuqtë e trajnerit Shpëtim Duro do të luajnë në fushën e Shkumbinit, skuadrës thuajse të pathyeshme në shtëpi e për më tepër që vjen nga humbja me Tiranën një javë më më parë. Vetëm Bylisi që mbyll klasifikimin do të luajë në fushën e tij ndaj Flamurtarit dhe do ta ketë disi më të lehtë të rikthehet te fitoret pas 7 javësh.

KATEGORIA SUPERIORE
JAVA XX
15 shkurt 2009

Teuta-Elbasani (L.Jemini)
Elbasani-Vllaznia (A.Taullau)
Besa-Tirana (S.Cekaj)
Shkumbini-Partizani (T.Latifi)
Dinamo-Apolonia (A.Janku)
Bylis-Flamurtari (E.Peza)

(Ndeshjet fillojnë në orën 14:30)

SKUADRA F B H P

Vllaznia 11 4 4 37
Tirana 10 6 3 36
Dinamo 7 8 4 29
Besa 8 5 6 29
Shkumbini 7 6 6 27
Teuta 6 7 6 25
Flamurtari 6 6 7 24
Apollonia 7 3 9 24
Elbasani 5 8 6 23
Partizani 4 7 8 19
Lushnja 4 5 10 17
Bylis 4 5 10 17

Skënderbeu i pandalshëm, Ada bllokon Laçin

Skënderbeu fitoi 2-0 me Skraparin në ndeshjen e vlefshme të javës 17-të të Kategorisë së Parë, duke regjistruar fitoren e dytë kundër skrapalinjve, pas asaj të fazës së parë (3-1), duke u konfirmuar si lideri i padiskutueshëm i kësaj kategorie.
Fitorja përkoi edhe me inaugurimin e tapetit të ri të stadiumit “Skënderbeu” pas punimeve që zgjatë thuajse një vit.
Pas fitores së 12-të sezonale skuadra korçare e drejtuar nga Indrit Fortuzi (2 ndeshje, 2 fitore) ndodhet në kuotën e 39 pikëve, gjashtë më shumë se dy ndjekëset e saj më të afërta, Laçi e Kastrioti (të dyja me nga 33 pikë).
Laçi i Edi Martinit barazoi me Adën(0-0) në Velipojë, duke përsëritur të njëjtin rezultat të fazës së parë
Kastrioti i drejtuar nga Ramazan Ndreu fitoi 0-1 në Librazhd me Sopotin, një rezultat i njëjtë edhe me atë të fazës së parë.
Luftëtari fitoi në Kuçovë me Naftëtarin me rezultatin e thellë 1-5 (1-0 fitoi Luftëtari në fazën e parë).
Turbina e Cërrikut fitoi 2-0 me Tërbunin e Pukës (Tërbuni fitoi 1-0 në fazën e parë)
Edhe Besëlidhja fitoi në shtëpi 2-0 me Bilisht Sport. Ndeshja e fazës së parë midis këtyre dy ekipeve kishte përfunduar 0-0.
Të dielën luhen dy takimet përmbyllëse të javës së 17-të të Kategorisë së Parë, Gramozi-Dajti (faza e parë: 1-0 për Dajtin) dhe Pogradeci-Burreli (faza e parë: 3-0 për Burrelin).

Kategoria e Parë
JAVA 17

14 shkurt 2009

Turbina-Tërbuni 2-0
Sopoti-Kastrioti 0-1
Skënderbeu-Skrapari 2-0
Besëlidhja-Bilisht S. 2-0
Ada-Laçi 0-0
Naftëtari-Luftëtari 1-5

15 shkurt 2009

Gramozi-Dajti (E.Jorgji)
Pogradeci-Burreli (P.Lapi)

(Ndeshjet fillojnë në orën 14:30)

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›