E Shtunë, 31 Tetor 2026

Inter-Milan, derbi i kapitenëve



Në fushë shiritin e kapitenit do ta kenë vetëm dy lojtarë, Havier Zaneti i Interit dhe Paolo Maldini i Milanit, por në realitet, midis lojtarëve që do ta nisin takimin si titullarë dhe atyre që do të jenë në bankinë apo në tribunë do të jenë shumë futbollistë që e kanë mbajtur fashën e kapitenit për një kohë të gjatë apo qoftë edhe në një ndeshje të rëndësishme të nivelit ndërkombëtar.
Inter-Milan do të jetë një derbi i madh i kapitenëve, një supersfidë që do të ketë vëmendjen e miliona telespektatorëve të shumë kombeve në botë.

INTER – Te zikaltërit kapiteni Zaneti e mban fashën prej 91 ndeshjeve rresht në Serinë A. Herën e fundit që nuk e ka mbajtur ka ndodhur, më 25 tetor 2006 (Inter-Livorno 4-1), kur ishte i pezulluar. Zaneti ka mbajtur shiritin e kapitenit edhe te Argjentina, përpara se Maradona t’ia jepte Maskeranos. Nga formacionet kombëtare kapitenë janë dhe Vieira (Francë), Kivu (Rumani) e Stankoviç (Serbi). Kordoba ka pasur për një kohë të gjatë shiritin e kapitenit të Kolumbisë. Figo ka qenë një nga kapitenët më të mëdhenj të Portugalisë, ndërkohë që Ibrahimoviç së fundi e ka mbajtur atë te Suedia. Obina vitin e kaluar fitoi medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike si kapiten i Nigerisë, ndërsa Himenez me fashën e kapitenit në krah shënoi dy gola për Kilin. Toldo ka qenë në disa raste qoftë kapiten i Fiorentinës, qoftë i Italisë, Materaci nga ana tjetër e ka bërë këtë te Fiorentina.

MILANI – Maldini për Milanin është konsideruar kapiteni me “K” të madhe, por edhe në Kombëtare shpesh ka qene lideri i skuadrës. Kaladze udhëheq Gjeorgjinë, Shevçenko Ukrainën. Në Pekin, Ronaldinjo fitoi medaljen e bronztë si kapiten i “Seleçaos”, ndërkohë që ishte kapiten edhe kur Brazili fitoi Kupën e Konfedertave në vitin 2005. Edhe Andrea Pirlo ka mbajtur shiritin e kapitenit me skuadrën olimpikë italiane në “Athinë 2004” dhe me Italinë U-21. Bekam pas Botërorit të Gjermanisë e la shiritin e kapitenit të Anglisë. Emerson e ka mbajtur shiritin e kapitenit gjatë Botërorit të fituar nga Brazili në Kore në vitin 2002. Nesta e Favalli kanë qenë kapiten te Lacio, Senderos fitoi Europianin e vitit 2002 si kapiten i Zvicrës U-17.

Lajme të mira

Këto janë për Bekamin, në lidhje me transferimin definitiv te Milanin nga Los Anxheles Galaksi. Bekam do të luajë derbin e tij të parë të gjithin milanez. “Spice boy” u ndoq në stërvitjen e së premtes nga tre djemtë e tij, Bruklin, Romeo e Kruz, të shoqëruar nga nëna e tyre Viktoria.

Lajme të këqija

Lajme të këqija për Nestën. Mbrojtësi është bllokuar sërish. Shpina rezultoi përsëri me probleme. Parashikimi i mjekëve është për një stop 6-7 muaj, por nuk përjashtohet operacioni, dhe për këtë do të mjekët do të konsultohen me kirurgët më të mirë në botë të shtyllës vertebrale.

Milani, “delja e zezë” e Murinjos

Dy ndeshje zyrtare, dy humbje. Edhe për Hoze Murinjon ekziston një “dele e zezë”, dhe ky është Milani. Gjatë karrierës së tij si trajner, “Special One’ është përballur me ekipet më të mëdha ë Europës (me përjashtim të Interit) dhe dy formacionet që kanë mundur ta rrëzojnë poshtë portugezin janë Reali i Madridit dhe Milani. Me spanjollët në Ligën e Kampioneve 2003-2004, kur Murinjo drejtonte Porton barazoi në Madrid, por kishte humbur në Dragao të Portugalisë. Por në fund të edicionit ishte Porto që ngriti trofeun, duke bërë “zero” dhe rezultatin negativ në fazën e grupeve. Por me Milanin punët janë ndryshe. Dy takime dhe dy humbje, për më tepër me rezultatin identik 1-0, një në kampionat dhe një në Superkupën e Europës. Të dielën do të luhet përballja e tretë. Mou dëshiron t’i japë fund kësaj serie të zezë, por edhe të vazhdojë pathyeshmërinë e tij në ndeshjet e shtëpisë në kampionat që po zgjat prej 109 ndeshjesh.

16 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›