E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, Avokati i Popullit: Shqiptarët e arrestuar po torturohen

Nga arrestimet e shqiptarëve në Maqedoni

Denoncimet se dy shqiptarët e arrestuar për vrasjen e pesëfishtë në Maqedoni po torturohen janë shtuar, madje janë konfirmuar edhe nga Avokati i Popullit. Denoncimi është bërë nga familjarët e personave të paraburgosur, por më pas është konfirmuar nga Avokati i Popullit, Ixhet Mehmeti. Familjarët që kanë vizituar të paraburgosurit, thanë se shenjat e dhunës në trupin dhe fytyrat e tyre janë shumë të dukshme. Akti është dënuar nga partitë shqiptare në Maqedoni, ku ato të opozitës kanë arritur deri në kërkesën për dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, i cili është shqiptar nga BDI-ja në pushtet, Blerim Bexheti. Partia Demokratike Shqiptare ka kërkuar dorëheqjen e ministrit Bexheti, i cili sipas tyre duhet të kërkonte përgjegjësi ndaj drejtorit të burgut të Manastirit, ku u keqtrajtuan të paraburgosurit. Presim tani që ministri i Drejtësisë të japë dorëheqje. Imagjinoni, ndodh keqtrajtimi i qytetarëve shqiptarë në një ministri që udhëhiqet nga kuadër i partisë shqiptare, BDI, tha Zijedin Sela, deputet i PDSH-së. Ministri Bexheti e ka vizituar burgun e Manastirit për të parë nga afër gjendjen e të paraburgosurve dhe tha se ka urdhëruar drejtorinë që të hetojë rastin duke vepruar sipas dispozitave ligjore. Partia tjetër opozitare shqiptare, RDK, ngre hipotezat se, në mungesë të fakteve për të akuzuarit, institucionet maqedonase po përdorin dhunën për të detyruar të akuzuarit të pranojnë një faj që nuk e kanë bërë. Denoncimet për përdorimin e dhunës te të burgosurit shqiptarë kanë tërhequr edhe vëmendjen e organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat e dënojnë këtë veprim.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›