Shkup, Kushtetuesja shkurton listën e lustrimit
SHKUP- Gjykata Kushtetuese ne Shkup ka zbardhur vendimin për heqjen e plotë të neneve kontestuese të Ligjit për lustrimin. Me kontestimin e 13 neneve, Ligji për lustrimin nuk do të përfshijë më ish-funksionarët shtetëror, gazetarët, anëtarët e organizatave joqeveritare, avokatët, klerikët dhe mediatorët, etj. Procedura për heqjen e këtyre neneve kontestuese ishte hapur që nga janari i këtij viti.
Mirëpo, nga ana tjetër partitë e koalicionit qeverisës VMRO-DPMNE dhe BDI janë shprehur të pakënaqur me këtë vendim të gjykatës, duke paralajmëruar ditëve të fundit përgaditjen e Ligjit të ri për lustrim, që do të marrë dritë jeshile në Parlament.
Propozim-Ligji do të zyrtarizohet atëherë kur do të mbërrijnë ankesat dhe vërejtjet nga të gjitha grupet parlamentare të partive dhe deputetëve të pavarur.
Me propozim-ligjin e ri do të përfshihen të gjithë personat që kanë përfituar kapitale në ndërmarrjet publike dhe ato të karakterit shoqëror, në përputhje me Ligjin për transformimin e ndërmarrjeve publike.
Ligji parasheh që gazetarët, ndërmarrjet radiodifuzive, bashkësite fetare, partitë politike dhe sektori joqeveritar me kërkesë të tyre mund të përfshihet në procesin e lustrimit dhe verifikimit të dosjeve të tyre. Me ndryshimet e reja parashihet që të bëhet shpallja publike e emrave të bashkëpunëtorëve të shërbimeve sekrete. Gjithashtu parashihen sanksione ligjore në rast se bëhet lustrimi përmes mediave dhe jo përmes komisionit përkatës. (INA)