E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkup, Topi: Shqipëria mbështet fuqishëm stabilitetin e Maqedonisë

SHKUP - Shqipëria mbështet fuqishëm stabilitetin e Maqedonisë. Mesazhi është përcjellë nga kryetari i shtetit shqiptar Bamir Topi, gjatë vizitës së tij zyrtare në vendin fqinj.
Presidenti Topi është pritur me një ceremoni solemne zyrtare nga homologu i tij maqedonas George Ivanov, me të cilin ka zhvilluar një takim kokë më kokë.

Temë kreyesore e bisedimeve ka qenë situata e sigurisë në Maqedoni dhe integrimi euroatlantik. Presidenti shqiptar ka theksuar domosdoshmërinë e vazhdimit të frymës së harmonise mes dy vendeve, duke nënvizuar rëndësinë e zbatimit të marrvëshjes së Ohrit.

Nga ana e tij, presidenti Ivanov tha se është në interes të të gjithë rajonit që të kemi vetëm lajme pozitive. Krerët e 2 shteteve kanë biseduar gjithashtu edhe për rritjen dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik.

Presidenti Topi pritet të zhvillojë takime edhe me kryeministrin maqedonas, Nikola Gruevski, kryetarin e Asamblesë, Trajko Veljanoski, me ish-presidentin maqedonas dhe Kryetarin e LSDM-së, Branko Cervenkovski si dhe me drejtuesit e dy partive kryesore shqiptare, Ali Ahmetin e Menduh Thaçin.

Vizita e kreut të shtetit, vjen në një kohë kur situata në Maqedoni është tensionuar pas vrasjes së 5 të rinjve në një fshat të Shkupit.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›