Shkup, intensifikohen aktivitetet për 100 vjetorin e shtetit shqiptar
Ambasada shqiptare në Shkup prej ditës së diel ka marrë një pamje më të bukur. Në shtyllën para ambasadës është ngritur një flamur kuq e zi me bukuri të veçantë, pasi është qëndisur nga studentet e unionit studentor “Dardania”. Në 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë ato kanë përsëritur në mënyrë simbolike aktin që para 100 viteve e bëri Marigona kur qëndisi flamurin me të cilin u shpall pavarësia në Vlorë. Flamuri i është dorëzuar ambasadorit shqiptar në Shkup Arben Çejku, gjatë pritjes që ai ka organizuar për pjesëmarrësit e Kongresit të parë mbarëkombëtarë të rinisë shqiptare, që po mbahet në Shkup. Ambasadori Çejku nuk ka mundur të fshehë emocionet e tij, nga ky akt me simbolik madhështore i përgatitur nga studentët e qytetit ku para 100 viteve duhej të shpallej pavarësia. Ai ka falënderuar Unionin studentor Dardania, duke dhuruar për ta 100 flamuj Kuq e zi.
Flamuri i qëndisur nga Marigonat e Shkupit më pas do të niset edhe për në Vlorë, ku do të arrijë më 28 nëntor.
Forumi mbarëkombëtar i rinisë shqiptare është organizuar nga Lëvizja Studentore Dardania në bashkëpunim me Rrjetin Global të Gruas dhe Akademinë Diplomatike Shqiptare, me mbështetje të Komunës së Çairit.
Në kuadër të manifestimeve për 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë, në fshatin Greshnicë të Kërçovës flamuri shqiptar është ngritur në shtyllën më të lartë në trojet shqiptare. Në shtyllën e lartë 35 metra është vendosur një flamur me madhësi prej 10 metrave.
Me afrimin e 28 nëntorit po fitojnë në intensitet manifestimet në Shkup dhe qytetet tjera të Maqedonisë ku jetojnë shqiptarë. Me këtë rast në fshatin Radushë të Shkupit është zbuluar përmendorja e heroit kombëtar, Adem Jashari. Manifestimet me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë në Maqedoni do të mbyllen me një eveniment spektakolar më 25 nëntor, ku do të marrin pjesë kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha dhe kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi pas kësaj date shqiptarët nga Maqedonia do të vërshojnë Vlorën, Krujën dhe Tiranën për t’iu bashkëngjitur manifestimeve qendrore në këtë vit të madh jubilar.