E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkup, opozita protestë antiqeveritare

Zëdhënësi i LSDM-së, Emilijan Stankoviç ka theksuar se protesta me moton “Ne jemi për Maqedoni fitimtare” do të përcaktojë fillimin e kërkesës së partisë së tyre për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme pas nëntorit të këtij viti.

“Mitingu është kundër varfërisë ekonomike, shkeljes së demokracisë dhe rrezikimit të të drejtave të njeriut, lirisë së mediave dhe kolapseve tjera në ekonomi, shëndetësi dhe sektorë të tjerë”, ka theksuar Stankoviç.
Ai paralajmëroi se sot do të mbërrijnë 500 autobusë dhe 150 furgonë, me qytetarët, të cilët do të vijnë jashtë qytetit të Shkupit dhe se sipas tij, ky miting do të jetë masiv. Zëdhënësi i kësaj partie ka mohuar zërat se kryetarët e komunave të LSDM-së po i bëjnë presion punonjësve të tyre për të marrë pjesë në këtë miting që do të mbahet më 27 qershor para Qeverisë.

Në këtë protestë nuk do të marrë pjesë asnjë nga partitë politike shqiptare dhe shoqata joqeveritare.
Nga ana tjetër, në VMRO-DPMNE kanë theksuar se mitingu është e drejtë e çdo partie, mirëpo sipas tyre, ditën e diel askush nuk do të jetë në Qeveri, përveç se shërbimit të sigurimit.

Nga kjo parti, si kundërpërgjigje për mitingun, sot do të bëjnë hapjen solemne të plazhit përskaj bregut të lumit të Vardarit, një projekt i realizuar nga kryetari i Qytetit të Shkupit, Koce Trajanovski. Projekti i plazhit të improvizuar me rërë dhe në një ambient turistik do të jetë në disponim të qytetarëve, të cilët janë ftuar për t`u argëtuar në këtë ditë. (INA)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›