E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tafaj: Reforma të tjera në arsimin e lartë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, ka deklaruar se maturantët e vitit të ardhshëm do të pajisen me “Diplomë të Maturës Shtetërore”. Në maturën e vitit 2011, siç është përcaktuar në ligjin e Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve, do të lëshohet “Diplomë të Maturës Shtetërore”.

Sipas ministrit, në maturën e vitit 2012 kjo diplomë do përmbajë jo më 4 provime si deri tani, por 5 provime. “Provimi i 5-të do të jetë provimi i detyruar i gjuhës angleze, ose i një gjuhe tjetër të parë për shkollat bilinguale”.

Duke shpjeguar ndryshimet kryesore që i janë bërë ligjit ekzistues të arsimit të lartë, Tafaj tha se “ne synojmë një pikënisje të barabartë me çdo vend tjetër evropian, pra një maturë me standarde". Në këtë mënyrë, tha Tafaj, studentët që në ditën e parë të pranimit në shkollën e lartë do të jenë krejtësisht të barabartë me bashkëmoshatarët e tyre në çdo vend të Evropës.

Bachelori me kohëzgjatje tre vite akademike është forma më frekuente që zbatohet në shumicën e vendeve që kanë aderuar në Procesin e Bolonjës. Sipas Tafajt, Bachelori, sipas Bolonjës, mund të jetë i dy natyrave ose tipeve. Ai mund të jetë një Bachelor i orientuar ngushtësisht me një profesion dhe kjo ka kuptim veçanërisht për shkencat teknike.

Në shumë fusha ekzistojnë mundësi të plota që të zhvillohet një Bachelor i orientuar ngushtësisht në një profesion me shanse shumë të mëdha për t'u thithur nga tregu i punës. Ekziston një grup tjetër i fushave të shkencës, ku integrimi në tregun e punës me një diplomë Bachelor, nuk është kaq i lehtë.

“Për këtë qëllim, universitetet duhet të zhvillojnë një Bachelor, i cili ka një bazë shumë më të gjerë teorike dhe ju krijon mundësi studentëve që në ciklin e dytë të studimeve, të kenë mundësi të zgjedhin jo një Master në atë fushë ku kanë kryer Bachelorin, por të paktën në 5-6 apo 10 fusha të afërta”, vijoi Tafaj, duke theksuar se zhvillimi i një Bachelori të orientuar ngushtësisht në një profesion kërkon një bashkëpunim të universiteteve me tregun e punës dhe me sektorin privat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›