E Diel, 1 Nëntor 2026

Mandati i presidentit, në varësi të vendimit të GJK-së

Kështu së paku konsideron një jurist vendës, i cili është njohës i mirë i çështjeve kushtetuese- shkruan gazeta Koha Ditore.

Në kushte anonimiteti, ai ka deklaruar për gazetën se nuk ka jurist në vend e as në botë që mund të japë interpretim ndryshe, pos që presidenti ka bërë shkelje kushtetuese përmes mbajtjes së posteve të dyfishta, atë të presidentit dhe të kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Shkelja e Kushtetutës nga i pari i shtetit, sipas tij, nuk është akt që mund të shpaguhet vetëm me një kërkimfalje publike apo me shmangie nga njëri post. Më e pakta që mund të bëhet në raste të tilla është dorëheqja e presidentit nga të gjitha funksionet.
Sipas tij, neni 88, pika 2 e Kushtetutës, e bën të qartë edhe për çdo laik, se presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion publik e partiak pas zgjedhjes në krye të shtetit.

“Kjo dispozitë nuk lë hapësira për interpretime të ndryshme, prandaj anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, nuk e kanë fare të vështirë për të dalë me konstatimin se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese që nga koha kur është zgjedhur president, apo së paku që nga koha kur ka hyrë në fuqi Kushtetuta, para dy vjetësh”, ka thënë ai.
Mirëpo, për të pak ka rëndësi kohëzgjatja e shkeljes së Kushtetutës nga i pari i shtetit. “Sikur edhe një ditë të vetme të jetë shkelur Kushtetuta, presidenti do të duhej vënë para përgjegjësisë”, ka sqaruar ai.
Gjykata Kushtetuese, sipas tij, ka sistem ndryshe të punës me ato të ‘gjykatave të rregullta’ dhe vendimet i merr vetëm mbi bazën e asaj që i është kërkuar nga pala e autorizuar.

“Në rastin konkret deputetët kanë kërkuar të dinë nëse presidenti ka bërë shkelje serioze kushtetuese dhe Gjykata del vetëm me vendimin: ka bërë shkelje, apo s’ka bërë shkelje. Nëse Gjykata del me vendimin se presidenti ka bërë shkelje kushtetuese, atëherë Kuvendi i Kosovës do të duhej të mblidhej me automatizëm për ta shkarkuar atë. Kjo për faktin se vendimet e Gjykatës janë obliguese për institucionet e Kosovës. Kuvendi është organi që e ka emëruar dhe si tillë duhet ta shkarkojë”, ka deklaruar ai.

Me Kushtetutë parashihet që shkarkimi i presidentit në raste të tilla të bëhet me 2/3 e numrit të përgjithshëm të deputetëve, që në minimum i bie 80 vota. /Koha/start/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›