Shkupi nisi ta aplikojë masën “ndëshkimore” për Kosovën: Haraç kur ta kaloni kufirin!

Në pikën kufitare Bllacë dhe pikat e tjera me Kosovën ka nisur pagesa e taksës hyrëse nga shtetasit e Kosovës që hyjnë në Maqedoni.
Një zyrtar i pikës kufitare nga stacioni policor kufitar në Bllacë konfirmoi sot për INA se zyrtarisht nga mesnata ka nisur aplikimi taksës hyrëse për të gjithë shtetasit e Kosovës.
"Po, ka nisur pagesa që duhet kryer dhe procesi po ecën me vështirësi, për shkak se bëhet fjalë për një masë emergjente dhe nuk dihet se si do të vijoj më tutje", thekson ai.
Sipas masës së vendosur, taksë prej 2 euro do të paguaj çdo shtetas i Kosovës që hyn në Maqedoni, 5 euro çdo makinë dhe 20 euro kamionët dhe autobusët me targa të Kosovës.
Në pikën kufitare Bllacë janë shkaktuar tollovi të mëdha dhe kolona të gjata që shkaktohen nga procedurat e pagesës së taksës.
Shtetasit e Kosovës janë shprehur të irrituar për masën e vendosur kufitare, duke theksuar se me këto vendime bllokohet lëvizja e lirë dhe marrëdhëniet midis dy vendeve.
"Po pësojmë ne qytetarët e zakonshëm. Jemi nisur për kontroll në një spital në Shkup dhe tash na bie si barrë edhe kjo taksë”, theksoi Bekim L, nga Prishtina.
Edhe nga kompania Euorins në Bllacë theksuan se ka nisur pagesa e taksës, mirëpo ajo paguhet jo përmes kompanive të sigurimeve, por drejtpërdrejt në pikat kufitare, në konton e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).
Ky vendim është marrë dy ditë më parë në Qeverinë e Maqedonisë, ndërsa nuk dihet se a kanë qenë pjesëmarrës ministrat shqiptarë. Vendimi erdhi si pasojë e vendosjes së embargos nga ana e Prishtinës për një pjesë të prodhimeve të ndryshme të Maqedonisë.