E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurt rrethe

04/02/2009  Zgjedhjet të shtunën

Gjashtë intelektualë në

garë për kreun e PD-së

GJIROKASTËR - Gjashtë kandidatë kanë fituar të drejtën të konkurrojnë për postin e kryetarit të degës së Partisë Demokratike, që pritet të zhvillohet ditën e shtunë. Isuf Ahmeti, sekretari aktual i degës së Partisë Demokratike (PD) për rrethin e Gjirokastrës, ka pohuar dje për gazetën “Metropol” se “Në asamblenë e degës së Partisë Demokratike që do të zhvillohet në mjediset e kinoteatrit “Zihni Zako” në qytetin e Gjirokastrës do të marrin pjesë 330 delegatë me të drejtë vote për të zgjedhur kryetarin e ri. Emrat e rinj janë Spartak Drasa, aktualisht drejtori i Drejtorisë rajonale të Kulturës kombëtare, Robert Cela, pedagog i Universitetit “Eqrem Çabej”, Altin Como, aktualisht kryetari i bashkisë së Libohovës, Eduard Karagjozi, biznesmen në fushën e menaxhimit; Maksim Logli, i diplomuar shkëlqyeshëm katër vjet më parë në Fakultetin e Mjekësisë Tiranë, aktualisht punon në sektorin privat në fushën e mjekësisë, si dhe Paqësor Aliko, biznesmen.

E. Molla

Qytetarët nuk paguajnë

Vonon legalizimi për

200 objekte informale

FIER- Vonon procesi i dhënies së lejeve të legalizimeve për objektet në zonat informale të rrethit Fier. Ky proces duhet të niste në muajin janar të këtij viti, por sërish është shtyrë për shkak të vonesave nga vet poseduesit e ndërtimeve pa leje. Sipas drejtuesit të Agjencisë së Legalizimeve për qarkun Fier, Edmond Numani, janë gati 200 objekte për të cilat është marrë konfirmimi përfundimtar për t’u legalizuar, por qytetarët nuk kanë paguar detyrimet mbi tokën ku është kryer ndërtimi. Kjo sipas Numanit, është arsyeja kryesore në vonesat e dhënies së lejeve të legalizimeve. “Janë të paktë ata që kanë paguar tokën dhe gjithë taksat e tjera, kanë bërë kontratat tek noterët dhe janë të gatshëm për legalizim. Unë mendoj që një arsye vonese ka qenë kontrata që ajo pati vështirësitë e saj. Vonesa ka pasur dhe në dhënien e kartelave, konfirmimi nga qendra jonë e këtyre dosjeve, sepse bëhet verifikimi jo vetëm i punës që është bërë për hartat dixhitale, por edhe nga metodat e tjera”.

A. Damini

Gati procesi i verifikimit

Fier, mbi 2000 dublime

në gjendjet civile

FIER- Më shumë se 2000 dublime ekzistojnë në listat e zyrave të gjendjes civile të rrethit Fier. Këtij numri i shtohen edhe dublimet e emrave të listës së gjendjeve civile të rrethit Mallakastër. Deklarata është bërë prej përgjegjëses së zyrës së gjendjes civile të qarkut Fier, Lumturi Mocka. Kjo e fundit ka deklaruar se ka nisur edhe procesi i verifikimit dhe pastrimit të regjistrave nga kjo dukuri, proces i cili pritet të përfundojë se bashku me aksionin qeveritar të pajisjes së shtetasve me karta identiteti. “Për rrethin Fier janë 2020 dublime, ndërsa për rrethin Mallakastër janë 420 dublime. Numrin më të madh të dublimeve e zë Bashkia Fier, që për ne nuk është numër shumë i madh, por 640 dublime janë gjetur në Bashkinë Fier. Kjo nuk do të thotë se këto janë dublime reale, por të dyshuara, sepse këtu futen për shembull 2 shtetas mund të kenë atësi dhe mbiemër të njëjtë, por ndryshon datëlindja dhe ne e kemi futur si dublim të dyshuar. Duhet verifikuar edhe njëherë nga punonjësit për këto raste. Tjetër kemi persona binjakë, të cilët janë futur si të dyshuar në dublime”. Nga ana tjetër në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore sipas saj ka përfunduar procesi i përgatitjes së ambienteve ku do të punohet për pajisjen e letërnjoftimeve elektronike për shtetasit fierakë. “Në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore, janë të gatshme zyrat për përgatitjen dhe nxjerrjen e letërnjoftimeve”, -ka thënë Mocka.

A. Damini

Prioritet ata që ngrenë sera dhe puse vaditjesh

Subvencione mbi 2 milionë

dollarë për fermerët

FIER- Subvencionet në bujqësi në qarkun Fier edhe për këtë vit do të jenë një prioritet i qeverisë shqiptare. Gjatë vitit 2009 prioritet do të kenë ata fermerë që ngrenë serat në pronat e tyre, si dhe gjithë ata që do të hapin puse të reja për vaditjen me pika të kulturave bujqësore. Sipas drejtorit të Bujqësisë në qarkun e Fierit, Fatos Troka, sektori i bujqësisë falë subvencioneve të dhëna nga Ministria e Bujqësisë ka pësuar një zhvillim të ndjeshëm gjatë 2 viteve të fundit. “Krahas subvencionit në pemëtari, vreshtari dhe ullishte,-ka thënë kreu i Drejtorisë së Bujqësisë Fier, Fatos Troka, që qeveria shqiptare u ka dhënë fermerëve gjatë 2 viteve të fundit, këtë vit, krahas subvencionit në blegtori, sivjet janë shtuar edhe bagëtitë e imta siç janë delet, ku do të subvencionohen ata që kanë mbi 50 krerë, por edhe fermerët që ndërtojnë sera mbi 2 dynym, dhe ata që hapin puse për vaditje me pika. Të gjithë ata fermerë që do të ngrenë puse të vaditjes me pika në pemëtore dhe ullinjve do të subvencionohen nga shteti”. Rritja e subvencioneve nga shteti sipas drejtorit Troka, vihet re jo vetëm nëpërmjet shtimit të sektorit bujqësor, por edhe në shtesën e fondit që ato kanë në krahasim me vitin e kaluar. Nga 1.5 milionë dollarë fondi që do të përdoret për subvencionet gjatë këtij viti, fondi i sivjetshëm është mbi 2 milionë dollarë.

A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›