E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votohet buxheti i Tiranes. LSI: Eshte i pavlefshem

04/02/2009  Bashkia e Tiranës ka miratuar me 28 vota pro pas 4 orë sherresh dhe debatesh buxhetin e Bashkisë së Tiranës për vitin 2009. Dy orë para mesnatës, dhe pas një sërë sqarimesh mbi projektet në pastrimin e kryeqytetit dhe investimeve në rrugë e shkolla ka kaluar në praim drafti, duke sjellë dhe një ilaritet në sallë dhe kundërshtime prej LSI dhe PD. Ndërkohë që përfaqësuesi i LZHK deklaroi votat pro që ndikuan në kalimin e tij, por duke kërkuar ndryshimet e mëtejshme. Ndërkohë që LSI ka kundërshtuar vendimin, mdaje duke e cilësuar të pavlefshëm, duke lënë një situatë pezull, ndërsa kreu i Këshillit Dervishaj ka theksuar se do të rivotohet.

Në mbledhjen e djeshme ka ardhur vetë kryetari i Bashkisë Edi Rama për detajimin e buxhetit të këtij viti, i cili për pothuajse një orë ka hedhur poshtë pretendimet e ngritura nga palët për mungesë transparence. Ashtu siç ka ndodhur në dy mbledhjet e para, edhe kësaj radhe molla e sherrit është bërë mungesa e një liste për projektet që do të realizohen për këtë vit, si dhe shpenzimet e shumta që përdoren për administratën e fryrë të kësaj bashkie. Kërkohet rritja e shpenzimeve për qytetarët, dhe rishikimi i nivelit të taksave.

Debatet

Kryebashkiaku Rama u është përgjigjur akuzave se çdo pretendim i hedhur nga palët që rrëzuan buxhetin është i pabazë, madje ka deklaruar se anëtarët më parë duhet të lexojnë buxhetin e të informohen, pastaj të hedhin akuza. Lidhur me akuzën për shpërdorimin e miliarda lekëve për sheshin “Skënderbej” ai tha se “për këtë shesh nuk është shpenzuar asgjë nga fondet që ju pretendoni, deri më sot për këtë shesh janë shpenzuar vetëm shuma të vogla për mirëmbajtjen, pjesa tjetër do të rindërtohet me ndihmë financiare të dhënë nga Kuvajti”. Njëkohësisht është kërkuar që qeveria të marrë masat për realizmin e shpronësimeve, në mënyrë që të rindërtohet hapësira e duhur për banorët e kryeqytetit. Kundrejt akuzës së hedhur nga përfaqësuesit e LSI-së për përfshirje në buxhetin e 2009-s të rikonstruksioneve që janë nisur që në 2008-n, kryebashkiaku Rama ka pohuar se “janë një sërë shkollash që thuhet se janë në buxhetin e këtij viti nga pretendimet kundërshtarëve tanë, por në të vërtetë asnjë prej tyre nuk ndodhet, sepse ato janë realizuar dhe inauguruar gjatë 2008-s”, duke përmendur dhe emrat e shkollave. Kjo situatë është kundërshtuar sërish nga anëtarët që e rrëzuan buxhetin. Monika Kryemadhi ka rideklaruar se janë një sërë fondesh që janë hedhur për rikonstruksionin e rrugëve dhe këto kanë përfituar fonde dyfish, sepse përveç lekëve të dhëna nga Bashkia ato kanë marrë edhe nga fondi i zhvillimit shqiptar. Këtu flitet konkretisht për rrugën “Shaban Bardhoshi” në njësinë 6, ku vetëm nga fondi janë dhënë 600 milionë lekë për zhvillim, teksa janë përfshirë shumë të tjera nga Bashkia.

Shpenzimet e administratës

Zëri i paraqitur për shpenzimet e administratës së Bashkisë ka qenë një ndër pikat kryesore të debatit të zhvilluar. Sipas kryebashkiakut Rama për zërin e shpenzimeve të pagave dhe pagesave të tjera që përfiton administrata përdoret vetëm 8 për qind e buxhetit. Ndërsa pjesa tjetër prej 85 për qind e fondeve janë në dispozicion të administratës. Sipas Pones, është e pafalshme që Bashkia po ushqen një aparat super të fryrë në njësi “sa 6 ministri”, ndërkohë që ky i fundit përdoret për qëllime elektorale.

Edi Rama

“Janë mbajtur shënim të gjitha pretendimet e kundërshtarëve të këtij buxheti. Ata më parë duhet ta lexojnë atë dhe më pas të bëjnë gjykimet në lidhje me zërat përkatës. Janë deklaruar një sërë kopshtesh dhe çerdhesh apo objekte të tjera që do të rikonstruktohen edhe në 2009-n, por në të vërtetë këto objekte nuk janë përfshirë në këtë buxhet, duke qenë se janë inauguruar gjatë 2008-s. Këtu përfshihet shkolla ‘1 Qershori’ , kopshti 27 dhe 21, shkolla ‘Myslym Keta’, ‘Musine Kokalari’ e shumë të tjera.”

Monika Kryemadhi

Përfaqësuesja e Lëvizjes Socialiste për integrim ka kundërshtuar reagimet e kryetarit duke thënë se buxheti është kopje atij të 2008-s. “Janë marrë një sërë paragrafësh nga buxheti i vitit të shkuar dhe janë vënë sërish ashtu kopje siç kanë qenë edhe në buxhetin e 2009-s, pavarësisht se puna për këto objekte mund të ketë përfunduar. Kjo është vepër e një administrate të paaftë, që ka arritur të përdorë firmën tuaj për gjëra që janë ezauruar edhe më parë. Ndërkohë janë detajuar vetëm gjysma e investimeve të parashikuara për 2008-n.”

Ferdinand Poni

“Mungon lista e projekteve të parashikuara për t’u realizuar. Duhet që më parë të na jepni këtë listë dhe më pas të shohim nëse do ta miratojmë buxhetin apo jo. Edhe një herë tjetër kërkojmë që lista e projekteve të na jepet, të bëjmë shpërndarjen sipas programeve buxhetore në mënyrë transparence. Kjo metodë do t’i japë fund mundësisë së ndryshimit të buxhetit sa herë t’i dojë qejfi kryetarit të Bashkisë. Ky buxhet po paguan një administratë të fryrë prej qindra punonjësish, që janë në funksion të fushatës dhe jo të qytetarëve.”

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›