Shkurti po shkurton fatin politik të Edvinit
Me nisjen e muajit pritet të njoftohet edhe data se kur reporterët e Këshillit të Evropës do të vizitojnë Tiranën. Ngërçi politik - si pasojë e bojkotit parlamentar të opozitës - po sjell në Shqipëri kreun e Asamblesë së KE-së dhe Sekretarin e Përgjithshëm, të cilët kanë shpallur se dënojnë kursin e opozitës, por edhe dënojnë shkaktarët e bojkotit institucionalNë bazë të rezolutës së miratuar nga Këshilli i Evropës mbi situatën politike në Shqipëri, e cila bën thirrje për uljen e palëve politike në një tryezë të përbashkët, e quajtur ndryshe tryeza e dialogut, për kapërcimin e ngërçit në marrëdhëniet pozitë-opozitë, gjatë kësaj jave vizitojnë vendin tonë, përfaqësues të lartë të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Komiteti presidencial i Asamblesë në bashkëpunim me Komitetin Vëzhgues të raportuesve do të vizitojnë në fillim të shkurti Shqipërinë për të ndihmuar në rivendosjen e dialogut politik.Sipas të dhënave zyrtare, në Tiranë pritet të mbërrijë Presidenti i Asamblesë së KiE, Mevlyd Cavoshugu, Sekretari i përgjithshëm, Thorbjorn Jagland dhe reporterët për Shqipërinë, të cilët pritet të kenë një axhendë të ngjeshur takimesh me krerët e qeverisë, shtetit dhe politikës. Vizita e përfaqësuesve të lartë të Këshillit të Evropës, bëhet me qëllim ndërmjetësimin e palëve politike dhe anashkalimin e menjëhershëm të ngërçit institucional të shkaktuar nga qëndrimi tendencioz dhe i paqartë i opozitës. Vetë Presidenti i KiE dhe Sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, pritet të takohen me liderin e opozitës, Edi Rama, nga i cili do të kërkojnë llogari të plotë, për gjithçka ka bërë gjatë gjithë këtyre muajve me radhë dhe arsyet e marrjes së vendimit për bojkotin e parlamentit. Bojkotimi dhe mos njohja e institucioneve të dala nga zgjedhjet e 28 qershorit, ka shqetësuar jo pak kancelaritë perëndimore. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës, vetëm pak ditë më parë miratoi projektrezolutën me rekomandimet e dy raporterëve të KiE, ëilshare dhe Lassko, që bën thirrje për lënien pas të sjelljeve politike të pastudiuara, siç është ai i bojkotit institucional, i zgjedhur nga Edi Rama këtu e afro 6 muaj më parë. “Situata në Shqipëri është shumë shqetësuese. Duket tashmë si një traditë shqiptare bojkotimi i punimeve të Parlamentit nga ana e opozitës. Mua nuk më pëlqen kjo gjë, nuk mendoj se i shërben vendit dhe popullit. Demokracia zhvillohet në sallën e parlamentit, opozita duhet të jetë aty. Duhet të marrë përgjegjësitë që i kanë ngarkuar votuesit e saj”, ka deklaruar Sekretari i përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Thorbjorn Jagland. Pavarësisht këtij momenti të rëndësishëm, nuk dihet ende se cili do të jetë devijimi i radhës i Edvinit, për të manipuluar përfaqësuesit ndërkombëtarë, të cilët këtë herë zbresin më seriozë se kurrë nisur nga pika 7 e rezolutës së KiE, e cila ka apeluar për rikthimin e opozitës në Kuvend dhe ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet. Megjithëse është bërë një ofertë e tillë, Edvin Kristaq Rama vazhdon të fshihet pas hijes së kutive, duke mohuar kështu propozimin e mazhorancës për konsensus parlamentar dhe shqyrtim të atyre kërkesave që nuk bien ndesh me kushtetutën. Pika e 10-të e rezolutës së miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës“Raportuesit dhe komiteti Presidencial të vizitojnë Shqipërinë ditët e para të muajit shkurt” Rezoluta e miratuar pak ditë më parë nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës parashikon qartësisht vizitën në Shqipëri, të përfaqësuesve të lartë të këtij institucioni. Qëllimi i vizitës është diskutimi i situatës politike në vend, nisur nga bojkoti disa mujor i parlamentit nga ana e Partisë Socialiste.Rezoluta 10.4. Udhëzohet Komiteti Presidencial i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës së bashku me bashkë-raportuesit e Komisionit të Monitorimit, të vizitojnë menjëherë Shqipërinë. Kjo vizitë të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur, pas seancës së fundit të Kuvendit të Këshillit të Evropës, të muajit Janar 2010....