E Shtunë, 31 Tetor 2026

Parashikime se si do të votohet në GJND

Diplomacia ndërkombëtare, në pritje të sjelljes serbe pas shpalljes më 22 korrik të mendimit të GJND-së

Duket se e vetmja gjë që u intereson shteteve aleate më të fuqishme të Kosovës në arenën ndërkombëtare në këtë moment është se si do të sillet Serbia, pas shpalljes më 22 korrik të mendimit nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) së Hagës për vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, sepse, sa i përket qëndrimit të kësaj të fundit, ata tanimë nuk kanë asnjë problem. Në të gjitha bisedimet e përfaqësuesve të udhëheqjes së lartë serbe me diplomatët e lartë të SHBA-së dhe të vendeve-anëtare të BE-së, e vetmja temë është ajo se çfarë ka ndërmend të ndërmarrë Serbia në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së. Në këtë kontekst, spekulimet aktuale të medias për disa ide për ndarjen e Kosovës dhe shkëmbim territoresh janë vetëm kapacitete të dobëta bashkëbisedimesh të ardhshme të Serbisë në krahasim me atë që do të ndodhë të martën e tretë të shtatorit të këtij viti në OKB, kur të mblidhet Asambleja e saj e Përgjithshme vjetore e radhës dhe të diskutojë për Kosovën. Dhe, me siguri, që do të diskutojë për këtë çështje, pasi rasti e solli që ajo të mblidhet menjëherë pas shpalljes së mendimit të GJND-së. Kështu që e gjithë vëmendja tani është përqendruar te mendimi në fjalë i GJND-së që, si rezultat, ka sjellë edhe hamendësime e parashikime të ndryshme.

Sipas gazetës së përditshme serbe “Danas”, e cila, sikurse pretendon, u referohet qarqeve të mirinformuara, situata brenda vetë GJND-së aktualisht është “komplikuar disi, por, sidoqoftë, përsëri është në favor të Serbisë”. Sipas saj, rezultatet e një votimi paraprak, të zhvilluar midis gjykatësve të GJND-së para afro një muaji, lidhur me atë se kush nga anëtarët e Këshillit Gjyqësor do të hartojë tekstin e mendimit konsultativ të GJND-së, treguan se situata ishte në favor të qëndrimit të Beogradit. Kështu që, mbi bazën e rezultatit të votimit 8 me 7, u vendos që në shkrimin e tekstit të mendimit të GJND-së, krahas kryetarit të kësaj të fundit, Hisashi Ovada, të marrin pjesë edhe dy gjykatës, mendimi i të cilëve për vlefshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës përputhet me argumentet e Serbisë. Megjithatë, situata ka ndryshuar dhe jo në favor të Serbisë, pasi gjykatësi nga Kina, një nga dy gjykatësit e lartpërmendur, ka dhënë dorëheqjen për shkak të sëmundjes, ndërsa zëvendësuesi i tij nuk do të mund të votojë, sepse nuk ka marrë pjesë që nga fillimi në procedurën përkatëse. Kështu që tani raporti i forcave në GJND është në pozicionin pat 7 me 7, vë në dukje “Danasi”, e cila shton se kryetari Ovada kishte të drejtën e “votës së artë”, por nuk pranoi që ta shfrytëzonte atë, për shkak të rëndësisë së çështjes dhe pasojave të mënyrës së zgjidhjes së saj. Kështu, gjykatësit e kanë filluar votimin paragraf pas paragrafi, rezultati final i të cilit është i paqartë. Votimi nga 14 gjykatës për paragrafë të veçantë e komplikon situatën, sepse ekziston mundësia që disa segmente të mendimit final do të mund të interpretohen sipas interesave të palëve të interesuara. Megjithatë, sikurse vë në dukje “Danasi”, e cila pretendon se u referohet informacioneve që ka në dispozicion udhëheqja e Beogradit, si dhe disa burimeve perëndimore e lindore, mendimi përfundimtar i GJND-së do të jetë në favor të Serbisë. Në këto kushte, thekson gazeta në fjalë, aleatët e fuqishëm të Prishtinës, SHBA-ja dhe shtetet anëtare më me influencë të BE-së, duke qenë të ndërgjegjshëm se qëndrimi i GJND-së nuk do të jetë në favor të pavarësisë, po punojnë në dy drejtime.

Së pari, duke ushtruar ndaj Serbisë një presion diplomatik të fortë dhe duke e paralajmëruar se ajo duhet të tregohet konstruktive, pra duke i lënë të kuptohet qartë se këmbëngulja serbe për rezolutën e saj në OKB do të ketë çmimin e saj sa i përket integrimit europian të Serbisë. Me fjalë të tjera, Perëndimi ngul këmbë që puna të mos shkojë deri te rezoluta, por edhe nëse arrihet deri tek ajo, kjo rezolutë të jetë e “butë”, pra të mos ketë asnjë peshë politike, të mos përmbajë elemente që do të orientonin drejt bisedimeve të reja për statusin dhe që do të linin të kuptonin qartë se pavarësia e Kosovës nuk është e ligjshme.

Së dyti, nëse Serbia nuk heq dorë nga rezoluta, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së po bëhen përpjekje që të sigurohet shumica që do ta hidhte poshtë tekstin e rezolutës në fjalë. Dhe, në këtë rast, situata do të bëhet jashtëzakonisht e vështirë për Serbinë. Aktualisht, sipas vlerësimeve të Serbisë, 45 shtete bëjnë pjesë në ata që konsiderohen “jo të sigurt”, pra u janë nënshtruar presioneve. “Deklarata e ministrit të Jashtëm kosovar, Skënder Hyseni, se 35 shtete do ta njohin së shpejti pavarësinë e Kosovës, është e tepruar, por nuk do të ishte realiste që të mos prisje që nga këto 45 ‘vota të pasigurta’, të paktën 10 të shkojnë në favor të palës shqiptare. Dhe fjala është për vende që varen direkt nga SHBA-ja, Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca, midis të cilave më shumë prej tyre ndodhen në Karaibe, por edhe në Afrikë dhe Azi”, thekson “Danasi”.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›