Shkurtime drastike në buxhetin e ri, 39 miliardë lekë më pak
shqiptarët do të kenë një buxhet të reduktuar në masën rreth 39 miliardë lekë, si pasojë e krizës ekonomike. Ishte vetë Kryeministri që konfirmoi programin e ri buxhetor, duke theksuar detyrimin ndaj situatës së vështirë ekonomike nga mungesa e të ardhurave në tatime dhe dogana. Sipas buxhetit të rishikuar, të ardhurat në total do të jenë 333 miliardë e 658 milionë lekë, shpenzimet 371 miliardë e 767 milionë lekë, kurse deficiti do të bëhet 38 miliardë e 109 milionë lekë, nga 49 miliardë që ishte në fillim të vitit.
Ndryshim buxheti do të ketë edhe për pushtetin vendor, që parashikohet të jetë për pjesën e dytë të vitit me 29 miliardë e 686 milionë lekë të ardhura, nga të cilat 14 miliardë e 207 milionë lekë janë grante nga qeveria, ndërsa shpenzimet do të jenë 29 miliardë e 686 milionë lekë.
Kufiri i financimit të deficitit të buxhetit të shtetit nga burime të brendshme dhe të huaja është rreth 38 miliardë lekë, dhe nga këto, 300 milionë lekë financohen nga të ardhurat e privatizimit. “Në rast mosrealizimi të të ardhurave të buxhetit dhe të të ardhurave nga privatizimi, huamarrja për financimin e deficitit të brendshëm dhe të huaj prej 46468 milionë lekësh, nuk ndryshon”, sqaron Ministria e Financave në njërën nga nenet e ligjit të buxhetit.
Kufiri i huamarrjes së brendshme dhe të jashtme mund të reduktohet për çdo të ardhur të arkëtuar nga privatizimet strategjike në masën 50 për qind të të ardhurave të realizuara nga ky privatizim. Pjesa tjetër e të ardhurave nga ky privatizim përdoret nga Këshilli i Ministrave për rritjen e kufirit të shpenzimeve për investime, i cili automatikisht rrit kufirin e deficitit të buxhetit të shtetit, të përcaktuar në nenet 1 e 2 të ligjit.
Shpenzimet e buxhetit të shtetit, sipas grupeve kryesore, do të jenë 225 miliardë e 685 milionë lekë; ato korrente dhe kapitalet 66 miliardë e 777 milionë lekë, ose rreth 20 miliardë më pak se plani i mëparshëm. Ministria e Financave sqaron se, në shpenzimet kapitale përfshihet edhe një fond kontingjence për mbështetjen e financimeve të huaja prej 3 miliardë lekësh.
#