E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ekspeditat mësyjnë Butrintin

Projektet me specialistë dhe studentë të arkeologjisë përqendrohen në zona të ndryshme të Parkut Arkeologjik

Ekspeditat verore “mësyjnë” Butrintin. Muaji korrik është më intensivi për sa i përket zbatimit të projekteve. Për të shtatëmbëdhjetin vit radhazi, fondacioni “Butrinti” i është kthyer Parkut Arkeologjik me shkollën verore. Esmerald Kola, specialist i këtij fondacioni, tregon për katër drejtimet kryesore ku është përqendruar puna me projektet e kohëve të fundit. Ato kanë prekur konservimin dhe konsolidimin e disa monumenteve arkeologjike, kanë thelluar kërkimin shkencor, ndërkohë që janë trajnuar studentë vendas e të huaj në fushën e arkeologjisë e njëkohësisht me ta janë përfshirë në këtë proces edhe banorët vendas. Në këto ekspedita janë përfshirë rreth 30 studentë dhe 11 arkeologë shqiptarë, 20 studentë dhe arkeologë të huaj, si dhe 90 banorë, kryesisht nga fshati më i afërt me Butrintin, fshati Shëndëlli. Një ndër projektet ka parashikuar pastrimin e vegjetacionit prej monumenteve, ndërkohë që janë konsoliduar mure dhe mozaikë. Në fushën e konservimit veçohet si më i rëndësishëm projekti për konsolidimin e mureve rrethues mesjetarë, si dhe konservimi i mozaikëve të Pallatit të Trikonkës, që është ndër monumentet më të rëndësishme. Kola thotë se falë punës së bërë për konservimin e mureve rrethues mesjetarë të qytetit antik dhe pjesës së akropolit, si dhe zonës së backfillit të disa monumenteve, këto zona u përfshinë në itinerarin e vizitave të Butrintit. Valbona Hysa, drejtuesja e projekteve të një fondacioni tjetër që vepron në Butrint prej 10 vjetësh, “Trashëgimia shqiptare”, thotë se programet e kërkimeve shkencore arkeologjike janë të lidhura ngushtë me trajnimin e arkeologëve të rinj. Sipas saj, ekspeditat e vitit 2010 janë fokusuar në vazhdimin e studimit të zonave të njohura, por edhe në zbulimin e zonave të reja në brendësi dhe përreth Parkut Kombëtar të Butrintit. Të tilla ajo përmend zonën arkeologjike të Shëndëllisë. Atje është bërë i mundur zbulimi i varreve antikë dhe i një mauzoleu, që konsiderohet identik me atë të Nikopolit. “Puna jonë survejuese ka nisur pas ndërtimit të hartës gjeologjike të kësaj zone, hartuar nga gjeologë anglezë në vitin 2000”, shprehet Hysa. Më tej ajo thekson se do të përpiqen ta rindërtojmë arkeologjinë e Vrinës edhe pse truallit arkeologjik i janë shkaktuar dëmtime të shumta në vite, pasi ai ka qenë mbjellë me patate. Para zbulimeve dhe studimit të kësaj zone në 2008-n mendohej se kishim të bënim thjesht me një zonë peshkimi, ndërsa vulat e zbuluara nga studiuesja amerikane Dana Phelips dhe objekte të tjera përforcuan mendimin se kjo përfaqëson një zonë vendbanimi, që në kohën e Augustit mori zhvillim të madh. Kësaj ekspedite i është bashkëngjitur edhe një grup studentësh, të ardhur nga universiteti “Eqrem çabej” i Gjirokastrës, të udhëhequr nga pedagogu i tyre, arkeologu Dhimitër çondi.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›